Kulla e kazino në Butrint? Ministrja e Kulturës: 7 milionë dollarë do transformojnë parkun

Elva Margariti - Parkun Kombëtar të Butrintit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti i është përgjigjur pyetjes se çfarë do të ndodhë me Parkun Kombëtar të Butrintit.

Ministrja tha se “nuk ishte rasti i Butrintit, për t’u bërë pjesë e një debati politik”. Sipas saj, kalimi për menaxhim tek një bord ku bën pjesë edhe Fondi Amerikan për Zhvillim, ka ardhur gjatë kalimit në një një proces të gjatë konsultimi dhe dëgjimesh publike.

Parku i Butrintit

A janë bërë konsultime publike?

Janë bërë. Janë bërë jo vetëm në trajtimin e ligjit. Ka vazhduar më pas me planin e menaxhimit të integruar që ka kaluar me VKM. Një propozim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Turizmit. Unë vetë kam vazhduar me një dëgjim live në rrjetet sociale. Plani i menaxhimit ka kaluar në disa etapa dhe konsultime. Deri në fazën finale për miratim të tij në këshillin e ministrave, sidomos në fazën fundore. Instituti Arkeologjik ka qenë faktor kyç në hartimin e një protokolli bashkëpunimi që ka kaluar në Parlament. Nuk e kishim detyrim ligjor, por ka qenë shtysë e institucionit dhe e imja, për të shmangur këto debate. Këtu kemi përcaktuar krijimin e “Butrinti Research Group”. Kemi përcaktuar në vite se cili do të jetë buxheti që fondacioni do të çojë në këtë drejtim. Kemi përcaktuar linja guidë dhe buxhete.

Parku i Butrintit – “Carbon free”

Si ndryshon Butrinti pas kësaj?

Parku Kombëtar i Butrinti ndryshon formën e vetë të menaxhimit dhe do të kalojë te fondacioni. Do të ketë një periudhë 6 mujore ku do të rekrutojmë stafin e ri dhe inventarizimin e gjendjes së të gjithë artefakteve në Butrint. Më pas do të krijohet qendra e re e vizitorëve. Është një projekt ambicioz, që është diktuar që në planin e menaxhimit. Do të ketë një qendër dinjitoze në distancë 2 km larg asaj aktuale.

Parku do të ketë trajtën e një parku natyror, më shumë shtigje për të ecur në këmbe drejt siteve. Parku do të jetë “Carbon free”, pra më pak makina dhe të arrihet me vozitjen e barkave. Kjo do të jetë një nga ndërhyrjet ose impakti i parë më pozitiv që presim nga Fondacioni. Kemi 5 milionë dollarë grant nga partneri, Fondi Amerikan për Zhvillim ndërsa vetë arka e Butrintit ka arritur të mbledhë 2 milionë dollarë ndër vite.

Çdo gjë është e rimenduar që nëse nuk do të zhvillohet projekti, Ministria ka në dorë të ndërpresë kontratën me donatorin dhe çdo investim i donatorit do t’i ngelë shtetit dhe jo privatit. Donatori është vetëm pjesëmarrës në bord për të parë sesi vijon menaxhimi i fondeve.

Zero kazino, zero ndërtime. Asnjë kullë!

A ka dështuar shtetit në menaxhim?

Jo nuk ka dështuar! Nuk ka dështuar, pasi në Butrint ka sjellë ide inovative për t’i adaptuar edhe në site të tjera. Shteti ka parë se nevoja për të çuar përpara projekte për këtë nivel të një siti të UNESCO-s, nuk ka mjaftueshëm buxhet dhe ndaj i është drejtuar një fondacioni jofitimprurës. Çdo gjë do të ngelë në Butrint.

Ky park, pra Parku i Butrintit, ka arritur që të mbajë një sasi më të madhe parash në kasë dhe një pjesë më të vogël për të derdhur në buxhetin e shtetit. Këto fonde që shkonin në buxhetin e shtetit do të mbeten në Butrint dhe do të shkojmë për restaurimin, shtigjet e reja. Nëse ne kemi një plan zhvillimi prej 7 milionë dollarësh do të kishim pritur edhe 10 vite për të zhvilluar parkun. Por me ndryshimet e re ligjore kemi realitetin e marrë nga Bota ku privati është pjesë e ruajtjes së trashëgimisë kombëtare.

Realisht në të gjithë territorin që përfshin edhe centimetrin e fundit të Parkut të Butrintit a do të ketë resorte, kazino?

Ideja e carbon-free do të thotë se do të shmangim ndërtimet, por edhe lëvizjen me makina. Zero kazino, zero ndërtime dhe kazino. Asnjë kullë nuk do të ketë. E shmanga kullën se është keq informuar kaq shumë për këtë. Do të vazhdojmë të restaurojmë atë që kemi dhe të kërkojmë atë që arkeologët thonë se Butrinti ende fsheh nën tokë. Ajo që do të ndërtojmë është vetëm qendra e vizitorëve që është një shërbim bazik. Do të ketë një kënd ku blihen suvenire që do të shkojë në ndihmë të komunitetit./javanews.al

ObserverKult

Lexo edhe:

AMFITEATRI I DURRËSIT ME KONCESION? JA SI PËRGJIGJET MINISTRJA ELVA MARGARITI