Elbasan/ Legjenda e dhimbshme: Së pari vdiq djali e pastaj edhe vasha që e dashuronte e mbyti veten…

Në qytetin e Elbasanit në verilindje të tij, ndodhet një majë mali që quhet “Mali i Vashës”, legjendën e të cilit ua sjell ObserverKult.

“Të dy ishin të rinj të dashuruar me vështrim të parë. Ngaqë njëri ishte i vobektë dhe tjetra ishte e bija e një të pasuri, pengoheshin ta kurorëzonin këtë dashuri. Të dy vuanin në heshtje pasojat e dashurisë dhe nuk shihnin asnjë rrugë bashkimi veç vetëvrasjes. Por ja, pleqësia e fshatit mori një vendim për t’u ardhur në ndihmë të rinjve, por që rëndonin mbi djalin, që sapo kishte hyrë në moshën e burrërisë.

Në atë kohë një burri që i nënshtrohej tekave të gruas, edhe kafenë ia jepnin në gjunjë. Kurse në këtë rast ishte vendosur që sipas kërkesës së babait të vajzës, djaloshi duhej ta mbante në krahë të dashurën që nga këmbët e malit e deri në majë pa ndalesë, e cila edhe pa peshë, mezi ngjitet.

Kushti u pranua menjëherë nga i riu, që ishte i gatshëm për çdo sakrificë. Ndërsa pleqësia e fshatit Polis u mblodh për të ndjekur nga afër zbatimin e kushtit. Pas së cilit do të caktohej edhe dita e dasmës së të rinjve.

Në metrat e parë të asaj ngjitjeje djali fluturonte, por nuk vazhdoi gjatë. Pleqtë shihnin me shqetësim se si hap pas hapi djalin po e linin forcat. Dhe e nxisnin që nga poshtë duke i thënë “edhe pak, edhe pak, pothuajse arrite”.

Dhe djali arriti, por në momentin e fundit nga lodhja e madhe, zemra i pushoi së rrahuri. Për t’i qëndruar besnike kësaj dashurie me sakrificë supreme, vajza nuk pranoi tjetër fat, veç vdekjes së lumtur dhe një dashurie të përjetshme. Kështu vasha u hodh nga maja e thepisur e malit, rreth 700 metra të lartë në greminë. Nga aty mori emrin Mali i Vashës dhe per historinë që personifikon.”

ObserverKult


Lexo edhe:

Legjenda “e tmerrshme” e Gurit të Përmetit, Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe…