Nga: Ben Blushi
Mond Tupen e shof çdo mëngjes te rruga e shtëpisë sime. Pi kafe.
Ç’bën gjithë ditën, i thashë
Dal pak, punoj, bëj pazaret dhe pastaj me djalin
Dukesh mirë, i thashë, sa kile je?
Jam dy nën peshë, tha Tupja,
Nuk ha, e pyeta
Bëj ushtrime tibetiane, tha
Ça janë këto ushtrimet tibetiane?
Lëvizje trupore që bëjnë murgjit tibetianë, jam me hernie diskale
Nga kompujteri, i thashë
Nga Enver Hoxha, tha Tupja, kam përkthyer mijëra faqe të tij në frengjisht
Je nga Elbasani?
Po, tha Tupja, jemi kushërinj
Nuk di të jemi kushërinj, i thashë,
Ne dhe Shuteriqët i kishim shtëpitë ngjitur në Kalanë e Elbasanit,
Pse po ti kesh shtëpitë ngjitur je kushëri, e pyeta
Diçka duhet të jemi, tha Tupja, se jemi dhe çifutë
Pse jemi çifutë, e pyeta
Pse ti nuk e di, tha Tupja
Nuk di që jam, i thashë, siç nuk di që nuk jam
E ka thënë Evla Çelebiu në kronikat e tij
Çfarë ka thënë Evla Çelebiu?
Që Elbasani ka çifutë që janë kthyer në të krishterë dhe tani quhen marranë
Ça janë marranët?
Marranë i thoshin në Mesjetë çifutëve që ikën nga Spanja dhe Portugalia dhe vazhduan të ndjekin ritet e tyre në fshehtësi megjithëse u konvertuan në krishtërim. Marranë vjen nga fjala derr në spanjisht
Pra nëse jemi çifutë kemi qenë derra, i thashë
Janë disa familje në Elbasan, Shuteriqët, Budat, Popat çifutë sefarditë
Nga dallohen çifutët, e pyeta
Nga veshët, tha Tupja, shifi veshët e mi janë të bashkuar
I shof, thashë unë
Prit ti shof dhe ty si i ke
Shifi, thashë unë
Ou, tha Tupja, i ke të bashkuar më shumë se unë je komplet çifut, më fal hebre
Më thuaj një emër çifut në familje, e pyeta.
Isak, tha Tupja, gjyshi im quhej Isak i thoshin Saku
Kjo nuk provon gjë i thashë, edhe stërgjyshi im quhej Simon, po gjyshi im thoshte që nuk jemi çifutë
Po ju keni Sinagogën afër me shtëpinë në Elbasan, tha Tupja,
Ti ndjehesh çifut, e pyeta
Derisa jam kaq i zgjuar po, tha Tupja, jam shqiptar me gjak hebre
Po shkruan diçka, e pyeta
Shumë pak, tha, nuk më lë kohë djali
Sa vjeç është djali?
35, po ka trurin e një katër vjeçari,
Flet me ju?
Për fat po, ndryshe nga disa autikë të tjerë, ai flet
Dmth artikulon, e pyeta
Shumë bukur, tha Tupja, më thotë babi të kam zemër
E nxirrni?
Ka katër vjet nuk ka dalë nga shtëpia
Ça bëhet kur ti mos jesh më?
Këtë nuk e di, tha Tupja, por kur unë dhe ime shoqe mos jemi, ai nuk jeton dot
Mos e thuaj, i thashë
Ai jeton me dashurinë tonë, tha Tupja, kur ajo të mungojë ai nuk mund të jetë
A di të puthë, e pyeta
Puth vazhdimisht të jëmën, ime shoqe jeton vetëm për të.
I ra telefoni,
Një minutë, tha, është ime shoqe, ti flas pak
Patjetër, i thashë
E kuptova, tha Tupja
Ndonjë porosi, e pyeta
Duhet të blej mendër dhe koper, tha Tupja, ime shoqe gatuan në mënyrë të shkëlqyer
Ecim pak në rrugën e Kavajës, thashë unë, bëjmë fotografi
A e di ça është kjo godina këtu, më pyeti Tupja
Jo, i thashë
Ka qenë shtëpi publike, tha
Nga e di ti, e pyeta
Ma ka thënë babai,
Pse të tregonte babai histori erotike?
Sigurisht, tha Tupja, ishte qejfli i madh ja të ta tregoj këtë historinë
Ma trego, i thashë
Kur italianët erdhën në Shqipëri u hapën shtëpitë publike në 1939. Një herë babai im bashkë me një shokun e vet erdhën në këmbë nga Elbasani në Tiranë për të shkuar në bordello, ose bordellhane, siç i quanin atëherë
Ça thua, i thashë, kaluan Krrabën në këmbë për të ardhur deri këtu?
Po tha Tupja, ma ka treguar babai. Erdhën pikërisht këtu ku jemi ne tani
Ja të bëj një fotografi këtu ku paska qenë babai yt, i thashë
Shiko ça ndodhi, tha Tupja
Hë, i thashë
Ai shoku i babait hyri i pari dhe doli pas 5 minutash. Dmth u prish menjëherë. Dhe i thotë babait, hajde ikim shpejt se nuk janë për ne këto. Dhe ikën
Dmth babai nuk u fut, e pyeta unë
Jo, tha Tupja nuk u fut
Paska qenë qejfli, thashë unë
Po po, tha, edhe mamaja ia dinte historitë
Ecim dhe pak, thashë unë
Prit se telefoni, tha Tupja, po po e kuptova duhet Trekëndëshi i Bermudës
Ça është Trekëndëshi i Bermudës, e pyeta
Mendër, koper dhe majdanoz, tha Tupja, po shkoj ti blej.
ObserverKult
Lexo edhe:
BEN BLUSHI ZBULON BISEDËN ME VAJZËN QË SHISTE LULE TE VARREZAT