Mbi heshtjen e Kadaresë, në këtë periudhë tragjike për vendin ka qëndrime të ndryshme. Një bashkësi qëndrimesh e trajtojnë heshtjen e Kadaresë, si diçka krejt të natyrshme dhe figurën e Kadaresë si një figurë krejt të paprekshme. Madje shkohet edhe përtej këtij caku. Shoqërisë shqiptare i kërkohet t’i shtrojë vetes këtë pyetje: A e meriton ajo figurën e Ismail Kadaresë?!
Së pari, nuk e mohon njeri faktin se Kadareja është një shkrimtar i mirë, por unë besoj se duhet rrudhur pak gjuha kur pohojmë se është i vetmi shkrimtar i mirë. Pse?!
Në diktaturë nuk mund të ketë kurrsesi një shpalosje të vërtetë të të gjitha talenteve sikundër nuk pati as në vendin tonë. U arrestuan, u burgosën dhe u vranë shumë intelektualë, të cilët nuk u pajtuan me atë sistem dhe përfunduan duke tharë këneta. Kush vallë na siguron se mes të internuarve, të vrarëve, të burgosurve nuk ka qenë një Kadare i dytë?!
Për sa kohë dikush ka jetuar brenda burgut dhe dikush tjetër jashtë tij, shpalosja e talenteve nuk ka qenë e njëjtë dhe e vërteta se Kadare ishte i vetmi shkrimtar i mirë që prodhoi ajo kohë është e diskutueshme.
Që të jetoje jashtë burgut në atë kohë dhe të merrje leje krijimtarie, duhet të plotësoje një parakusht: – Të shkruaje për Partinë dhe t’i thurje lavde kësaj të fundit. Dhe Ismail Kadare e ka plotësuar këtë parakusht.
Sikundër ka shkruar poezi për partinë, ka shkruar edhe romane që janë lexuar rregullisht nga shoqëria shqiptare asokohe.
Nuk duhet anashkaluar fakti se shumë shkrimtarë të tjerë qëllimisht u lane në harresë dhe shoqëria shqiptare krijoi një marrëdhënie me ta vetëm pas rënies teorike të komunizmit në Shqipëri.
Gjatë periudhës së postkomunizmit Ismail Kadare vazhdoi të shkruante e të vlerësohej e të lexohej brenda dhe jashtë kufijve.
Le të kapërcejmë vitet dhe të mbërrijmë në vitin 2020. Viti 2020 e gjen Shqipërinë dhe shqiptarët të gjunjëzuar dhe të dorëzuar.
Shqipëria po shpopullohet. Duhet të kujtojmë faktin se shpopullimi i një kombi nënkupton zhdukjen e këtij të fundit. Me zhdukjen e një kombi zhduket dhe vdes pashmangshmërisht edhe gjuha e tij.
Dhe ka gjasa që në të ardhmen, nëse shpopullimi vazhdon me këto ritme, veprat në origjinal të Kadaresë mos i lexojë më kush dhe shqipja nga një gjuhë e gjallë të kthehet në një gjuhë të vdekur.
Ismail Kadare e përcolli në heshtje shembjen e Teatrit Kombëtar. Përligjësit e heshtjes së Kadaresë duhet të rifreskojnë kujtesën dhe të mendohen dy herë para se të thonë se Kadareja nuk është shprehur kurrë për ngjarje të politikës në vend.
Rikthehemi prapa në kohë dhe rikujtojmë letrën që Ismail Kadare, i ka dërguar Lulzim Bashës nga Parisi, në marsin e vitit 2011.
Në këtë rast Kadereja që është tërhequr nga heshtja e tij, i kërkon Lulzim Bashës të tërhiqet nga kandidimi i tij.
Pra, kemi një Kadare të tërhequr nga heshtja që bën thirrje për tërheqje.
Në kushtet e shpopullimit të frikshëm të vendit dhe vdekjes klinike të Shqipërisë, ne që nuk e përligjim dhe nuk pajtohemi me heshtjen e Kadaresë, do të dëshironim që të njëjtën letër që Kadareja i ka adresuar dikur Lulzim Bashës, t’ia adresonte Edi Ramës. Brenda letrës nevojiten veçse dy ndryshime: Emri i marrësit të letrës të ndryshojë dhe kërkesa për tërheqje nga kandidimi të shndërrohej në kërkesë pë tërheqje nga marrëzia.
Teksti tjetër i letrës përputhet më së miri me aktualitetin.
Do të ishte në dobinë e kombit që Kadareja të shkruante si vijon:
Zoti Edi Rama
I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.
S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.
Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta tê vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.
Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest, që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga marrëzia.
Nuk e kam vështirë të marr me mend, në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë pêrshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës.
Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njerën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.
Duke ju propozuar tërheqjen nga marrëzia, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja, posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I. Qemali, më 1912, ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.
Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.
Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke pêrfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i tillë, përpara se tê nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.
Jemi mësuar me shprehjen « turp i përbashkët », që mirë a keq, e kemi pêrjetuar gjatë shumê viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër: « nder i pêrbashkët ».
Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.
Miqësisht, me shpresë,
Ismail Kadare, shkrimtar
Post Scriptum– Kadarese mund t’i vlerësojmë veprën e tij, por kurrsesi mos te gjykojmë heshtjen e tij për sa kohë ka provuar se mund të tërhiqet nga kjo e fundit./ ObserverKult