Ekzistencializmi si revoltë ndaj filozofisë tradicionale


Filozofi Jean Paul Sartre, tek vepra ‘Qenia dhe Hiçi’ do’ ti përmend dy koncepte të cilat mes tjerash do ta përshkruajnë raportin mes Ekzistencializmit dhe Filozofisë Tradicionale. Këto koncepte tashmë janë shumë të njohura: “Qenia në vete’ dhe ‘Qenia për vete’. Një zbërthim i këtyre koncepteve do të ndihmojë në kuptimin rrymës së Ekzistencializmit dhe qartësimin e rolit që kjo rrymë luajti në revoltën ndaj filozofisë tradicionale.

Nga Ardian Batusha

QENIA NË VETE

Filozofia tradicionalisht është kuptuar si një përpjeke e filozofëve për të zbuluar esencën e realitetit, botës apo ekzistencës. Me fjalë tjera, filozofët përmes të menduarit spekulativ (jo shkencor) kanë bërë përpjekje për të gjetur esencën e realitetit të jashtëm (objektiv). Tek Platoni kjo esencë e realitetit ishte ‘Idea’, tek Aristoteli njihet si ‘Lëvizësi i palëvizshëm’, tek Spinoza ishte “Substanca”, tek Kanti njihej me nocionin “Noumena”, apo tek Schopenhauer si ‘Vullneti’.
Të njëjtën gjë e bënë edhe filozofët parasokratik por në formë pak më primitive, ku sipas Talesit esenca e realitetit ishte “Uji’, apo për Heraklitin ishte ‘Zjarri’.
Të gjitha këto koncepte (uji, zjarri, idea, substanca, noumena, vullneti, etj) i bashkonte një gjë: Cilësitë e tyre. Cilat janë këto cilësi?
1.) Pa krijueshmëria dhe 2.) Pa shkatërrueshmëria.
Pra, këto elemente as nuk mund të krijoheshin dhe as nuk mund të shkatërroheshin por eventualisht mund të ndryshonin vetëm trajtën. Të njejtat cilësi do ti gjejmë edhe tek religjioni kur flet për cilësitë e Zotit. Dhe Zoti poashtu është i pakrijueshëm dhe i pashkatërrueshëm. Si rjedhojë, të gjitha këto elemente apo forma atomike të realitetit kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë (në përjetësi). Kjo pra është pak a shumë ajo që njihet si ‘qasja esencialiste’ në filozofi që praktikisht është qasja dominante deri me shfaqjen e Ekzistencializmit. Dhe nëse kthehemi tek Sartre, koncepti ‘Qenia në vete’ ka pikërisht këtë kuptim, të një realiteti që ka ekzistuar gjithnjë dhe do të vazhdojë të ekzistojë në përjetësi pavarësisht njeriut dhe ku edhe vetë njeriu është pjesë e këtij realiteti. Qenia në vete është esenca e realitetit, qoftë në formën e idesë, substancës, vullnetit apo edhe vet Zotit.
Në të njejtën frymë filozofët do ta trajtojnë edhe natyrën e njeriut. Ta zëmë tek Hobbes natyra njerëzore është egoiste (e ligë), tek Ruso natyra e njeriut është ‘e mirë’, njësoj është edhe tek Locke. Filozofët jo vetëm që tentuan ta spjegojnë realitetin objektiv, botën e jashtme, por me këtë qasje esencialiste tentuan ta spjegojnë edhe botën e brendshme të njeriut, apo natyrën e tij. Kjo qasje në raport me natyrën njerëzore është qasje deterministe (përcaktuese). Pra njeriu është kështu apo ashtu dhe nuk mund të jetë ndryshe, por vetëm mund ta menaxhojë natyrën e tij ashtu si është, ku nëse e marrim shembullin e Hobbes, njeriu nga frika e krijoi shtetin. Shteti nuk paraqitet si përpjekje për ta ndryshuar natyrën egoiste njerëzore, por vetëm si aparat për ta menaxhuar këtë natyrë. Në instancë të fundit kjo qasje mund të thuhet se e trajton njeriun si qenie jo të lirë, ose në rastin më të mirë si qenie e lirë por vetëm si pjesë përbërëse e univerzales (Hegel).
Por e kundërta do ndodhte me Sartre dhe ekzistencializmin. Ata do ta promovonin njeriun si qenie të lirë, por që megjithatë ka potencial të skllavërohet. Liria tek ekzistencializmi nuk është liri si pjesë e univerzales, por tashmë vet individi është një univers, si rejdhojë liria është brenda njeriut. Përderisa me qasjen tradicionale Universi ekzistonte jashtë në pritje për tu zbuluar, me Ekzistencializmin zbulohet një Univers paralel por tash në brendi të njeriut. Për ta sqaruar këtë do të kalojmë tek koncepti tjetër “Qenia për vete.”

QENIA PER VETE

Pikënisja e Ekzistencializmit është se esenca apo ajo që më lartë u quajt si ‘Qenia në vete’ nuk ka fare rëndësi nëse ekziston dhe nëse eventualisht ekziston në çfarë forme ekziston? Ekzistencialistët fare nuk merren me ‘qenien në vete’, ata nuk pretendojnë të japin përgjigje mbi esencën e realitetit. Prandaj tek këta mendimtarë nuk do të gjesh asnjëherë të vërteta absolute as mbi realitetin objektiv, por as mbi natyrën njerëzore. Për ekzistencializmin nuk ka një natyrë njerëzore statike, të palëvizshme dhe të përhershme. Ekzistencializmi fokusohet tek problemet e ekzistencës ashtu si na paraqiten ato në jetën e përditshme.
Cfarë i bie të jetë ‘Qenia për vete’?
Qenia për vete, paraqet përjetimin subjektiv të realitetit. Përjetimi si koncept është diametiralisht i kundërt me qasjen tradicionale të filozofëve. Përjetimi nuk është as koncept shkencor, as spekulativ, dhe as nuk pretendon të shpjegoj realitetin. Përjetimi është koncept i pastër individualist që do ta pushtoj çdo njeri në këtë botë. Me të drejtë thuhet se: “Përderisa filozofia tradicionale tenton ta spjegoj botën, ekzistencializmi vetëm e përshkruan atë.” Në këtë drejtim ne gjejmë vepra letrare apo ese të mbushura me përjetime e përshkrime të botës së brendshme të njeriut. Mjafton të kujtojmë kryeveprat e Dostojevskit, Tolstoit, Kafkës, Hesses, Thomas Mann, apo edhe të Albert Camus e Sartre.
Ekziston një marrëveshje që fillet e ekzistencializmit i gjejmë tek Soeren Kierkegaard. Një gjë e tillë ndodh sepse përmes Kierkegaard për herë të parë ne do to njihemi me koncepte si: Ankthi, pakuptimësia, tjetërsimi, alienimi, boshllëku ekzistencial, etj. Për të vazhduar tutje në histori me koncepte si absurdi, neveria, etj. Të gjitha këto koncepte (përjetime) kanë të përbashkët faktin se burojnë nga brendia e njeriut, pra janë thelbësisht përjetime individuale. Ekzistencializmi për dallim nga rrymat tjera nuk paraqet një shkollë, as nuk paraqet një sistem mendimesh apo konceptesh, ekzistencializmi më shumë duhet kuptuar si shqetësim i brendshëm i njeriut, apo si komunikim i shqetësimeve të brendshme në këtë botë të pakuptimtë.
Qëllimi primar i ekzistencializmit është ta zhvesh njeriun nga të vërtetat absolute, ta hudh në pakuptimësi dhe pastaj ta nxis atë që të ndërtojë kuptimin për veten. Ekzistencializmi nuk ka për qëllim ta lërë njeriun në boshllëk sic shpesh keqkuptohet, por përkundrazi. Pra me fjalë të Nietzsches, për të ndërtuar veten ne fillimisht duhet ta mohojmë veten. Ta mohojmë historinë dhe moralin 2000 vjecar mbi veten tone dhe pastaj të ngrihemi mbi hirin e vetes për ti dhënë kuptim ekzistencës, apo tek Nietzsche për të arritur ‘mbinjeriun’.
Në këtë frymë duhet kuptuar edhe koncepti i absurdit tek Albert Camus. Sipas Camus absurdi nuk ekziston vetëm tek njeriu apo vetëm tek bota, por absurdi si një gjendje boshllëku, pakuptimësie, ekziston vetëm si raport mes njeriut dhe botës. Mes kuriozitetit dhe dëshirës së natyrshme të njeriut për të ditur dhe heshjtes së botës. Heshtja e botës metaforikisht paraqet esencën e realitetit. Pra kur njeriu përballet me pamundësinë e gjetjes së një kuptimi absolut jashtë tij, diku në botë, dhe në anën tjetër nga brendia e tij ai nxitet që ta mbush jetën me kuptim, na shfaqet absurdi si një boshllëk i madh ekzistencial. Gjendja e absurdit në të njejtën kohë është edhe gjendje lirie sepse paraqet vetëdisimin e njeriut se kjo botë dhe ky realitet nuk ka kuptim absolut (ashtu si na është mësuar historikisht) dhe na mbetet neve që këtë boshllëk ta mbushim me kuptim. Tek Camus këtë përpjekje për ti dhënë kuptim të pakuptimtës e gjejmë tek personazhi i Sizifit.
Për fund, dhe ndoshta më e rëndësishjma, elementi kryesor që e mundëson vetëdisimin e njeriut për pakuptimësinë e ekzistencës është ballafaqimi me vdekjen. Ballafaqimi me vdekjen apo me hicin, tek njeriu krijon gjenjde ankthi dhe frike. Vdekja parë nga këndvështrimi ekzitencial nuk është një dënim për njeriun, por përkundrazi një mundësi për tu zhvilluar, për të lëvizur, angazhuar dhe përmbushur. Vetem përmes përplasjeve ekstreme mund të zhvillohet jeta. E cfarë kuptimi do të kishte jeta nëse nuk do të ishte vdekja? Këto përplasje ekzistenciale tek njeriu në fakt vetëm sa mundësojnë që të mbijnë filizat e jetës. Vdekja është bekimi më i madh që mund të kërkojmë. Jo pa shkas të gjithë mendimtarët ekzistencial e kanë patur vdekjen si pikën qendrore në veprat e tyre.

ObserverKult