I frymëzuar thellësisht nga Mënyra e jetës amerikane në shekullin e 20-të, Edward Hopper riinterpreton jetën e bashkëatdhetarëve të tij në skena sa misterioze, aq edhe të parëndësishme. Autor i të famshmes “Nighthawks”, ai ka lënë një trashëgimi piktoreske të jashtëzakonshme, me ndikim të konsiderueshëm në kinema. Piktura e Hopper-it është një himn dhe një dënim për heshtjen. Ekziston vetmia amerikane, por njëherazi edhe jeta në prag të diçkaje që mund të ndodhë.
Të admirosh një pikturë të tijën është si të humbasësh në meloditë e Çajkovskit: na minon në thellësi të shpirtit sigurinë që kemi se fjala është e domosdoshme. Se transmetimi i një ndjenje sa të thellë, aq edhe universale të kalojë pashmangshmërisht përmes përdorimit të gjuhës. Në të vërtetë, Edward Hopper (1882-1957), nuk kishte nevojë për fjalët. Ishet i vetëdijshëm sesa të shpëtueshme dhe në të njëjtën kohë tradhtare, mund të ishin ato, por edhe sa paradoksale ishte thelbi i tyre: i aftë të kapërcente horizontet e pafundme në disa rrokje dhe po aq të pamjaftueshme, ndonjëherë, për të mbushur boshllëkun e shpirtit. Nga ana tjetër, – deklaronte artisti me origjinë nga Nyack, – nëse fjalët do të kishin qenë të mjaftueshme, sigurisht, nuk do të ekzistonte piktura. Pra, pikërisht në këtë konsideratë na duhet të mbështetemi, nëse duam, qoftë edhe paraprakisht, të kemi fare pak mundësi për t’iu afruar botës së tij. Një botë e krijuar me penelata, që janë himn e dënim për heshtjen, një mistifikim i devotshmërisë sonë të pakufishme ndaj verbales, gjë që na bën të pambrojtur përballë afrimit të mungesës, transmeton ‘konica.al’.
Jo rrallëherë është theksuar fakti se sa i aftë ishte Hopper, për të përjetësuar vetminë amerikane: atë vetëdije të hidhur për një ëndërr të shkërmoqur, fundosjen e një populli të vetëmashtruar, duke ndjekur mirazhet farfuritëse të ofruara nga mirëqenia e viteve 1920 dhe asgjësuar nga kriza e “Wall Street”, pozicionimin dhe tjetërsimin e prodhuar nga frenezia e një kohe gjithnjë e më stresuese dhe çnjerëzore. Mirëpo, pikturat e Hopper-it, si të gjitha veprat e lindura nga një gjeni, përtej skemave, nuk pranojnë t’i nënshtrohen këtij kategorizimi asfiksues dhe, krejt e kundërta, lartësohen në afreske që përshkruajnë mbarë njerëzimin të përballur me paroksizmat dhe pendimet… Janë fragmente të jetës të shkëputur nga mozaiku i ngatërruar i historisë, mikrokozme autentike dhe të nënshtruara, të përfshira në një shoqëri me një natyrë destruktive. Është një bast i rrezikshëm, por i domosdoshëm, ai që artisti amerikan na kërkon ta marrin në konsideratë, një rrugë metafizike që prish premtimet e epokës së përparimit dhe na projekton në një skenar alternativ, ku përgjigjet duket se janë gjithçka veçse të ezauruara.
Nga më shumë se 100 tablo të piktorit, “Summer evening”, realizuar në vitin 1947, është fytyra emblematike e këtij optimizmi melankolik. Në fund të fundit, Hopper nuk është vetëm piktori i heshtjes, por mbi të gjitha piktori i momenteve, artisti që më shumë se çdo tjetër, ka arritur të komunikojë mundësinë e mrekullueshme të shpëtimit nga ajo që na lëndon. Është në momentin kur heqim dorë nga përshtatja ndaj diçkaje, ku nuk e shohim veten, ku pranojmë edhe pasojat e një izolimi të çastit, që të mund të mbështetemi tek e vërteta që na nevojitet. Sekreti nuk është aq shumë të jetosh momentin, por përkundrazi, të jetosh në moment. Gjithashtu, pse jo, në dyshim. Nganjëherë, është mënyra e vetme për të hulumtuar veten.