Elton Deda: Artistët janë afër falimentit, shteti na denigron ndërsa gropa thellohet çdo ditë

Këngëtari i njohur Elton Deda nëpërmjet një postimit të bërë së fundi në rrjetin social tregon vështirësitë që janë duke kaluar artistët shqiptarë të papërfillur nga shteti.

Më poshtë po sjellim reagimin e Elton Dedës:

Tashmë, ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar.

Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në oret e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme.

Nuk punojmë dot jo sepse jemi të paaftë por sepse nuk lejohemi.

Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan t’ja dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na perfillin.

Nëse na mbyllen, duhet të mendoheshe një strategji kompesimi.

Minimumi që mund të bëjë një shtet te i cili ne paguajmë rregullisht taksa.

Personalisht ndihem tepër pesimist më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë.