Elikona Hysaj Shala: Muzika është labirint kënaqësie, joshje intriguese…

elikona hysaj shala

Anëtare e Filharmonisë së Kosovës, profesoreshë, drejtuese e dy koreve të ndryshme, Elikona Hysaj Shala – gruaja e nismave, që me këmbëngulje i jetëson idetë e saja, për të lënë gjurmë në art e kulturë.

Rrezatuese dhe me shumë vetëbesim, ajo tashmë ka zgjedhur t’i përkushtohet artit dhe krijimeve, jo vetëm muzikore, por edhe formacioneve, siç janë Kori i Fëmijë dhe Grave OKARINA, për të krijuar shprehi dhe për të ndjellur dashuri për të bukurën.

Intervistoi: Vlora Ademi

Si filloi rrugëtimi juaj drejt muzikës, drejt gjithë këtij suksesi?

Gjithçka filloi rastësisht! Unë si fëmijë mbyllesha në dhomë dhe këndoja, intepretoja por edhe imitonja këngëtarët dhe musafirët që vinin në shtëpinë time. Nga mënyra se si imitoja; se si hynja në rol e realizoja skeçe të shumta, i shkruaja vet skeçet. Gjithë kjo dashuri për aktrimin që kisha dhe gjithë këshillat nga familjarët e mi që dallonin talentin, më shyri të vijoj shkollën e mesme të muzikës, si art më i përafërt me artin dramatik. Me idenë që pasi të mbaroj shkollën e mesme të muzikës, do të vijoja aktrimin… Por nuk ndodhi kështu. Muzika zuri më shumë vend në zemrën time dhe sot ndjehem e lumtur që ndoqa rrugën e zemrës.

A keni lënë anash ndonjë pasion tjetër për këndimin?

Pasionin që kisha për arkitekturën, e kam lënë për shkak që zgjodha të vazhdoj studimet për artin muzikor.


Jam e apasionuar jashtëzakonisht për mjeshtëritë që duhet të bëhen në shtëpi.

Pas punimit me dru, të krijoj shtëpizë nga druri për fëmijët e mi, e shumë punime të ndryshme të cilat ndjej kënaqësi të pafund deri sa bëj prerjet dhe montimet e copëzave të drurit për të krijuar diçka të bukur. Me një fjalë mjetet e punës janë kudo jam dhe unë.

Elikona Hysaj Shala

Na përshkruani pak Elikonën në paraqitjen e parë!

Elikona, një vajzë që nuk i trembej syri paraqitjen e parë sigurisht që e kishte që nga bankat e shkollës fillore.
Gjithmonë nga mësuesja dhe shoqëria e klasës më besohej pjesa e këndimit. Ndërsa në shkollë të mesme, kisha fatin ta kem mësimdhanëse prof. Elife Podvorica, e cila erdhi si shpëtim për mua. Në atë periudhë, në shkollë të muzikës kishim mangësi kuadrosh të fushave përkatëse.

Koncertin e parë nga bota e këndimit lirik e kisha në fund të vitit të dytë të shkollës së mesme, dhe që atëherë nuk iu ndava artit muzikor ngaqë skena vulosi çdo gjë për mua.

Si ndiheni tash para një performance, sidomos para një premiere?

Para një performance sigurisht që ndjehem me përgjegjësi të lartë skenike. Mundohem që të mbaroj të gjithë ritualin se çfarë i duhet zërit një kohë bukur të gjatë, deri sa afrohet dita e paraqitjes pëpara publikut, ushtrimet teknike pak para performancës, përgatitjes skenike-organizative deri në çastin skenik.

Fatkeqësisht në Kosovë çdo herë këto paraqitjet janë premierë, sepse nuk ka mundësi asnjëherë të reprizohen përshkak të kufizimeve buxhetore, mungesës së sallës, po ashtu mungesës së aktiviteteve me karakter nga Teatri i Operës.

Sikurse e dijmë, një objekt i tillë i mungon Kosovës. Fatkeqësisht! Andaj ne si interpret të këndimit lirik dhe muzicient nga degë të ndryshme intepretuese, pas një koncerti të organizuar nga vet dëshira që t’i ofrohet publikut diçka e bukur, me gjithë atë përkushtim e mund, koncertin e realizojmë vetëm për një paraqitje që do ta quaja Premierë, por pa reprizë.

Tek ne reprizë mund të konsiderohet, në rast se koncerti i njejtë i përgatitur do të realizohej nëpër qendra të Kosovës dhe jasht saj, por që një gjë e tillë është vështirë e realizueshme.
Me këtë ndjesi të mosreprizimit, nuk përballen arti dramatik, baleti dhe arti figurativ. Shfaqja teatrale ka jetën e saj për një kohë në dërrasat e skenës së teatrit duke u reprizuar, arti figurativ ka jetën e saj në Galeri dhe në muzeume dhe më pastaj gjen dhe vendin në ambiente shtëpie.

Çfarë eksperiencash fiton gjatë përgatitjeve dhe paraqitjeve skenike?

Përgatitjet janë një eksperiencë interesante. Mësim në vete. Sepse duke studiuar-ushtruar, në mendje gjithë kohës ke idenë se çfar duhet të hiqet, e çfar të shtohet në program për paraqitje. Pyetje të panumërta që i bën vetes se a është duke shkuar çdo gjë mirë rreth organizimit. Eksperiencë e veçantë derisa bën prova të shumta me pianisten/in, duke ndërtuar bashkërisht frazat muzikore interpretative, takimi mes miq e artdashës dhe këmbimi i përvojave profesionale në lidhje me koncertin.

Elikona Hysaj Shala

Ndërsa për paraqitjen skenike është ekperiencë e jashtëzakonshme frymëzimi që më bën të vazhdoj më tutje me angazhimin e rradhës.

E bukura e artit muzikor është se kurr nuk mund të thuash se me kaq mbaroi gjithçka.

Muzika është labirint kënaqësie, të joshë, të intrigon, të mbush zemrën me ndjesi që jo çdo herë në jetë reale mund ta përjetosh. Secila përvojë skenike është aneks arkivimi kënaqësie e cila të shtyen përpara të jetosh dhe jetën ta bënë shumë të bukur. Sikur edhe shumë brenga të kesh, paraqitja skenike të bën t’i harrosh dhe të mëson se si t’i evitosh më lehtë gjithë brengat dhe mërzitjen.

Si ndihet një shqipare në skenat jasht vendit?

Ndjehet me keqardhje që atë eksperiencë nuk ka se si ta bartë në Kosovë, ngaqë mungon elementi bazë- salla adekuate.Ndjen kënaqësi kur këndon jasht vendit, sepse i ke të gjitha parakushtet se çfarë i duhet një intepretuesi, duke filluar nga salla koncertale me akustikë të duhur; studio ushtrimi për zërin; studio për veshjen dhe dukjen skenike; dhomë relaksimi para se të shfaqesh para publikut; sallë ku secili dëgjues ndjehet komod deri sa dëgjon koncertin.
Tek ne, mjerisht të gjitha këto parakushte që përmenda, mungojnë.


Ne si artist përballemi me lloj lloj problemesh deri sa realizojmë një koncert, duke filluar nga ajo më elementarja, mungesa e pianos.

Elikona Hysaj Shala, Francë 2019

Po këtu? Si funksionon Filharmonia?

Filharmonia e Kosovës ka agjendë të ngjeshur vjetore. Koncerte nga më të ndryshmet. Secili koncert me nivel të lartë artistik, për korin përvoja të ndryshme, herë pas here edhe me artist nga jasht. Filharmonia është nga institucionet më të larta në vend, duhet ruajtur dhe mbështetur pa fund.

Është “oazë vlerash”, dhe promotor i kulturës në vend.

Po Kori Okarina?

Kori i Fëmijëve “ Okarina” është motivi dhe dashuria që kam për punën.

Është përvoja më e bukur profesionale në jetën time. Deri sa fëmijët këndojnë, më falin jetë adrenalinë, dashuri pafund. Këtë ndjesi ata e përcjellin dhe tek publiku. Për atë arsye edhe janë të pëlqyerit e publikut dhe muzicientëve në vend.
Projektet e bukura me ta, bëjnë që këta fëmijë të rriten ndryshe nga bashkmoshatarët e tyre. të ndjehen të randësishëm në jetë, e të kenë motiv që të bëhen të shkathtë, të plotësohen shpirtërisht, e të shpërndajnë dritë tek të tjerët.

Kori i Fëmijëve OKARINA, Elikona Hysaj Shala

Tashmë keni krijuar edhe Korin e Grave. Çfarë pritet nga ky formacion?

Ka 3 muaj që është krijuar dhe Kori i Grave “Okarina”, si plotësim për mua dhe pasuri për vendin. Gruaja kur këndon, ajo ndjehet e lumtur, e çliruar, dhe këtë ndjesi e përcjellë tek rrethi ku punon dhe jeton. Sa më shumë aktivitete për gruan, vendi ynë është më afër botës së modernizuar dhe të hapur.

E ndjej të vlerësuar vehten me gratë e Korit, sepse ato më kanë dhënë besimin e tyre dhe ngrohtësinë e pafund.

I udhëheq që të pasurohen vokalisht dhe artistikisht, prandaj dhe këshillat vokale ndaj tyre janë kërkesa e parë.
Ky formacion, padyshim që do të jenë një vlerë e shtuar për vendin dhe frymëzim e motiv për gruan në veçanti.

Kush ua jep mbështetjen më të madhe?

Pa dyshim që familja është burimi kryesor që më japin mbështetje dhe energji që mos të ndalem asnjëherë. Pa ata unë nuk do të isha këtu, janë thesari i jetës sime.
Krahas familjes janë miqt, artdashësit, por në veçanti bashkpunëtorët e mi: Kori i Fëmijëve & Grave “ Okarina” .

Elikona Hysaj Shala dhe Shahbaze Hysaj (nëna)

Cila është këshilla më e mirë që një muzikant tjetër ju ka dhënë ndonjëherë?

Këshillën më të çmuar e kam nga profeseroshe Nina Mula. Ajo prekte me gisht tek pjesa e kokës, që ne e simbolizojmë mendjen dhe thoshte Voce (zëri). Pastaj merrte gishtin dhe prekte pjesën e gjoksit tek vendi i zemrës dhe thoshte Voce (zëri). Së treti me gisht prekte pjesën e fytit, ku gjenden kordat vokale dhe thoshte Voce (zëri). Këto veprime me rradhë Voce, Voce, Voce tregonin se si këngetari duhet të këndoj me mendje, zemër dhe zëri pastaj vjen pa mëdyshje.
Kjo këshillë më ndjekë gjithmonë pas.

Dhe cila është ajo që ju ua jepni të tjetrëve , të “vegjëlve” të Okarinës, korit të grave, një muzikanti, adhuruesi, pse jo edhe lexuesve tanë?

Të ndani me njëri-tjetrin eksperienca të bukura që do t’i shërbenin të gjithëve. Të ndërtohen më mirë si artist, të kenë respekt për bashpunuesit. Kjo bën që të kemi suksese të përbashkëta dhe dashuri për njëri-tjetrin. T’a ndajmë botën së bashku sepse kjo është gjëja më e shtrenjtë që kemi.

Elikona Hysaj Shala, EtnoFest – Kukaj 2020

ObserverKult

Lexo edhe:

FLAKA GORANCI, NJË CARMEN E SKENAVE PRESTIGJIOZE