Ekspozitë në ObserverKult: Bleron Çaka, fotograf

Në rubrikën Expo, ObserverKult ua prezanton fotografin, Bleron Çaka

Bleron Çaka është fotograf i gjeneratës së re në fotografinë shqiptare, veprimtaria fotografike e të cilit është e përqendruar kryesisht në peizazh.

Bleroni ka filluar të ushtrojë fotografinë qysh në moshën 17-vjeçare si nxënës i shkollës së mesme në qytetin e tij të lindjes, Vushtrrinë.

Artin fotografik e ka përvetësuar si autodidakt duke e trajtuar atë fillimisht si pasion gjatë fotografimit të peizazhit të bukur të Kosovës që e haste në ecjet dhe ngjitjet e tij nëpër bjeshkët e pafundme që ka ky vend.

Më vonë, Bleroni mori mësime edhe nga kurset e ligjëratat online nga fotografë me famë botërore dhe kjo e pasuroi punën e tij si në aspektin konceptual por edhe teknik.

Pas këtij formësimi profesional që nënkupton edhe procesin e editimit të fotografisë, Bleroni filloj të realizojë peizazhe edhe nëpër vende të ndryshme botërore.

Ai po aq mirë sa aparatin fotografik e përdorë edhe dronin me të cilin piloton për mrekulli duke krijuar veç fotografi edhe videomateriale mbresëlënëse nga secili vend që e viziton gjatë udhëtimeve të tij të shpeshta.

Kur shef peizazhet e Bleronit të cilat të përmbushin si në aspektin kompozicional e konceptual poashtu edhe në aspektin teknik s’ka se si nuk sjellë ndërmend peizazhistin ma të madh në botë, amerikanin Ansel Adams i cili falë kreativitetit të tij të skajshëm i ka lanë historisë fotografi të paharrueshme nga bjeshkët madhështore të Kolorados, e i cili nuk ka fare dyshim se është frymëzuesi i pashtershëm i fotografit të ri, që aktualisht konsiderohet si pjesë e ajkës fotografike shqiptare.

Bleroni, gjatë karrierës së tij 13-vjeçare ka qenë pjesë e shumë ekspozitave fotografike si në vend poashtu edhe jashtë tij shpesh i nominuar për çmime kryesore në ato. Po përmendim këtu Çmimin e Parë në Konkursin Ndërkombëtar të fotografisë artistike, Pre-foto.

Më poshtë mund të shihni edhe disa fotografi tjera të realizuara nga Bleron Çaka:

LEXO EDHE: EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: GRETA TAHIRAGA, PIKTORE