Ekspozitë në ObserverKult: Iden Temali, fotografe (Foto)

Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me fotografitë e saj artistike, fotografen, Iden Temali:

Iden lindi në qytetin e mrekullueshëm të Shkodrës. Prindërit e saj e pagëzuan me emrin e bukur Iden (Eden) sepse për ato ishte kopshti i bukur i parajsës në tokë. Nga Alfredi mori gjenin e artit që ai e trashëgonte nga gjyshi i tij Zef Temali, një piktor dhe skulptor i shkëlqyer. Jo vetëm kaq, por Zefi ai ishte edhe një ortoped popullor i cili me talentin e tij krijonte proteza ose edhe gjymtyrë druri për të ndihmuar njerëzit që kishin nevojë.

Për Idenin të jetonte e rrethuar mes vepra arti ishte diçka krejt normale, ishte një stil jete, dhe kjo nguliti në brendësinë e saj të bukurën dhe estetikën.

Në vitin 1997 si rezultat i trazirave politike, prindërit e saj vendosën të emigrojnë familjarisht në Greqi dhe qëndrojnë në Athine per 7 vite. Iden kujton ato vite të fëmijërisë si: “vitet që me rriten para kohe, por që më mbushen me eksperienca dhe me elemente të bukura jetën time. Njoha kulturën, traditën dhe artin grek i cili pa dyshim ndikoj në edukimin dhe formimin tim”.

Pas kthimit nga Greqia bashkë me familjen në vitin 2004, vazhdoj studimet e përgjithshme dhe më pas Universitetin “Luigj Gurakuqi” në degën e Arteve.

Me natyrën e eksperimentale, shpirtin artistik, dashurinë për gjithçka që e rrethon e frymëzuan të ndjekë me shumë pasion rrugën e artit, e veçanërisht fotografinë.


Iden shprehet: “Fotografia me jep një emocion të veçantë. Ajo që unë shikoj, që ndjej, që përjetoj dua ta transmetoj. Brenda shkrepjeve gjen botën, ëndrrat, dështimet, shpresën, lumturinë, dhimbjen, kritikën, protestën etj. Është një armë e fortë, por gjithmonë paqësore, dhe për këtë arsye pasioni, profesioni dhe përgjegjësia sociale u njësuan tek unë nëpërmjet fotografisë”.

Edhe pse e re, ishte një ndër të parat vajza që u angazhuan me artin e fotografisë në Shkodër dhe që mori pjesë aktive në zhvillimet kulturore të kohës.


Fituese e shumë çmimeve si: çmimi i parë në ekspozitën “Në gjurmët e Marubit” organizuar nga Teatri Migjeni; Çmimi i parë në ekspozitën “Shkodra flet dhe 100 vjet pavarësi” në Teatër “Migjeni”.

Fituese e çmimit të tretë në ekspozitën internacionale “Pre Foto”, pjesëmarrëse si përfaqësuese e Shqipërisë në Bienalen e studentëve në Novi Sad edhe e nominuar në listën e ngushtë për Çmimet. Pjesëmarrëse në shumë ekspozita të tjera brenda dhe jashtë vendi si ajo e javës kulturore në Austri, Vernisage.

Në nëntor të vitit 2021 bëri një bashkëpunim me “Qendrën Sociale Hapat e Lehtë” realizoj projektin “Unike”, dhe së fundmi fitoi çmimin si “Artistja e re më e mirë” ne sallonin e vjeshtës e organizuar ne Shkodër në nëntor 2021, i kuruar nga Ardjan Isufi dhe Elton Koritari.

Përgatiti: Valon Krasniqi- ObserverKult

———————————————-

Lexo edhe:

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: AGRON SEJDIU, DIZAJNER, KARIKATURIST (FOTO)

ObserverKult