“Emigrimi i ngjalave”, një roman për shtegtimin e njeriut në kohë

Ndue Dedaj


Nga Ndue Dedaj

Luan Starova nuk do të ishte në Panairin e Librit, si shumë shkrimtarë të tjerë që nuk rrojnë më. Por ai, ndërkohë, ishte aty, pasi ishin librat e tij. Kohë më parë, mbesa ime, Ema, më dhuroi pikërisht një vepër të tijën, romanin “Emigrimi i ngjalave” (“Botimet Poeteka”, 2019), blerë tek “Adrioni”, të cilin me ta përfunduar së lexuari, po ua rekomandoj edhe juve.

Tashmë rekomandime të tilla janë si “autografët” e munguar të autorit, që jepen vetëm nga ajo çfarë është letërsia e vërtetë. Nuk kam ndërmend ta analizoj romanin, por po ju them se ka fatin e të gjitha veprave letrare moderne, që për mendimin tim, nuk janë asnjëherë në kohën e kryer. Kjo vepër është pjesë e një cikli romanesh të Starovës që përbëjnë “Sagën ballkanike” të tij.

Ngjarjet zhvillohen fill pas Luftës së Dytë Botërore buzë Liqenit nga buron një lumë, në njërën nga republikat fqinje. Fabula është më se e zakonshme, ndër të tjera, ndërtimi i një dige për të prodhuar dritë elektrike, por arti i të shkruarit e bën tejet interesante.

Teksa partia revolucionare ishte e vendosur për ta ndërtuar atë, përballet me mendimin e shkencëtarëve, se nëse kjo do të ndodhte, atëherë do të ndalohej emigrimi mijëravjeçar i ngjalave, që nga liqeni shtegtonin në dete e oqeane, për t’u rikthyer përsëri. Thënë më thjeshtë, ajo digë do të shkatërronte natyrën dhe natyralitetin e jetës së njerëzve që rronin rreth e qark Liqenit.

Sigurisht diga është simbolika, në këtë rast muri mes Lindjes dhe Perëndimit, jo në kuptimin e thjeshtëzuar se nuk do të ndërtoheshin hidrocentrale. Njëri nga personazhet shprehet: “Njerëzit do të çlirohen prej Stalinit dhe stalinizmit, sepse ai nuk mund të jetojë përjetësisht. Por, më e vështira do të jetë largimi i stalinizmit që kanë brenda vetes.

Njerëzit këtu janë të qetë, të heshtur, të butë, të mësuar me faktin që janë të pushtuar. Me siguri, Stalini do të ketë shumë pasardhës”. Pra, ishte një luftë ideologjike, klasore, që shihej dhe parandjehej që në të gjallë të diktarorit rus. Po sipas dy personazheve, njëri shqiptar e tjetri sllav, fitimtarët e Luftës “e ndjenin veten në një udhëkryq, në labirintin e ri të Ballkanit”, të ndërgjegjshëm se “edhe mund të humbnin në atë labirint, por duhet të ruanin shpresën se do të gjendej një rrugëdalje” dhe për këtë “Ata duhej të ndiqnin shtegtimin e ngjalave”.

Emigrimi i ngjalave është metafora e emigrimit shqiptar dhe ballkanik si një fat i pashmangshëm, pavarësisht kohërave dhe sistemeve politike. Veç të tjerash, romani është një poemë e rrallë dashurie për Liqenin, si burim i jetës, ekzistencës, që shtjellohet përmes kumtit se vendi nuk duhet “ndërtuar duke shkatërruar”.

Autori shkruan se “kufiri mes dy vendeve ishte dhe kufi ndërmjet dy shpirtërave”. Disa nga simbolikat e romanit janë: liqeni, ngjala, varka etj.
Në letërsi nuk është si në realitet, ku gjerat mund të kenë një cak, limit, apo mund të futën në korrnizë e të varën në mur si një fotografi që i përket të shkuarës…

ObserverKult


Lexo edhe:

NDUE DEDAJ: TRE POETË TË NJË STINE, SPROVË KRITIKO-LETRARE