Emin Z. Emini: Nuk shkohet përtej vetes

eja e vogla ime
ka ardhur koha të luajmë dhe ne lojën tonë
ashtu siç me njëri-tjetrin luajnë civilizimet

të prekim një qiell të panjohur të parrahur deri më tash
të harrojmë gjithçka e të bëhemi të sjellshëm
të mos gabojmë më

si thua
me nder të themi para luleve të shpirtit
lojën
ta pagëzojmë me emrin e dalur boje
dashuri

nëse të pëlqen e quajmë me terma post-postmodern e eksta-ekzistencialistë
nevojë interes
në daç interes e nevojë bashkë
dhe kështu shenjtërohemi duke ngulur këmbët në tallabak

pse jo gënjeshtër
do të ishte aq bukur

kryesorja ta djegim mjegullën e të rinjihemi me pamjen tonë prej klounësh
të shpëtojmë pa na shpallur heretikë e hokatarë
mëkatarë
të çmendur

sipas kutit të të tjerëve
të bëhemi pjesë e lumturisë së botës së madhe
dhe për këtë mjafton të mos vdesim
duke besuar në dashuri

pastaj të shkojmë po patëm ku të shkojmë përtej vetes
shpirtdhembja ime
moirë