Sapo lexova një prononcim të Kompozitorit shqiptar, Maestro Aleksandër Peçi dhe u drithërova!
Një Artist si Ai, i dimensioneve të tilla, vepra e të cilit identifikohet me kulturën kombëtare i mbetur totalisht jashtë vemendjes të shtetit dhe Ministrisë të Kulturës të Shqipërisë.
Po rendis vetëm disa fakte.
1.Maestro Peçi lajmëroi se gjatë muajve tetor-nëntor në Shqipëri do të zhvillohet Edicioni i 9-të i Pianodrom, një eveniment i muzikës shqiptare, që përfaqëson artistët dhe muzikën shqiptare brënda dhe jashtë, sikur edhe artisë të ftuar nga bota. Prej 8 vjetësh ky eveniment nuk mbështetet financiarisht nga Ministia e Kulturës.
2.Ministria e Kulturës mbështetka 150 aktivitete por jo Pianodrom!
3.MInistria e Kulturës ka shpenzuar gjysmë miliardi lekë dhe asnjë nga “veprat” që kjo ministri ka financuar nuk mund të përfshihen të paktën në programet e shkollave, pra që të përbëjë vlerë artistike dhe për kulturën!
4.Mjeshtri Aleksandër Peçi gjatë periudhës të Pandemisë ka kompozuar 7 koncerte, 20 vepra muzikore dhe Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asgjë!
Kur e lexova prononcimin e Artistit të shquar Aleksandër Peçi bëra pyetjen tashmë rutinë:
Si mbijetojnë Artistët shqiptarë në Atdhe ?
Kur një figurë e tillë madhore si Maestro Peçi përballet me një mizori të tillë.
Mos më thoni se përse përdora cilësorin “mizori”. Nuk është metaforë.
Është fjala që i shkon për shtat sjelljes mizore të institucionit të shtetit që ka detyrim ligjor dhe kushtetutes mbështetjen e kulturës dhe Artistëve!
Është shumë e trishtë ajo që shkruan Maestro Aleksandër Peçi!
Porse vetëm Artistët e Mëdhenj mund t’i shqiptojnë të vërtetat që të tjerët i fshehin ose i mbulojnë në heshtje sepse kujtojnë se janë të pafuqishëm për të ndryshuar realitetet.
Në fakt realitetet ndryshohen vetëm me pjesmarrje.
Mjerim i madh edhe për mediat. Që papagallojnë çdo status të politikanëve të Shqipërisë, ndërsa mbyllin sytë përpara të vërtetave që ulërinë edhe kur shqiptohen nga figura me autoritet sikur Maestro Peçi!
Sa shumë televizionë që ka Tirana, sa shumë të ashtuquajtur gazetarë të kulturës, sa shumë vanitet, që nuk ia kanë idenë se nga lidhet kultura,
pasi harrohet thelbësorja se Artistët janë qënie njerëzore, të cilëve Zoti u ka dhuruar talentin dhe i ka dalluar duke e vendosur në majën e piramidës të kombit,
sepse Artistë nuk mund të jetë e të bëhet çdokush me urdhër të njëshit,
sikur në Shqipërinë tonë të dashur mund të bëhet çdokush ministër,
mjafton që të ketë teserën e partisë në xhep apo të jetë burri i ish-gruas apo të dijë t’i shtrihet deri në tokë uzurpatorit të të gjitha pushteteve,
për të cilin thuhet se është bir arti dhe pretendon se qënka artist, helas çfarë djall artisti!
Ndërkohë seicilit prej nesh mund t’i lindi një pyetje ?
A është korrupsion i Ministrisë të Kulturës që derdh paratë e taksapaguesave për të paguar antivlerën dhe jo artistët e veprat artistike që meritojnë, të cilat janë pjesë e fondit kombëtar të muzikës dhe kulturës shqiptare ?
Natyrisht që kemi të bëjmë me korrupsion të pastër! Korrupsion me brirë! Pasi Ministria e Kulturës derdh paratë tek klientët! Kjo është logjika e këtij shteti hybrid!
Nuk më mbetet veç Maestro Aleksandër Peçit t’i uroj suksese në Edicionin e 9-të të Pianodrom-it! Një ekspoze e vërtetë e thesarit të kulturës shqiptare, të muzikës shqiptare, të artistëve shqiptarë dhe atyre botërorë!
Ndërsa shqiptarëve t’ju them: zgjohuni!/VOAL