Elona Caslli: Që kur e humbi bijën, afër vetes gjithmonë e mbante një kukull

Nga Elona Caslli:

Në azilin ku punoja ishte një grua që mbante gjithmonë një kukull. Mëngjeseve zgjohej vonë dhe rrinte pranë dritares. Pasditeve ulej në kopsht dhe priste që dita të perëndonte.

Ulej në të njëjtin vend dhe teksa dielli ngjyroste kukullën që mbante në krahë, sytë e saj gozhdoheshin tek porta e azilit. E vështronte atë portë me këmbëngulje të dhimbshme
Ishte një grua që jetonte në heshtje. Me gratë e tjera në azil shkëmbente veçse formulat përshëndetëse që ndanin një vakt nga një tjetër.

Një kolege më tha se vite më parë kish humbur të bijën në një aksident automobilistik. Që prej asaj dite mëngjeseve rrinte pranë dritares dhe pasditeve ulej me kukullën e saj në kopsht.

Kam dashur shpesh të ulem pranë saj, të ndaj heshtjen bashkë me të, por më dukej aq e shenjtë në vetminë dhe në ritualin e saj të përditshëm, sa nuk pata kurrë guximin të bëhesha pjesë e tyre.

Para dy javësh u shua teksa dielli zhytej në muzg. Dukej sikur flinte. Kukulla me sy të hapur ishte e ulur mbi komodinën e saj.

E mora. Ia drejtova këmbët dhe e vura në kraharorin e të fjeturës. Teksa u gjend pranë kraharorit të saj, ia mbylla sytë.
Preheshin të dyja pranë njëra- tjetrës.

Çdo ditë teksa dielli perëndon, ia hedh një vështrim stolit ku qëndronte dhe më duket sikur e shoh atje, me kukullën e saj dhe me vështrimin e mbërthyer tek porta.

Post Scriptum- Ndërkohë dielli ngjyen stolin e boshatisur si për të çuar në vend fjalët e një testamenti të pashkruar.

*Titulli i origjinalit: “Ajo mbante gjithmonë një kukull”

——————

Lexo edhe:

Elona Caslli: Flitet për shumë dhimbje, por rrallë flitet për dhimbjen e mendimit…

Flitet shpesh për dhimbjen. Flitet për dhimbjen e kokës pas një nate pagjumësie të thellë, flitet për dhimbjen e veshit e cila copëton edhe njeriun më të duruar mbi tokë...

Tekstin e plote e gjeni KËTU