Ekspozohen fotografi historike të së kaluarës së Shqipërisë

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me rastin e Javës Kulturore Kineze u çel ekspozita e fotografive historike kino-shqiptare. Përmes fotove, kjo ekspozitë pasqyron miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy popujve.

Ekspozita u çel në praninë e personaliteteve nga fushat e artit dhe diplomacisë, si dhe të të ftuarve dhe qytetarëve nga Tirana.

I pranishëm në këtë veprimtari, ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, Zou Ding, shprehu mirënjohjen për realizimin e kësaj ekspozite fotografiko-historike, ku janë fiksuar çaste mbresëlënëse dhe të çmuara nga miqësia mes dy vendeve tona.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, tha se është nder dhe kënaqësi që hapja e Javës Kulturore Kineze përurohet në Muzeun Historik Kombëtar.

Më tej ai vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina janë dy partnerë të rëndësishëm edhe në fushën e artit e të kulturës, duke nënvizuar se, herë pas here, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, në Muzeun Historik Kombëtar janë organizuar mjaft veprimtari që kanë bërë të njohura për publikun thesaret e trashëgimisë kulturore.

Ambasadori kinez shpërndau gjatë kësaj ceremonie një album grafikësh e skulpturash të “Skulptorit të Popullit”, Mumtas Dhrami, album i realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Kinës dhe që përmbledh punë të artistit, të realizuara gjatë qëndrimit të tij në Republikën Popullore Kineze, në 1967, transmeton ‘ATSH’.

“Ftuam posaçërisht z. Dhrami, skulptorin dhe piktorin e njohur që mori pjesë në 18-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 1967, për të ardhur në skenë dhe për të na sjellë albumin e tij të shkëlqyer. Kanë kaluar 55 vite nga vizita e fundit e z. Dhrami në Kinë.

Kina ashtu edhe Shqipëria kanë patur ndryshime të tyre, por miqësia mes dy vendeve është mbetur të palëkundur dhe bërë edhe më të fortë me kalimin e kohës”, u shpreh ambasadori kinez.

Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur për vizitorët përgjatë gjithë javës kulturore kineze.


Lexo edhe:

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR, VENDI KU STREHOHEN RRETH 5000 OBJEKTE TË RËNDËSISHME

ObserverKult