Emërohet Këshilli i ri i Qendrës Kinematografike të Kosovës

Është emëruar Këshilli i ri i Qendrës Kinematografike të Kosovës, në përbërje të pesë personave.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim drejtorin e QKK-së Arben Zharku dhe anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

“Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka këtë përbërje: Arbnesha Grabovci, Jeton Zogjani, Luan Daka, Linda Shala, Burim Reçica, përfaqësues i MKRS-së”, thuhet në komunikatë

Gjatë këtij takimi Dumoshi i njoftoi anëtaret e rinj të këshillit drejtues për gjendjen aktuale të kinematografisë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht QKK.

“Dua ta falënderoi paraprakisht ish-këshillin drejtues të QKK-së për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Ju pret një sfidë e madhe e cila kërkon mund dhe angazhim dhe kjo patjetër që do arrihet me profesionalizëm dhe përkushtim”, u shpreh ministrja Dumoshi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të përkrahë në vazhdimësi QKK-në si nga ana profesionale dhe nga ajo financiare. MKRS do të jetë çdoherë mbështetja më e madhe e industrisë së filmit pasi që filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për ligjin e ri të QKK-së i cili së shpejti do të kalojë në Qeveri për aprovim.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku i uroi anëtarët e rinj dhe i njoftoi për punën dhe sfidat nëpër të cilat do të kalojnë.