Platoni, student i Sokratit e mësues i Aristotelit është autori i veprave filozofike me ndikim deri sot.
Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizikës dhe epistimologjisë kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.
Në vazhdim ObserveKult ju sjell një pjesë të shkëputur nga vepra e tij “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi”, cilësuar si një nga kryeveprat e Platonit ku reflektimet filozofike mbi temën e dashurisë tërheqin vëmendje për nga dimensioni dhe nga teknika e përdorur.
“Atëhere, ç’është Dashuria? Një qenie e vdekshme?”
“Jo aspak.”
“Atëherë çfarë?”
“Si në rastin e mësipërm, diçka midis të vdekshmes dhe të pavdekshmes.”
“Po ç’është një gjë e tillë, o Diotimë?”
“Një demon i fuqishëm, o Sokrat, i cili, si gjithë demonët, qëndron midis hyjnores dhe njerëzores.”
“E cila është detyra e saj?” – pyeti.
“Ajo e interpretimit dhe e dërgimit tek perenditë e lutjeve dhe flijimeve njerëzore dhe tek njerëzit e urdhërimeve dhe mirënjohjeve të perendive për sakrificat e bëra.
Në rolin e saj prej ndërmjetësi ajo mbush boshllëkun e jashtëzakonshëm midis njërës dhe tjetrës palë, kështuqë universi në vetvete del i lidhur.
Nga kjo e ka zanafillën e vet arti i hyjnizimit, gjithë shkenca priftërore, ku hyjnë flijimet dhe iniciativat, magjepsjet, gjithë llojet e profecove dhe magjitë. Zoti nuk hyn në marrëdhënie me njerëzit, por përmes demonëve kuvendon me ta, krijon raporte si kur ata janë zgjuar, ashtu edhe kur ndodhen në gjumë.
Kush është dijetar, në këtë art konsiderohet i frymëzuar, ndërsa kush ka një mjeshtëri të çfarëdoshme s’është tjetër veçse një punëtor krahu. Ka demonë të të gjitha llojeve.
Dashuria është njëri prej tyre.”
“Po babi dhe nëna e Dashurisë, kush është?” – pyeta.
“Është një histori e gjatë, megjithatë, po ta tregoj. Kur lindi Afërdita, perënditë ishin shtruar në një banket dhe, ndër të tjerë, ishte dhe Proti, i biri i Metidës. Kishin mbaruar së ngrëni kur ia behu Penia për të lypur lëmoshë, sepse banketi qe mjaft i begatë, prandaj qëndroi tek porta. Në atë çast Pori, i ngopur me nektar (sepse vera ende nuk qe zbuluar), doli në kopshtet e Zeusit dhe, ashtu gjysmë i dehur siç qe, e zuri gjumi.
Atëherë Penia, e ndezur nga dëshira, mendoi se ishte një rast i mirë për të mbetur me barrë me Poron dhe të kishte një djalë me të. Iu shtri përbri dhe kështu mbeti shtatzënë duke lindur Dashurinë. Prandaj dashuria është shoqe dhe bashkëpunëtore e Afërditës, sepse u ngjiz ditën e lindjes së saj dhe është dashnore e së bukurës, sepse e bukur është vetëm Afërdita.
Nga ana tjetër, meqë Dashuria është bijë e Poros dhe e Penias, trashëgon gjendjen e tyrë. Pra kryesisht është e varfër e aspak delikate dhe siç mendojnë një pjesë e madhe e njerëzve aspak e bukur, bile do të thoja trashalluqe, gjysmë e egër, përherë e zbathur, endacake, që vazhdimisht fle përtokë, në qiell të hapët, para portave, rrugave, sepse ka natyrën e së ëmës dhe është e njëjtë me mjerimin.
Nga i ati është tinzare, disi e rrëmbyer, gjuetare e shkëlqyer, përherë e gatshme për të sajuar mashtrime, mikeshë e dijes, njeh mirë artin e dredhive, tërë jetën ia kushton filozofisë, është mashtruese e shkathët, eksperte për helmime, sofiste etj.
Nuk është as e vdekshme dhe as e pavdekshme, por brenda së njëjtës ditë, bulon, shpërthen në vegjetacion dhe atë ditë vdes, më pas përpiqet të jetojë duke përdorur lloj lloj marifetesh të trashëguara, kështu që Dashuria e saj nuk është kurrë e pasur, por ama as e varfër nuk është. Veç kësaj, ajo ndodhet në mesrrugën midis dijes dhe injorancës.
Ja përse asnjë nga perënditë nuk merret me filozofin dhe as që lakmojnë një gjë të tillë (sepse ato janë të mençura). Nga ana tjetër, as injorantët nuk i përkushtohen filozofisë, sepse ata nuk lakmojnë të bëhen të ditur; kjo është e keqja e injorancës, sepse ai që nuk është as i bukur, as i mirë, as i ditur e beson veten për të tillë, bile të një shkalle të lartë. Natyrisht ai që nuk e kupton se i mungon diçka, nuk mund ta kërkoj atë diçka, të cilës nuk ia ndien nevojën.”
“Posa të thashë, o Diotimë, kush i përkushtohet filozofisë; dhe këta nuk janë as të ditur dhe as injorantë.”
“Është e qartë.” – m’u përgjigj ajo – “edhe një fëmijë do ta kuptonte cilët janë ata që ndodhen në atë pozicion të ndërmjetëm, midis të parëve dhe të dytëve, e midis atyre ndodhet edhe Dashuria.
Në fakt, dituria ndodhet ndërmjet gjërave më të bukura, ndërsa Dashuria i do ghërat e bukura, kështuqë detyrimisht ajo është edhe filozofe dhe si e tillë qëndron midis diturisë dhe injorancës. Pra, është origjina e saj shkak i të gjithë këtyre gjërave: babi i saj ishte dijetar plot trille, ndërsa nëna e saj ishte fare injorante.
E tillë, është o Sokrat, natyra e këtij demoni. Ashtu siç kishe menduar ti, këtu nuk ka asgjë për t’u habitur; sepse me sa kam kuptuar nga fjalët e tua, ti beson se Dashuria është ajo që dashurohet dhe jo ajo që dashuron.
Ja përse mendoj që ajo të duket aq e bukur. Në fakt kush dashurohet, është vërtet i bukur, tërheqës, i përsosur dhe i denjë për çdo lumturi; përkundrazi, ai që dashuron ka një pamje, pikërisht atë që e përshkrova më lart.”
Përktheu: Nino Marziano
*Shkëputur nga “Aplogjia e Sokratit; Kritoni; Fedoni; Elozhi i dashurisë ose simpoziumi”, Platoni, “Liria”, Tiranë 1997
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
PLATONI: DO T’JU TREGOJ DIÇKA QË MË THA PËR DASHURINË NJË GRUA…
lexo edhe:
PETRAQ KOLEVICA: AJO- E HESHTUR DHE E ZBEHTË, AI- I ZHYTUR NË TRISHTIM…
Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë,
Ai- i zhytur në trishtim.
Dhe rrinin, rrinin të harruar,
Sikur nga bota ishin ndarë.
Ajo – me flokë të lëshuar,
Ai- me pamjen aq të vrarë.
Poezinë e plotë e gjeni KETU
ObserverKult
OMAR KHAJAM: ZBRAS KUPA, PUTH ÇUPA…
Natën kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi”.
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte.”
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrë “Portat çeli!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli.”
Përktheu: Fan Noli
ObserverKult
OCTAVIO PAZ: PËRTEJ DASHNISË
Gjithçka na kërcënon:
koha, që në fragmente jetuese ndan
atë që isha
prej atij që do jem,
si thika gjarpërin;
ndërgjegjja, tejdukshmënia e tejkalume,
shikimi i verbër prej të vetpamit që pa;
fjalët, doreza gri, hi mendor përmbi bar,
uji, lëkura;
emrat tanë, që ngrihen mes meje e teje,
mure boshllëku që asnji trumbetë nuk mundet me i rrënu.
Poezinë e plotë e gjeni KETU
ObserverKult