Ekspozitë me dokumente historike, në prag të 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës

“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” titullohet ekspozita e çelur në Prizren nga dy institucionet arkivore homologe në hapësirën shqipfolëse, në prag të 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), kanë shpalosur një sërë dokumentesh në lidhje me historikun e vendit dhe figurat me kontribut të konsiderueshëm në çështjen kombëtare.

Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912. Në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë.

Ekspozita po zhvillohet në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti” dhe do të jetë e hapur për publikun deri më datë 18 shkurt 2022./ATSH


Lexo edhe:

DOKUFEST ME PROGRAM TË VEÇANTË PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS