Eduard Llesh Marashi, njeriu me dy këmbë të prera që sfidoi regjimin komunist

Dhjetë vitet e fundit të jetës së tij ai i kaloi në katin përdhesë, të një pallati pranë stacionit të trenit në Shkodër. Kushtet e asaj dhome, i ngjanin një burgu. Drita hynte sa për të nda ditën nga nata, ajri ishte plot lagështi. Ai kishte pa dhe ma keq. Personazhi i këtij shkrimi është Eduard Llesh Marashi. Në vitet e fundit ai ishte në një gjendje shëndetësore tepër të keqe. Dy këmbë të preme deri nën gjunjë dhe një koleksion sëmundjesh, që i dinte vetëm ai dhe mjekët.

Si jetoi vallë ai në atë gjendje?! Shpesh ne shokët e tij të burgut i bënim vizita, me i dhënë kurajo për të mbijetue. Ai ishte kalitë plotësisht në qelitë e burgjeve dhe kampeve. Vazhdimisht e sfidonte sëmundjen dhe ndonëse ma i ri se unë, më jepte zemër. Njëherë më tha: “Populli shqiptar po duron sëmundjen kanceroze të komunizmit, e nuk po dorëzohet, si të dorëzohem unë nga kjo palo sëmundje”?!

Ai u lind në 1934, në Shkrel të Shkodrës, në nji familje me tradita të shumta. Tre djemtë e Marash Vatës, u bënë oficera. Kanto Marashi, Gjokë Marashi e Llesh Marashi, që ishte babai i Eduardit. Familja e tij nxori edhe klerikë. Në nji mjedis të tillë ai mori mësimet e para të fesë. Qe vetëm 5 vjeç kur Italia pushtoi Shqipërinë. Si antifashiste, familja e tij mori arratinë në male. Babai i tij, Lleshi, mori pjesë për pak kohë në çetën e parë partizane në vitin 1942, por u largue shpejt prej saj, pasi idetë e tij ishin nacionaliste.

Vitet kaluen e Eduardi rritej e formohej tue pa se ç’po ndodhte. Erdhi nandori i vitit 1944 dhe Lleshi, del sërisht në arrati maleve. Ndërsa në dhjetor të po atij viti, familja dhe fisi i tij, internohen në kalanë e Beratit. Dështon lëvizja e Koplikut e drejtueme prej tij dhe ai kapet me tradhëti, në nji shpellë në Razëm të Shkrelit. Varet në qendër të Shkodrës. Para ekzekutimit, oficeri e pyet se cilët ishin fjalët e tij të fundit. “Rroftë Zogu i parë, rroftë Shqipëria e lirë” dhe kjo dëshmi është autentike dhe u tregue në kofidencë nga ai oficer që sot nuk jeton.

foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri

Duke qenë i vogël Eduardi, kthehet në Shkodër dhe vazhdon shkollën, por asht në sy të nxanësve që kishin marrë urdhër me e survejue. Deri në vitin 1951, vazhdon gjimnazin dhe në fshehtësi të plotë, organizon një qëndresë me shokët e tij, prindërit e të cilëve, ishin goditur në forma nga më të ndryshmet nga regjimi komunist. Sigurimi i Shtetit kishte veshët e mprehta e durët e gjata. Arreston Eduardin, Q. Elezin, R. Uruçin, Xh. Xhaferrin, dhe F. Kombin. I torturojnë por ata nuk tregojnë.

U bahet gjyqi por ata prapë qëndrojnë. Dhe dënohen duke kalue vit pas viti, në burgje dhe internime. Burgjet dhe kampet ishin shkollat, ku u kalit ma shumë karakteri i tij. Mësues, pati të burgosurit e moshuem. Mendja i punonte mirë e ai thithi shumë njohuri. Ma në fund, ai lirohet nga burgu, por nuk strehohet në shtëpinë e tij, sepse i’a kishin sekuestrue, por në nji biçim banese. Gjendja shëndetësore e tij qe e dëshpërueme dhe ai punon në punë nga ma të rëndat e me pagë të ulët.

Motra e tij Xhina, i mëson rrobaqepësinë dhe ai punonte fshehurazi, për me nxjerrë bukën e gojës. Nuk zgjat shumë, sepse në lagjen ku banonte, demaskohet e arrestohet, sepse bënte propagandë kundër pushtetit. Neni 55 i Kodit Penal të Shqipërisë, zbatohej ritmikisht. Ky nen, të jepte 7 vjet heqje lirie. Gjyqi u zhvillue në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku kryetari i saj i tha: “Tani dhelpra plakë të erdhi fundi. Ti do të ngelesh banor i përhershëm i burgjeve tona”. Eduardi i përgjigjet: “Nuk më vjen keq aspak, se Shqipëria është një burg gjigand dhe të burgosur janë të gjithë shqiptarët, duke përjashtuar disa zagarë”.

Dërgohet në burgun e Burrelit, ku vuen dhe lagështirën e urinë. Më pas e çojnë në Spaç. Sëmundja i përparon dhe ai përdor patericat. Në vitin 1979 Eduardi, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Xhelal Koprencka, i shkruajnë letër Enver Hoxhës, ku i thojnë që të ndërrojë rrugën e nisun, pasi sistemi që ai kishte ndërtuar, do të shembej.

“Zeusi” i Tiranës, u tërbua. Menjëherë nisi në Spaç të deleguemët e tij. Pyetja që ata i banë 4 guximtarëve qe dredharake. A mos vallë, e keni shkruar letrën në gjendje depresive dhe tani jeni penduar?! Të katërt i’u përgjigjën që atë e kishin shkrue me mëndje të kthjellët dhe u gëzuen që ajo kishte mbërritë në destinacion. S’mbeti gja tjetër veçse gjyqit.

Eduardi për shkak të sëmundjes, dënohet me 25 vjet të tjera. Ç’ka do të thoshte vdekje në burg. Sëmundja i përparoi dhe atij i presin të dyja këmbët. Patericat dalin jashtë përdorimit. Pas kësaj janë shokët që e mbajnë mbi shpinë.

Asht koha kur Ramiz Alia, ishte kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Eduardi i shkruen nji letër, ku i thotë se ju qëllimisht ma falët jetën që të vdes në burg. Do jua di për nder që të më vrisni, pasi nuk jetoj dot në kurriz të shokëve të mi.

Ramiz Alia dërgon qëllimisht një fotoreporter, që të shikonte sesi qëndronte puna. E fotografojnë në mes të oborrit të burgut. Për regjimin, tani ai nuk paraqiste rrezikshmëri. Transferohet nga Spaçi për në Shkodër. Tani janë policët të detyruem që t’a mbanin mbi shpinë.

Ma në fund lirohet. Tue qenë shumë sedërli nuk pranon lëmoshë, por don me punue. Nji shok i tij, i siguron nji makinë qepëse. Mendoni tani çfarë përpjekjesh bani ky njeri, në atë gjendje me punue. Vdiq në vitin 1990, e u varros pa ceremoni fetare e pa fjalime. U varros në heshtje nga familjarët e shokët në një dhimbje të thellë./memorie.al

LEXO EDHE: Nga ditari i një 14-vjeçare që përjetoi tmerret e komunizmit: Babai nuk pranoi të bëhej pjesë e Sigurimit… torturat s’u ndalën…