Eduardo Galeano: Frika globale

Ata që punojnë kanë frikë se mos humbasin punën.
Ata që s’punojnë kanë frikë
se mos nuk gjejnë kurrë punë.
Kush nuk ka frikë nga uria, ka frikë nga ushqimi.
Shoferët kanë frikë të ecin në këmbë
dhe këmbësorët kanë frikë se mos i shtypin.
Demokracia ka frikë të kujtojë
dhe gjuha ka frikë të flasë.
Civilët kanë frikë nga ushtarakët,
ushtarakët kanë frikë mos ngelen pa luftëra.
Është koha e frikës.
Frikë e gruas nga dhuna e burrit
dhe frikë e burrit nga gruaja që s’ka frikë.
Frikë nga hajdutët, frikë nga policët.
Frikë nga dera pa çelës,
nga koha pa orë,
nga fëmija pa televizor,
frikë nga nata pa hape për gjumë
dhe frikë nga dita pa hape për t’u zgjuar.
Frikë nga turma,
frikë nga vetmia,
frikë nga ajo që shkoi
dhe nga ajo që mund të vijë,
frikë nga vdekja,
frikë nga jeta…

Përktheu nga spanjishtja : Bajram Karabolli