Egjiptianët janë të bindur: Kanali i Suezit u bllokua nga mallkimi i faraonit

Serinë e ngjarjeve të rënda që kanë pllakosur këto kohë Egjiptin, përfshirë kaosin e krijuar në kanalin e Suezit dhe përplasjen e dy trenave që mori 32 jetë njerëzish, disa i shpjegojnë me mallkimin e një faraoni të famshëm.

Fatkeqësitë e këtyre ditëve, sipas disave, kanë nisur që në momentin që u njoftua se 22 mumje do të transferohen në një muze të ri. Mes të cilave është dhe ajo e Ramsesit të II-të, të konsideruar si faraoni më i fuqishëm.

Bllokimi i çuditshëm i anijes gjigande, “Ever Given” në kanalin e Suezit ndodhi fill pasi u përhap lajmi i transferimit dhe për një javë. Rruga e rëndësishme detare u bë e pakalueshme në të dy drejtimet.

Të premten, përplasja e dy trenave të pasagjerëve solli dhjetëra të vdekur e të plagosur në Tahta. Ditën pasuese, një bllok apartamentesh u shemb papritur duke shkaktuar vdekjen e 18 personave të tjerë.

Kjo është arsyeja përse shumë përdorues të rrjeteve sociale mendojnë se bëhet fjala për një mallkim të shkruar mbi varrin e faraonit. Ku thuhet: “Vdekja do të vijë me krahë të shpejtë për ata që shqetësojnë paqen e mbretit”, shkruan Arab News.

Fansat nxituan ta lidhin legjendën dhe transferimin e mumieve të planifikuar në 3 prill me fatkeqësitë e këtyre ditëve. Sipas tyre, mallkimi mund t’i sjellë sëmundjen apo edhe vdekjen atyre që shqetësojnë mumiet e lashta. Sidomos atë të një njeriu kaq të fuqishëm si Ramsesi i dytë.

Egjiptologu i njohur Zahi Hawass i hodhi poshtë thashethemet duke thënë se nuk ekziston një mallkim i tillë.

Ai shpjegoi në TV Al-Arabiya se vdekja e arkeologëve që kanë zbuluar arkmortet e lashta erdhi si pasojë e mikrobeve, dhe jo legjendave.

Ai këmbënguli se procesi i transferimit të mumieve do të jetë “reklama më e madhe që mund t’i bëhet tani Egjiptit”./topchannel

LEXO EDHE: Nga Nili i Faraonëve, tek zbarkimi i Aleatëve në Sicili: Kur moti ka ndryshuar historinë