Ekspozitë retrospektive me punimet e artistit të ndjerë nga Kumanova, Rexhai Hyseni-Xhai

Sonte në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga ora 20:00 hapet ekspozita retrospektive monografike e artistit Rexhai Hyseni.

Rexhai Hyseni (1939 – 2018), është autor, krijimtaria e përgjithshme e të cilit, paraqet një segment të rëndësishëm të artit kontemporar, i lidhur me ndikimet pas-kubiste.

Edhe pse në suazat lokale dhe kombëtare (madje dhe ato ish-jugosllave, sidomos midis gjeneratës së mesme dhe asaj më të moshuar), për shkak të veprimit aktiv nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, e deri në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, është shumë i njohur dhe i respektuar, megjithatë mund të konstatohet se vendi dhe roli i tij nuk janë theksuar dhe eksponuar mjaftueshëm.
Me ekspozitën retrospektive, në mënyrë më gjithëpërfshirëse, për herë të parë, përpara audiencës më të gjerë kulturore, do të prezantohet krijimtaria e Rexhai Hysenit, si një krijimtari e vlefshme e artit figurativ.
Në këtë ekspozitë do të ketë rreth dyzet krijime vizatimore, të periudhave të ndryshme kohore dhe teknika në të cilat ka krijuar dhe Rexhai Hyseni. Të gjitha këto do të qëndrojnë në ambientet e Çifte Hamamit deri më datën 8 tetor 2019.

Rexhai Hyseni u lindur në shkurt të vitit 1939 në fshatin Mateç të Kumanovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, shkollën normale, në Shkup, në vitin 1958. Akademinë Pedagogjike – edukimin figurativ me historinë e artit, e kreu në Shkup në vitin 1965, në klasën e Vangjell Koxhoman, profesor dhe pedagog i artit figurativ dhe piktor. Anëtar i SHAFM (Shoqata e Artistëve Figurativ të Maqedonisë) dhe BAFJ (Bashkësia e Artistëve Figurativ të Jugosllavisë) në vitin 1969.

Ka realizuar ekspozita të pavarura: Preshevë – 1968, në gjimnazit “Skënderbeu”, me 22 piktura vaj në pëlhurë; Kumanovë, Galeria e artit 1969 – 1971; Shkup, në lokalet e Teatrit të kombësive në korrik 1969; Beograd, më 1969 ekspozitë e përbashkët me piktorin Mexhid Bajrami, me nga 20 krijime artistike, vaj në pëlhurë, në lokalet e shtëpisë së punëtorëve “Gjuro Sallaj”; Ekspozitë në grupe me piktorët: Adem Kastrati nga Shkupi, Mexhid Bajrami nga Kumanova, Sulejman Lokaj nga Shkupi – ekspozitë në Ulqin – Mal të Zi më 1969, në lokalet e Kuvendit komunal ( ekspozoi në cilësinë e anëtarit të SHAFK-së); ekspozita në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Prilep, Shtip, Gjevgjeli, Ohër, Vranjë, Leskoc dhe Varazhdin, si anëtar i shoqatës “Zef Kolombi” nga Ferizaj; Ekspozita në Ferizaj, Gjilan, Prishtinë dhe Tiranë, Shqipëri si anëtar i SHAFM prej vitit 1969. Ka marrë pjesë në ekspozitat vjeshtore që i organizoi shoqata (SHAFM): Vitin 1972 – Gruaja si inspirim i artistit, Shtëpia e armatës, Shkup; Viti 1973 – Cetinjë, salloni “13 Nëntor”; Viti 1973 – Prilep “100 vite kombinati i duhanit etj. Ka marrë shumë çmime, duke përfshirë edhe Çmimin shtetëror “23 Tetori”. / ObserverKult