Ekspertë vendorë e të huaj janë mbledhur në punëtorinë për konservimin e mozaikëve të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Punëtoria udhëhiqet nga ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës të Shqipërisë, Universitetit të Bolonjës, përkatësisht departamentit të Trashëgimisë Kulturore dhe fondacionit “Flaminia”.
Pjesëmarrësit në punëtorinë e konservimit të mozaikëve – “Apoloni 2019” janë duke i ndjekur proceset e dokumentimit dhe konsolidimit të mozaikut, si dhe paneleve të shkëputura në laborator. Të hënën grupi punues ka përgatitur panelet e reja për vendosjen e mozaikut. Procesi fillon me skicimin e formave të mozaikut, që do t’i korrespondojë formave të paneleve të rinj, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas mediave shqiptare në kuadër të kësaj punëtorie, janë kryer edhe dokumentimi fotografik i pjesëve të mozaikut, ndarja në katër seksione për t’u përgatitur në vazhdim për vendosjen në panele dhe pastrimi i pjesëve të mozaikut nga papastërtitë.
“Të rinj italianë dhe specialistë të sistemit të trashëgimisë kulturore kanë nisur Workshop-in në restaurimin e mozaikëve mbi konservimin didaktik të mozaikut të ambientit 11, sektori D të lokalitetit, i cili do të zhvillohet këtë javë”, raporton Agjencia Telegrafike e Lajmeve.
Apolonia llogaritet të ishte një prej vendbanimeve të zhvilluara në fillim të shekullit IV para erës sonë. Gërmadhat e saj u zbuluan në fillim të shekullit XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbetje të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve. Apolonia pas Dyrrahut, ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera që mbanin të njëjtin emër në kohën antike. U ngrit mbi një kodër në një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë lidhej me detin Adriatik. Apolonia ishte një qendër e madhe tregtare dhe industriale. E ngritur në kurrizin e fundit të kodrave të Mallakastrës, me një sipërfaqe rreth 140 hektarë dhe e rrethuar me një mur rreth 4 kilometra të gjatë, Apolonia mbizotëronte pothuajse krejt hapësirën e gjerë që shtrihej buzë detit Adriatik. Kjo fushë e formuar nga vërshimet e lumit Seman dhe Vjosë ka qenë një nga rajonet më pjellore të Fushës së Myzeqesë.