Ekspozitë në përkujtim të Mitrush Kutelit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, përkthyesit dhe kritikut letrar, Mitrush Kuteli (1907-1967), çeli sot një ekspozitë në përkujtim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e letrave shqipe, përkthimit, folklorit, kritikës letrare, por edhe në fushën e ekonomisë.

Kjo ekspozitë ndërton rrugëtimin e veprës së tij, e cila zë fill në fundin e viteve ’20 në gazetën “Shqipëria e re” të Kostancës, e më pas me botimet e para si tregimtar, si: “Netë shqiptare” (1938); “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943); “Fshati im e pi rakinë” (1943); “Kapllan Aga i Shaban Shpatës” (1944); “Sulm e lotë” (1944); “Havadan më havadan” (1944); “Këngë e brithma nga qyteti i djegur” (1944); botimet kritike mbi Fan Nolin, Lasgush Poradecin, por edhe për folklorin. Përmbledhja kritike “Shënime letrare” (1944) konsiderohet si libri i parë i kritikës letrare shqiptare.


I diplomuar në fushën e ekonomisë, me titull “Doktor i Shkencave Ekonomike”, shkroi dhe botoi vepra për problemet ekonomike të Shqipërisë dhe Ballkanit, si: “Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare” (1932); “Bankat bujqësore të shteteve të Ballkanit” (1933); “Shënime ekonomike” (1944) etj.

Kjo ekspozitë sjell në vëmendjen përkthimet mjeshtërore të autorëve të letërsisë botërore klasike dhe bashkëkohore, si: M. Gorki, N. Gogol, A. S. Pushkin, I. Turgeniev, M. Shollohov, P. Eluar, M. Sadoveanu, P. Neruda etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore.

ObserverKult

——————————-

Lexo edhe:

MITRUSH KUTELI, I BURGOSURI I DIKTATURËS ME AKUZËN “ARMIK I POPULLIT”

Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi ekonomistin, shkrimtarin, publicistin dhe përkthyesin e spikatur, Mitrush Kuteli.

Mitrush Kuteli, pseudonim i Dhimitër Paskos, ekonomist, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, i spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Ai mori vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU