Elona Caslli: Të kalërojmë mbi kufoma

elona caslli ndeshje
Elona Caslli


Perversiteti i Njeriut të Ri, ka arritur deri në këtë pikë sa në Shqipëri dikush ka propozuar idenë se Kampi i Tepelenës, mund të kthehej shumë mirë në një fushë hipizmi.
Ç’të keqe ka të kalërosh mbi kufoma?! Ç’të keqe ka të kalërosh mbi të shkuarën tënde?! Ta tjetërsosh të shkuarën dhe nga një kamp përqëndrimi ta shndërrosh në fushë hipizmi.
Kalërimi mbi kufoma është krejt joshës për Njeriun e Ri të Realizmit Socialist. Ky i fundit është i prirur që gjysmë shekulli diktaturë ta trajtojë si një ekskursion që shkoi keq. Me pak fjalë, u nisën shqiptarët për në ekskursion dhe filloi shiu dhe ekskursioni nuk shkoi dhe aq mire se ra shi.


Edhe në diktaturë u vranë ca njerëz se pati pak xhelatë, por jo ndonjë gjë e madhe.
Ndaj pse mos të kthehet në fushë hipizmi Kampi i Tepelenës?!
Mundësisht të gjitha kampet e përqëndrimit në Shqipëri të kthehen në fusha hipizmi dhe të zhduket çdo fakt që i nxin fytyrën Shqipërisë së begatë të Realizmit Socialist.
Të përdoret fjalia e kobshme “Ashtu ishte koha” dhe ta mbyllim atë epokë.


Në të vërtetë është krejt e kundërta. Kampet e përqëndrimit duhet të marrin vendin që u takon. Gjimnazistët duhet t’i vizitojnë këto kampe dhe të dëgjojnë dëshmitë rrëqethëse të të mbijetuarve. Vetëm kështu mund të vetëdijësohen për të shkuarën e këtij vendi dhe të çmojnë më shumë fjalën “ Liri”.

Post ScriptumDuke kalëruar mbi kufomat e së shkuarës do të kalërojmë edhe mbi të ardhmen tonë.

ObserverKult