Nuk kisha gji për foshnjën… dhimbja e madhe ma ndërpreu…

elona caslli
Elona Caslli

Shiu që ushqeu foshnjën…

Nga Elona Caslli

Isha 30 vjeçe. Në të gdhirë erdhën dhe na morën. Na çuan në Tepelenë. Foshnja ime 6 muajsh. Nuk kisha gji. Dhimbja e madhe ma ndërpreu. Kur mbërritëm në Tepelenë, kisha me vete veç pak sheqer futur në një kavanoz. Më duhej ujë që ta përzieja me sheqerin dhe t’ia jepja foshnjës.
I kërkoj rojës së kampit ujë dhe ia shpjegoj se më duhet për të ushqyer fëmijën tim. Përgjigja që më dha ishte- Nuk ka ujë për fëmijët e armiqve.

Trishtohem. Kthehem e rraskapitur në një cep të kampit. Foshnja ime qan dhe unë qaj bashkë me të. I kthej sytë nga qielli dhe kërkoj Zotin. Ky vend më duket aq i largët sa duket se Zoti, e ka harruar.

Përpëlitem mes lotësh e dhimbjes që më shkon deri në kockë dhe përkund në krahë foshnjën time me shpresën se gjumi do mposhtë urinë e saj.

Në një çast një vetëtimë shfaqet në qiell të hapur dhe krejt papritur fillon një rrebesh shiu. Marr një kavanoz dhe nxitoj të dal. E mbush me ujin e shiut dhe përziej me sheqerin.

Foshnja ime ushqehet me ujin e shiut. Kthej sytë nga qielli dhe përgjumem mes Zotit dhe shiut.

Post Scriptum- Këtë histori ma tregoi sot nipi i zonjës në tregim. Unë i vesha me fjalë faktet dhe respektova vullnetin e zotërisë për të qëndruar anonim.

ObserverKult

—————-

Lexo edhe:

ELONA CASLLI: BABË, A E MBAN MEND KUR M’KE THANË SE S’KEMI KOHË ME…