Këto ditë të nxehta vere ku supozohet që duhet të jenë ditë pushimesh sidomos për artistët, në të vërtetë pjesa më e madhe e tyre janë të zënë edhe në këtë kohë me krijimtari individuale, sidomos pas pauzës së gjatë që shkaktoj pandemia.
Një nga këta artist që nuk rrinë dot pa punuar është edhe Ema Andrea. Ajo si përherë u tregua dashamirëse kur biseduam për të bërë këtë intervistë për ATSH, për të ditur edhe më tepër se me çfarë është e angazhuar ajo në këtë moment. Gjithashtu për të folur edhe në lidhje me projektin e saj të fundit që u shfaq në skenën e “Teatrit Metropol” me titullin “Kombinat”.
“Unë nuk rri dot pa krijuar dhe ndoshta ky është një motor që më shtyn përpara dhe ndoshta kjo është esenca që më lejon ta quaj veten artiste. Gjatë pandemisë unë nuk kam reshtur së krijuari. Ndoshta mënyra se si e kam krijuar unë raportin me artin më ka bërë që vështirësitë ti kthej në dobi. Në teatër kjo është si moto”, tha Andrea për ATSH-në.
Në fillim të karrierës së saj Ema Andrea është prezantuar nëpërmjet kinemasë dhe u bë një personazh shumë i dashur edhe për vetë karakterin që ajo solli në këtë film. Ema na tregon fillimin e rrugëtimit të saj në art, si hyri në këtë botë që ajo e quan si shumë të dashur, madje fatale.
“Unë kam hyrë nëpërmjet filmit “Një vajzë dhe një djalë”. Kristaqi më ndjek dhe unë i them që më keni ndëshkuar që më futët në kinema sepse është një dashuri fatale. Pastaj historia ime me kinemanë ndërpritet dhe rikthehem nga Bujar Alimani që i jam mirënjohëse për këtë film me titull “Vëthi i munguar””, shprehet Andrea.
Pandemia shkaktoj një shkëputje të madhe të publikut me teatrin si edhe në shumë fusha të tjera. Gjatë kësaj periudhe nuk ofrohej asgjë në skenë për shkak të kushteve, por sapo u mor vendimi për tu hapur institucionet artistike, menjëherë Ema vuri në skenë shfaqjen e saj si regjisore me titullin “Kombinat”. Kjo shfaqe u vu në skenë në bashkëpunim më “Teatrin Metropol” dhe Ema na tregon se si mori jetë dhe u zhvillua ky projekt.
“Çdo formë eksperimentimi në art bëhet për publikun dhe ne kemi këto koncepte. Për herë të dytë ftohem nga Teatri Metropol dhe ky është pjesë e projektit AIDA. Është projekt rajonal ku marrin pjesë Mali i Zi, Italia dhe Shqipëri. Unë aplikova dhe fitova për të ripunuar si regjisore. Olsi Lelaj ka bërë një studim antropologjik dhe nuk është thjesht punë teatri mbi Kombinatin dhe jetën e njerëzve që e ndërtuan jetën dhe punën e tyre. Ky vend ka qenë gjithmonë një pjesë e veçantë e qytetit. Këta njerëz e ndërtuan këtë vend. Dikush ka dashur ta prish këtë vend, por dhimbja më e madhe është e njerëzve që kanë punuar dhe jetuar aty. Brezit të ri i bënte çudi ta kuptonte këtë gjë, se si njerëzit vijnë zënë vend dhe bashkë me punën ndërtojnë edhe familjen, anën artistike dhe e mbajnë fortë nga frika se mos i zhbëhet dhe kjo më vlen mua për të bërë një shfaqje. Unë kam punuar në hapësira të braktisura, gjithmonë është tendenca për ti rizgjuar këto hapësira dhe ti jap edhe një funksion jashtë asaj që ka patur dikur”, tregon për ATSH-në Andrea.
Mbi sezonin e ri artistik, i cili pritet të nis në shtator Andrea shprehet se, “jam duke ndërtuar dhe aplikuar për projekte dhe do të vij me produkte të mira dhe për momentin jam në proces personal krijimtarie. Natyrisht që mëndja nuk rri dhe nëse kam kushte të realizoj. Tirana vitin tjetër do jetë edhe kryeqyteti europian i të rinjve, e performancave në hapësirat publike”. /atsh