Nga Elona Caslli
Kështu fillonte gjithmonë fjalia jote të dielave- -A je për çaj?
Dukej se bota për ty ishte më e durueshme pas një çaji. Në koleksionin tënd të çajrave mund t’i gjeje të gjitha shijet. Të gjitha shijet ekzistuese të çajit i mësova nga ky koleksion.
Kutitë e çajit ishin të renditura me një rregull acarues që ta nënvizoja shpesh. T’i nënqeshje dhe mes nënqeshjes thoje- Kështu jam unë. Padurimisht i rregullt.
E teksa lëvizje nga kuzhina në dhomë, unë ndieja një kënaqësi të mbrapshtë të t’i bëja rrëmujë kutitë e çajit dhe me shpejtësi ulesha në karrige, sikur asgjë mos të kishte ndodhur.
Teksa riktheheshe në kuzhinë dhe shihje rregullin tënd acarues të bërë hi nga duart e mia thoje; E dija, veçse shpresoja këtë herë mos ta bëje.
Me buzëqeshjen tipike të dikujt që i gëzohet një mbrapshtie të thoja- Koleksioni yt duket si raft farmacie. Nëse do ta lija në rregull, do të më dukej sikur pija ilaçe e jo çaj. Veçse i zhvendosa pak.
Nënqeshje përsëri dhe ndonëse nuk të pëlqente, bashkëjetoje me rrëmujën e koleksionit tënd gjatë kohës që pinim çaj duke më thënë; Je e pandreqshme!
Sa herë që pi çaj, ndërmend më vjen koleksioni yt. Pyes veten: Si do të jetë vallë çaji në qiell?! Ç’shije ka çaji atje lart?!
Post Scriptum- Ngre sytë nga qielli dhe imagjinoj një ëngjëll që ta bën rrëmujë koleksionin tënd të çajit të renditur me kujdes mbi një re të bardhë.
*Titulli i origjinalit: “A je për çaj?”
——————
Lexo edhe:
ELONA CASLLI: UNË E DIJA SE NËNAT NUK HANIN
Kur isha e vogël e dija se nënat nuk hanin. E dija se të gjitha nënat jepnin gjak çdo muaj dhe pinin çaj pa sheqer si shpërblim.
Mbrëmjeve, teksa nëna më jepte për të ngrënë dy copa bukë dhe çaj me sheqer e pyesja shpesh- Po ti pse nuk ha?! Ajo më përgjigjej- Nënat nuk hanë. Pinë vetëm çaj pa sheqer…
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU