Egjiptologët zbulojnë varre të rralla para faraonëve

Arkeologët egjiptianë që punojnë në deltën e Nilit kanë zbuluar dhjetëra varre të rralla paradinastike, që datojnë nga periudha para mbretërive faraonike të Egjiptit, të cilat ‘lindën’ para më shumë se 5 mijë vjetësh.

Përveç kësaj, ata kanë gjetur edhe varreza nga periudha e vonë e hyksosëve (1650 deri 1500 para erës sonë), kur ardhësit nga Azia Perëndimore zaptuan vendin, duke i dhënë fund Mbretërisë së mesme në Egjipt, njofton “Reuters”.

Gjetjet nga provinca Dakahlia, në veri të Kajros, mund të hedhin dritë mbi dy periudha të rëndësishme kalimtare në Egjiptin e lashtë, kanë thënë egjiptologët.

Varret përfshijnë 68 sosh, prej periudhës Buto që filloi rreth viteve 3300 para erës sonë dhe pesë të tjera nga periudha e Nakadas III, e cila ishte veçse pak para shfaqjes së dinastisë së parë në Egjipt, rreth viteve 3100 para erës sonë, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve, transmeton ‘zhurnal.mk’.

Image

Ato përfshijnë edhe 37 varre nga koha e hyksosëve, që fillimisht nisën të migrojnë përmes Sinait në Egjipt rreth viteve 1800 para erës sonë.

“Kjo është një varrezë tejet interesante, për shkak se gërsheton disa prej periudhave të hershme të historisë egjiptiane me një periudhë tjetër të rëndësishme – koha e hyksosëve”, ka thënë Salima Ikram, egjiptologe në Universitetin amerikan të Kajros. “Egjiptologët po punojnë që ta kuptojnë se si egjiptianët dhe hyksosët jetuan bashkërisht dhe në ç’shkallë u mbështetën në traditat egjiptiane”.

Varret e Butos ishin me gropa në formë vezake, me trupa të vendosur brenda në pozitën galiç, kryesisht në anën e tyre të majtë, me kokën e drejtuar në perëndim, thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Disa prej varreve nga periudha e Nakadas përmbanin edhe enë cilindrike në formë dardhe.

Varret hyksose ishin kryesisht gjysmë-drejtkëndore, me trupa të vendosur në pozicion të shtrirë e me kokën e kthyer nga perëndimi.

“Misioni ka gjetur edhe një grup furrash, sobash, mbetje themelesh me tulla prej balte, vazo qeramike dhe hajmali, disa prej të cilave ishin të bëra me gurë gjysmë të çmuar dhe stoli të tilla si vathë”, thuhet në kumtesë.