Afro 8 muaj pa ushtruar aktivitetin e tyre, pa mbështetje financiare dhe mbi të gjitha të paqartë mbi detyrimet ligjore që duhet të kryejnë për t’u njohur si artistë të pavarur.
Muzikantët e “live”-it, pas aktit normativ të fillimtetorit që ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, “lounge bar”-eve dhe muzikës pas orës 20:00, janë lënë pa një rrugëzgjidhje, përballë detyrimeve tatimore e jetësore që nuk presin. Disa prej tyre, ndonëse kanë paguar taksat përkatëse mbi fitimin, përsëri nuk kanë pasur asnjë lloj rimbursimi gjatë kësaj periudhe që kanë ndërprerë aktivitetin muzikor. Në një situatë të tillë, “Panorama” kontaktoi me muzikantin Elton Deda, i cili shprehet se akti normativ duhet të përfshijë konsultat me grupet e interesit, çka nuk është bërë deri më tani. Për këtë ai kërkon që qeveria të dëgjojë shqetësimet e këtij komuniteti për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Të gatshëm për të paguar të gjitha detyrimet ligjore dhe për t’iu nënshtruar kontrolleve tatimore përkatëse, Deda propozon një takim me ministren e Kulturës, Elva Margariti, për të gjetur një rregullim ligjor afatgjatë.
Elton, prej më shumë se 7 muajsh qeveria ka ndaluar aktivitetin e klubeve të natës, diskove dhe “lounge bar”-eve, në kuadër të masave për parandalimin e Covid-19. Në këto rrethana ka qenë e pamundur për ju të këndoni “live”. Në një kohë që për shumë muzikantë ky është burimi bazë apo i vetëm i të ardhurave, si e keni përballuar financiarisht, por edhe si artist?
Deda: Ka qenë një burim i mirë i të ardhurave tona dhe janë para që nuk i kemi vjedhur, por që i kemi fituar me punë, ashtu siç bën çdo njeri me zanatin e tij. Financiarisht e kemi përballuar me kursimet tona, kurse artistikisht na është shterur shpirti.
Si e gjykoni vendimin për të ndaluar muzikën pas orës 20:00 në të gjitha subjektet e shërbimit dhe a është e mundur që në këto rrethana të krijohet mundësia që ju të ushtroni aktivitetin? Për shembull, të këndonit gjatë paradites, nëse do të mund të binin dakord pronarët e këtyre subjekteve…
Deda: Akti normativ është komplet absurd. Duhet rishikuar dhe folur me grupet e interesit. Por mesa duket, kjo gjë është jashtë fokusit të qeverisë. Ne jemi një komunitet i bukur, por jo i qartë në detyrimet tona ndaj shtetit. Po bashkohemi, dhe ministrja e Kulturës, zonja Elva Margariti, na ka hapur një dritare bashkëpunimi. Jam i bindur që do të gjejmë një gjuhë të përbashkët.
A keni pasur ndonjë lloj mbështetje financiare nga shteti gjatë kësaj periudhe, për dëmet financiare të shkaktuara gjatë pandemisë?
Deda: Përderisa ne po ngremë zërin, sigurisht nuk kemi pasur një gjë të tillë. Jemi një komunitet i vogël dhe… “po nuk qau fëmija, nëna nuk i jep për të pirë”.
Vendimi për mbylljen e subjekteve që përmendëm dhe ndalimin e muzikës është për një afat të pacaktuar, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se situata do të zgjasë për më shumë se një vit. Çfarë masash duhet te marrë qeveria ndaj komunitetit tuaj në këto kushte?
Deda: Si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe ne kemi jetët tona, familjet, kreditë, qiratë e detyrime të tjera. Mendoj se qeveria në radhë të parë duhet të na dëgjojë. Mandej të kryejë kontrollet e duhura ndaj nesh, dhe nëse rezulton që ne i kemi kryer detyrimet tona, si çdo biznes në këtë botë, të na mbështesë, pasi ne nuk jetojmë dot me “frymën e shenjtë”. Kur të vijë ajo ditë, do të jemi indiferentë.
Në një deklaratë të Ministrisë së Kulturës thuhet se arsyeja pse komuniteti i artistëve të pavarur nuk ka përftuar Pagën e Luftës është mungesa e deklarimit, pra fakti se nuk figuroni të siguruar. A ju është kërkuar më herët të siguroheni dhe çfarë zgjidhjeje afatgjatë propozoni në këtë drejtim?
Deda: Jemi në hapat e para dhe shpresoj ta gjejmë gjuhën. Me thënë të drejtën, kjo është diçka e mirë për komunitetin tonë, pasi duhet që të ndërgjegjësohet për të paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit. Kështu edhe ata që punojnë “freelance” (në mënyrë të pavarur) do të kenë mundësi që të ndihmohen. Unë preferoj që të mundësohet një takim midis ministres dhe grupit tonë të interesit, që të flasim e ta gjejmë zgjidhjen si njerëz të qytetëruar.
Nëse nuk do të ketë një përgjigje konkrete ndaj kërkesave tuaja, keni menduar një hap të radhës?
Deda: Po. Hapi i radhës është që do të na dëgjojnë…/Anila Dedaj