Ekspozitë në ObserverKult: Erblina Karaliti, piktore (Foto)

Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me punimet e saj artistike, piktoren Erblina Karaliti.

Erblina Karaliti ka lindur në Ferizaj. Me art dhe pikturë ka filluar të merret që nga shkolla e mesme.

Gjatë kësaj kohe ka marrë pjesë në MuralFest Kosova, ku siç thotë, Erblina, “kam mësuar shumë praktika artistike, siç janë muralet, ekspozitat, kolonitë etj”.

Po në këtë periudhë ka qenë pjesëmarrëse në ekspozita të ndryshme kolektive, ndër më të veçantat janë:

Ekspozitë kolektive, ’99-19’ ku si koordinator i kësaj ekspozite ishte fotografi ynë i mirënjohur Hazir Reka. Kjo ekspozitë u hap në Galerinë e Arteve në Ferizaj në vitin 2019 dhe qëllimi i saj ishte përkujtimi i luftës edhe përmes pikturave.

Pas kësaj Erblina Karaliti ishte pjesë e ekspozitës kolektive me temën Toleranca, 2019  e hapur poashtu në Galerinë e Arteve në Ferizaj.  Piktura me temën “Toleranca”  e punuar nga kjo krijuese u ekspozua edhe në Gjenevë në fund të vitit 2019.

Pas përfundimit të shkollës së Mesme të Arteve “Çesk Zadeja”, në Ferizaj në vitin 2019, filloi studimet për art në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve të Bukura, në drejtimin e Artit konceptual dhe media të reja.

“Që nga kjo kohë krijimtarija ime artistike shtrihet përpos pikturës edhe në teknika tjera siç janë fotografitë, videot, instalacionet, ilustrimet e ndryshme, etj”, pohon Erblina Karaliti.

Në qershor 2021, për nder të Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Malishevës, ishte pjesë e ekspozitës së organizuar në Galerinë e qytetit të Malishevës “Jahir Mazreku“.



Erblina kohën e fundit është duke realizuar piktura me stile të ndryshme, ku si për temë ka “Ndryshimin e Klimës”.

“Përpos pikturave të cilat jam duke i realizuar,  jam duke bërë edhe hulumtime të ndryshme për këtë temë, sepse kam si synim që këtë temë ta zgjerojë përpos pikturave edhe në mënyra të tjera”, tha piktorja Erblina Karaliti.

ObserverKult


Lexo edhe:

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: VALDETA IBISHI- PIKTORE (FOTO)