Elhaida Dani për një kohë të gjatë ka qëndruar larg vëmendjes mediatike, duke u rikthyer në ekran për të dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Soiree”. Këngëtarja e njohur që ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në “Eurovision”, foli gjatë për karrierën e saj muzikore.
Ajo u ndal në momentet më të rëndësishme për të rikujtuar edhe njëherë ato emocione që padyshim kanë shënjuar në jetën e saj. Njihet si vajza e fitoreve, e cila kudo shkel rrëmben gjithmonë çmimin e parë, por Elhaida tregoi se edhe ka humbur në fillimet e saj dhe sigurisht nuk e ka përjetuar aspak mirë.
Këngëtarja tregoi se me pjesëmarrjen e saj tek kompeticioni muzikor “Ethet” është përballur me dështimin e saj të parë dhe aty mendoi që muzika nuk është arma e saj më e fortë.
“Ishte një dështim total për mua si Elhaida, sepse ishte hera e parë që them që nuk jam vetëm vajza që i bie pianos, klasike në shkollë, por jam edhe ajo këngëtarja. U eliminova raundin e dytë. Këtë gjë nuk e tregoj shpesh, por ja do ta tregoj sot. Ndodhi që kishte këngëtarë shumë të mirë. Atë vit konkurronin Xhensila Myrtezaj, Kejsi Tola, Dorina Garuci. Kishte disa emra vërtet shumë të mirë që këndonin me vite, goca skene. Unë sapo kisha filluar, ngjitesha në skenë për herë të parë dhe këndoja e ndrojtur dhe u eliminova në radhën e dytë të raundeve. Thash “ok” e provova, nuk është gjëja ime, kurrë më në jetën time s’do kap një mikrofon në dorë. E kam bërë atë rrugën nga Tirana deri në Shkodër duke qarë dhe tani më mbushen sytë me lot, se babit i dhimbte zemra dhe nuk dinte çfarë të më thoshte. Babi dhe mami më qëndruan afër”, tregoi Elhaida Dani.
Megjithatë ajo nuk u ndal për asnjë moment dhe vazhdoi punën me muzikën duke u kthyer në një shembull të vërtetë suksesi për shumë artistë të tjerë.