Lexuesit e vizitorët e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nga e enjtja mund të mësojnë më shumë për një histori tersi sa i përket letërsisë shqiptare për gati gjysmëshekulli. Në hollin e institucionit më të lartë bibliotekar në Shqipëri janë ekspozuar librat e ndaluar gjatë pushtetit komunist. Midis veprave letrare janë edhe dorëshkrime, pjesë të librave që ishin konsideruar të papërshtatshme për botim, pasi nuk ishin në frymën e realizmit socialist e edhe vepra për të cilët ata që i mbanin mund të dënoheshin.
Ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm” është hapur për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të “Muajit të kujtesës”. Sipas organizatorëve, vlera e veçantë e kësaj ekspozite qëndron në faktin se krahas ekspozimit të librave të ndaluar, ajo shoqërohet dhe me një sërë dokumentesh arkivore lidhur me politikat, udhëzimet, urdhrat për ndalimin e librave, të mundësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit.
“Kjo ekspozitë skicon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore të urdhëresave mbi ndalimin e qarkullimit të botimeve, fshirjen e emrave të redaktorëve, ose të përkthyesve, hedhjen e librave për karton, pezullimin dhe ndalimin e botimit të autorëve të shpallur si armiq, pastrim të botimeve nga elementët armiq, autorë shqiptarë dhe të huaj, botime brenda Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj”, shkruhet në sqarimin që ka bërë BKK-ja për ekspozitën. Se si pushteti komunist e konceptonte letërsinë shfaqet nëpër letra të shkëmbyera midis atyre që ishin mbikëqyrës të botimeve. Aty vërehen qartë censura dhe mundësia e një grupi të vogël njerëzish që të kontrollonin se çfarë duhet të shkojë e çfarë nuk duhet të arrijë në duart e lexuesve.
Në kuadër të “Muajit të kujtesës”, të iniciuar nga Ministria e Kulturës, një ditë para Bibliotekës një ekspozitë e ka organizuar edhe Muzeu Historik Kombëtar. Në sallën që është në hyrje të objektit zënë vend gjësende personale të personave që kanë vuajtur nga regjimi komunist, si dhe pikturat e shkodranit Lekë Tasi. Në këtë aktivitet me karakter historik e përkujtimor ishin të pranishëm drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, i cili ka thënë se është një kënaqësi e veçantë zhvillimi i këtij aktiviteti. Ka falënderuar Lekë Tasin si një mik të Muzeut Historik Kombëtar, për dëshmitë që ai ka lënë në librin e tij të njohur “Grabiani rrëzë kodrave”.
“Në këtë libër tregohet një nga historitë më të dhimbshme të persekutimit komunist, është ajo e vërtetë jo fort e largët, që është përjetuar, është jeta e atyre familjeve që vuajtën në Shqipëri”, ka thënë Koçi. Piktori ishte i internuar në kampin e Grabianit që gjendej midis Parkut Kombëtar të Karavastasë e qytetit të Lushnjës. Tasi ka thënë se libri i tij pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar.
“Libri është një pasqyrë e gjallë, me të vërteta tronditëse, që asnjëherë ata që i kanë provuar s’kanë për t’i harruar, çka të mban të mbërthyer e gjithë ankth, për episodet nga jeta reale, të paraqitura rrjedhshëm, thjesht e me një të vërtetë absolute, në atë realitet aq të dhimbshëm e të tmerrshëm”, ka thënë autori i pikturave që paraqesin kampin famëkeq.
Muaji shkurt nga Qeveria shqiptare është caktuar si “Muaji i kujtesës” gjatë të cilit janë kujtuar segmente të ndryshme të jetës nën diktaturë.