Eduardo Galeano: Nata

Nga Eduardo Galeano

Nata / 1

Të fle nuk mundem aspak. Seç kam një grua tërthorazi në buzët e mia. Po të mundesha, do t’i kisha thënë të ikte ndoshta; megjithatë kam tashmë një grua tërthorazi edhe në grykën time.

Nata / 2

Shkulmi, zonjë, tërë veshjet e mëdyshjet e mia. Zhvishmë, zhvishmë, të lutem.

Nata / 3

Përgjumem në brigjet e një gruaje; jam përgjumur në brigjet e një humnere.

Nata / 4

Çlirohem nga përqafimi i saj, në rrugë kam dalë.
Në qiellin, tanimë të kthjellët, nis të ravijëzohet një hënë e plotë.
Hëna ka dy netë jetë.
Kurse unë veç një kam.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult


vinicius de moraes
Foto: Divulgação

Lexo edhe:

VINICIUS DE MORAES: KUSH E PAGUAN VARRIMIN NËSE VDES NGA DASHURIA?

Nga Vinicius de Moraes

Kush do ta paguajë varrimin dhe lulet
Nëse nga dashuria do të vdes?
Kush pra, mes miqve, më miku
Ka për të hyrë në arkivol krah meje?
Kush, në funeralin tim
Do të thotë për mua: – Keq një mize s’i bëri kurrë…
Kush, i dehur tapë, do të qajë me zë të lartë
Ngaqë asgjë s’do të më ketë sjellë?
Kush do të vijë të zhbëjë petalet
Në varrin tim prej poeti?
Kush do të hedhë druajtshëm
Përtokë një farë të imët?

Kush do ta ngrejë vështrimin tinëzisht
Gjer në yllin e muzgut vallë?

Kush do të më thotë fjalë magjike
Që e zvenitin dhe mermerin vetë?
Kush, ndryrë nën vel të mugët
Do të kryqëzohet ndër mure?
Kush, i mbytur nga neveria
Do të thotë me buzë në gaz: – Vdiq mbreti, rroftë mbreti…
Sa mike syresh, përmbysur majë arkivoli
Do të ndiejnë dhimbjet e lindjes?

E cila vallë, e zbehtë nga frika
Do të prekë kopsën e gjoksit?
Cila vallë, e çartur krejt, do të hidhet kokëposhtë
E do të qaravitet me lemzë?
Sa drojë do të zgjohet?
Sa vallë, do të shtrëngojnë nofullat
Gjaku do të rrahë nën vraga lëkure
Do të thonë: – Ç’mik i çartur na ishte…
Kush, fëmijë, me sytë përtokë
Si të shohë një krimb tek lëviz
Do të shikojë me qesëndi?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult