Doli nga shtypi libri Ekuilibri letrar (2023), i studiuesit e profesorit të letërsisë Nysret Krasniqi, botim i ASHAK-ut, i cili bërthamë të studimit e ka “mbrojtjen” e ligjësive specifike të letërsisë.
“Etikë e intencë e tij është konceptualiteti estetik i artit letrar si fenomen primordial i qenies për ta ruajtur dhembjen shpirtërore. Dhembjet shpirtërore marrin forma individuale me trashëgimi arketipore në vepra letrare, për t’u shndërruar në kujtesë e rikujtesë universale.
Kujtesa dhe rikujtesa, kur jetësohen në vepra artistike e ruajnë misterin e vetërregullimit dhe të shndërrimit të tyre në simbol, figurë apo në kratilizëm. Në këtë libër diskutohet prania e fenomenit të ndërhyrjes pikërisht në natyrën vetërregulluese dhe evolutive të shprehjes letrare si kujtesë, e cila botën letrare e ka shtyrë drejt konfliktit me arbitraritetin e filozofemave të autoritetit.
Gjithashtu, në këtë libër argumentohet se si konceptet filozofike shpeshherë janë shndërruar në forma dhe doktrina autoritare, madje janë kthyer në ideologema dhe aparate politike, të cilat e kanë prerë evolucionin autonom letrar me synimin e kthimit të artit letrar në mjet pragmatik-propagandues si politikë që aspiron të renë progresiste.
Si rrjedhojë, argumentohet se insistimi në të renë progresiste, i mbrujtur me konceptet filozofike të dyshimit, shpeshherë e ka mohuar vetëdijen për gnosisin letrar dhe ka ndikuar në çekuilibrime të ligjësive specifike letrare.
Për pasojë, misteri primordial i artit për ta ruajtur kujtesën është shndërruar në mjet për ta mbjellë harresën.
Libri propozon ruajtjen e ekuilibrit letrar dhe këtë intencë e dëshmon nëpërmjet analizës fenomenologjike të letërsisë dhe të kulturës shqipe, por edhe me diskutime filozofike-teorike si spektër i ndikimit”, shkruan Krasniqi, në njoftimin për botimin e librit.
Autori Nysret Krasniqi është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Që nga viti 2006, në fillim në cilësinë e asistentit pastaj të profesorit, ligjëron lëndë nga letërsia shqipe, kritika dhe teoria letrare, në nivelet e studimeve Baçelor, Master dhe në Shkollën doktorale në Fakultetin e Filologjisë.
Ka botua këta libra shkencorë:
- Rrëfimi dhe shkrimi, AIKD, Prishtinë, 2003;
- Libri i Pashkut, Buzuku, Prishtinë, 2005;
- Udha kratilike, AIKD, Prishtinë, 2008;
- Teori dhe kritikë moderne (antologji e përkthimeve teorike-filozofike), Rozafa, Prishtinë, 2008;
- Autori në letërsi, AIKD, Prishtinë, 2009;
- Epistemë letrare, AIKD, Prishtinë, 2010;
- Sabri Hamiti, AIKD, Prishtinë, 2011;
- Harta letrare, Cuneus, Prishtinë, 2014;
- Letërsia e Kosovës 1953-2000, AIKD, Prishtinë, 2016;
- Histori e letërsi nacionale, AIKD, Prishtinë, 2018;
- Thymos – identitet dhe letërsi shqipe, AIKD, Prishtinë, 2019.
ObserverKult
Lexo edhe: