Emina Cunmulaj rrëfehet para Edi Ramës: Gjatë luftës në Kosovë ushtria jugosllave rrinte afër shtëpisë sonë…

emina çunmulaj

“Mund të them se jam ambasadore pranë dashurisë që kam për popullin tim. E ndoshta, ky prezantim si ambasadore e dashurisë që kam për vendin tim, kulturën time, traditat shqiptare, ato që kam në gjak mund të shihet si politikë. Por për mua kjo nuk është politikë, kjo është thjesht jeta”.

Kështu shprehet modelja e njohur shqiptare me famë botërore, Emina Cunmulaj në episodin e 11-të të podkastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, i cili tha se, “aktualisht është duke pritur edhe konfirmimin si “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë”.

“Jam rritur në atë vend e kur jam rritur vetë në atë vend, as 90% e gjërave që janë sot në Tuz, nuk kanë ekzistuar. Prandaj vetë kam dalë atë ditë, kam dalë edhe para 4 vitesh dhe do vazhdoj të dal.

Jo për politikën, por për atë që është për popullin tim. Ata që e meritojnë, e di se e meritojnë”, theksoi Cunmulaj.

Ajo u shpreh se, “kjo është dashuria ndaj popullit tim. Në qoftë se quhet politikë, le të jetë politikë pastaj”.

“Unë për atë që shoh me sy të ballit, luftoj për atë. Unë kur e shoh Tuzin sot, që zhvillohet dhe vazhdon të zhvillohet, do të luftoj për të ardhmen e popullit shqiptar. Aty, në trojet shqiptare të Malit të Zi. Thjesht, asgjë tjetër.

Nikën e shoh si dikush që ka ardhur në pushtet dhe ka bërë shumë gjëra që nuk si kanë bërë njerëzit përpara, që e kanë pasur për 30 vite. Unë sot i mbush 38 vjet. Është hera e parë në Mal të Zi që rruga është asfaltuar deri te shtëpia ime si duhet. Gjynah! Turp!

Pse se kanë bërë të tjerët? Kanë pasur buxhetin. Janë gjëra të thjeshta. Janë gjëra elementare që të ekzistojë vendi, që t’i kemi dhe ne kushtet si malazezët. Shkolla fillore që kam qenë, është hera e parë që e kanë rinovuar. Pse s’është bërë kjo para 30 viteve ?

Një ambulancë e kemi 24 orë. Në një prag emergjence, të ndodh diçka me fëmijën në 2 të mëngjesit, të ikësh në Podgoricë? I jap fëmijës diçka për të ngrënë, i mbetet në fyt, çfarë të bëj? Derisa të mbërrij në Podgoricë, çfarë do ndodhë?

Të më vdesë fëmija rrugës? Është hera e parë që kemi drita në Tuz si duhet. Të ecësh natën dhe të shohësh dikë, një shesh. Falë jush dhe bashkisë Tiranë, kemi një shesh të bukur në Tuz. Këto janë gjëra që nuk mund të shkojnë pa u parë. “you can’t turn a blind eye to things that you see’’. Thjesht kjo! Kjo tani quhet politikë, në rregull, s’ka problem, por për mua është dashuria drejt popullit tim dhe ata që besoj që e meritojnë”, nënvizoi Cunmulaj.

Kryeministri Rama tha se, “shumë respekt nga ana ime për këtë dhe ndërkohë, nuk të mjafton Mali i Zi, merresh dhe me Shqipërinë. 

E kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë, se me thënë të drejtën nuk të njihja, unë nuk jam ndjekës shumë i këtyre rrjeteve sociale, përveç se në atë pjesën që më detyron puna, por e kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë nga Arbër Hajdari, i cili është një djalë fantastik.

Edhe ai politikë me dashuri bën, s’merret me politikë, po faktikisht nuk i rrihet pa ndihmuar të tjerët, jeton madje me pasion për të ndihmuar të tjerët, dhe keni bashkuar forcat për të çuar përpara përpjekjen e “Fundjavës Ndryshe”, çfarë do me Shqipërinë?

Pse ngatërrohesh me Shqipërinë? Se mirë hajde, në Tuz ke dashurinë edhe s’të lë nevoja për asfalt te rruga e shtëpisë, po këtu çfarë do?”

“Gjaku nuk është ujë! Mos harro! Vetëm se na ndajnë kufijtë, nuk na ndan shpirti. Unë e kam njohur Arbërin prej një mikes sime, ku në atë kohë unë kërkoja një organizatë bamirëse në Shqipëri sepse kam dëgjuar shumë gjëra që ndodhnin në Shqipëri që mendoja që do mund ta ndihmojë popullin shqiptar. Edhe në atë kohë Arbri kishte filluar “Fundjavën Ndryshe”. Ishin duke punuar një gjë fantastike dhe i kam thënë Arbrit, që këtë ditë mua më ke, jo vetëm ambasadore, por ndihmëse.

Dua të shkoj me ty drejtpërdrejtë, dua të ndihmoj familjet, të jem aty, t’i mbaj dorën, t’i them që çdo gjë do jetë ok , ta dinë që do kenë një shtëpi që të jetojnë rehat.

Nëna ime ka qenë dikush që po t’i hyje në shtëpi, nuk të linte të dilje nga shtëpia pa të dhënë bukë për të ngrënë.

Edhe po të ishte lyps, edhe po të ishte president, edhe po të ishte pastruese, apo katundar, s’ka pasur lidhje se kush ishte.

Kur i hyje në shtëpi, ajo të jepte bukë për të ngrënë.  Dhe ne kur kemi qenë fëmijë në vitet ’90 më kujtohet lufta në Kosovë. Jemi fshati më i fundit në anë të Malit të Zi që kapet nga liqeni i Shkodrës.

Aty kanë kaluar refugjatët tërë kohës. Ushtria jugosllave na ruante shtëpinë, na vinte dhe sillej rreth e rreth shtëpisë për të parë  a kemi refugjatë në shtëpi se babi kalonte me sule këtej. Nëna ime rrobat tona ua jepte fëmijëve, i jepte të hanin dhe në mes të natës i kalonin në Shqipëri. Këto janë gjëra që kur je fëmijë ndikojnë tek ty, por ti nuk i di ato gjëra derisa të rritesh një ditë.

Mua nëna më ka vdekur tash 10 vite. Ajo pjesë e saj nuk më le të fle rehat, kur e di që njerëzit e tjerë nuk janë rehat. Edhe aq më shumë për popullin tim. Nuk di, është diçka që është shumë më e madhe se vet. S’mund ta shpjegoj”, rrëfen Cunmulaj.

“Megjithëse bashkëvuajtësi i juaj ka hotele, resorte nga më luksozet që mund të gjenden në botë, ti e merr atë për krahu dhe pushimet i bën në Mal të Zi dhe pak nëpër ujërat territoriale të Shqipërisë”, tha Rama.

Cunmulaj u shpreh se, “një ndër emocionet kryesore të njeriut është dashuria. Për mua, mendoj se gjithçka në jetë niset me dashuri, edhe në qoftë se ka mërzi, dhe nëse ka hidhërim.

Në fund të fundit gjithçka mund të rregullohet me dashuri. Kalohet gjithçka në jetë. Unë e dua vendin tim. E dua vendin tim, e dua popullin tim.

Kam ndërtuar dhe një shtëpi në fshatin ku jam rritur sepse dua që fëmijët e mi të mos harrojnë kurrë në jetë se nga e kanë nënën. Kjo është detyra ime. Vetë i them burrit: ti ke detyrën tënde si babë t’ju tregosh fëmijëve se nga vjen ti. Vetë si nënë e kam detyrën time.

Vetë nuk mundem t’i mësoj fëmijëve të flasin gjuhën iraniane, por vetëm mund t’i mësoj gjuhën shqipe. Ashtu siç e flas. T’ia mësoj fëmijëve gjëra që i kam ditur vetë gjatë gjithë jetës time qysh nga fëmijëria.

Kur kam ngrënë fasule, ne i themi grosh, kur kam ngrenë mish të thatë, kur kam ngrënë suxhuk. Fëmijët e mi janë rritur kështu.

Unë ndryshe nuk di. Kështu që i mësoj ato që di edhe ajo që di është dhe dashuria ndaj vendit tim. Në bregdetin e Adriatikut, është një ndjenjë që dhe kur futem në ujë e ndiej vetën ndryshe. Në Ulqin e kaloj sikur të jem në Maldive, ndoshta dikush do qeshë, por unë kam një qetësi, një rehatllëk që i themi ne, që s’mund ta shpjegoj.

Dhe tashmë dalëngadalë ia kam futur dhe burrit tim në gjak”.

Pyetjes së kryeministrit Rama se, çfarë ndiente kur dëgjonte keq për Shqipërinë dhe çfarë bënte, Cunmulaj u përgjigj se, “në përgjithësi nuk kam dëgjuar shumë gjëra të këqija për Shqipërinë,  kurse për popullin shqiptar, unë e kujtoj si vajzë 15 vjeçare herën e parë kur ika në Itali, fillimi i karrierës time dhe kur mbërrita në Itali po më thoshin: “sei venuta con canotto”, unë në fillim italishten e flisja, por jo tamam si duhej, por kuptova që kjo është një bazë raciste sepse shqiptarët në atë kohë pas komunizmit dolën me barka. Dhe aty e pashë se bota na sheh në një mënyrë pothuajse jo të keqe, por me një sy tjetër”.

“Dhe sot është koha që i kuptoj. I kuptoj emigrantët që dalin nga shtetet që nuk kanë kushte. I kuptoj të tëra. Por në fund të fundit, sot Shqipëria është në një vend që pak janë qytetet si Tirana. Unë them zhvillimi Tiranës nga vjet, në sivjet është drastik. Fatkeqësisht Mali i Zi, po të shkosh në Podgoricë është shumë më mbrapa se Tirana.

Dje kam pasur një bisedë të shkurtër me një shoqe që më tha, më pyeti a e sheh ti veten të ktheheshe në Ballkan? Pra 100%.

Fëmijën ta sjell në shkollë në Mal të Zi nuk e di ende a jam tamam e qetë. Por sikur të më thoshte burri nesër, do kalojmë në Ballkan. Do i thoja në rregull në Tiranë. ‘It’s a cosmopolitan city’. 

Kështu që, sot ka ardhur koha me artistët shqiptarë, me njerëzit që kanë një shtytje shumë të madhe të marketingut, se ti e sheh në rrjetet sociale artistë janë ata që duan t’i marrin gjithë të rinjtë mbrapa. E kanë parë shqiptarët, me Rita Orën, Dua Lipa, që shqiptarët nuk janë ajo që na kanë paragjykuar përpara. Në fakt, jemi njerëz që jemi me shkollë, me kapacitet punëtorë, me artistë, me të gjitha. Kështu që dalëngadalë po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye. Është diçka që vetëm rinia do e vazhdojë dhe do e pastrojë dalëngadalë”, tha Cunmulaj.

Ndërkohë Rama u shpreh: “Mendoj që jemi në një tjetër pozitë sot komplet. Në Itali sot nuk ka paragjykime për shqiptarët, përkundrazi sot ka respekt sepse janë imponuar.  Po edhe në Greqi mund të ketë raste por ka respekt se janë imponuar.

Madje nuk i sheh më njeri si një popull tjetër, por i shohin si pjesë e vetes. Edhe në Gjermani përkundrazi, kështu që në këtë aspekt është bërë një kapërcim i madh.

Nga ana tjetër, Shqipëria vetë, duke ndryshuar në mënyrë drastike siç e the po bëhet destinacion turistik i hatashëm dhe këtë vit.

Imagjino kur ne kemi filluar politikën me dashuri nga ana jonë, aeroporti i Rinasit kishte 300 mijë pasagjerë. Sivjet ne parashikojmë 6.5 milionë, ata të aeroportit thonë 7 milionë.

Dhe praktikisht Tirana sot është e mbushur me turistë të huaj nga të gjitha anët, restorantet, kafet edhe jugu kështu që është një situatë tjetër”.

“Megjithatë jam shumë dakord që ka shumë e shumë për të bërë, por mendoj që ti je njeriu i duhur sepse je edhe nga brenda gjithë suksesit në botën e modës, në botën e së bukurës, në rritje sociale edhe nga jashtë për shkak të personit që je dhe të njeriut që nuk i mjafton jeta me të sipërfaqshmen, po e quajmë,  por jeton shumë me brendinë”, shtoi Rama.

Modelja shqiptare tregoi edhe për fëmijërinë e saj dhe nisjen e karrierës si modele.

Ndërsa ajo dha një mesazh edhe për vajzat e bukura e të vogla që janë të tërhequra shumë nga bota e rrjeteve sociale, nga bota e shfaqjes së bukurisë etj.

“Vetëm përkushtim, përkushtim, përkushtim, lufto”, tha Cunmulaj.

Sa i përket projekteve të së ardhmes Cunmulaj tha se, “me menaxhim do të vazhdojmë gjithsesi.

Fokusi im është familja, fëmija, se unë kam 3 fëmijë të vegjël; 7, 5 dhe 2 vjeç. Kështu që të gjitha këto i bëj përballë asaj se kryesorja është se jam nënë një herë, pikësëpari. E pastaj të gjitha të tjerat në vend të vet.

Patjetër, bamirësia është diçka që do të vazhdojë, është diçka që nuk do ndalem kurrë. Tani jam edhe në një bord spitali, një ndër spitalet më të mëdha ne Miami, “Baptist Hospital’’.

Aty jam si përfaqësuese e bordit kryesor, kështu që edhe ajo është një gjë e madhe për mua sepse dedikimi është shumë i lartë.

Tani kam edhe një rol, tip ambasadori i konsullatës dhe do të merrem në një nivel shumë të lartë me këtë. Edhe shumë gjëra të tjera që ndoshta do të mbahen sekret derisa të realizohen”.

“Kjo ishte konsullja e nderit e Republikës së Shqipërisë në Florida. Kjo ishte shqiptarja kokëfortë prej katundit që ka ngjitur shkallët dhe ka bërë yllin e vet të shkëlqejë në majat e modës dhe kjo ishte nëna shqiptare që nuk dorëzohet kurrë”, tha Rama në përfundim të podcastit me modelen e njohur shqiptare./ATSH

Linku i videos:

ObserverKult


Lexo edhe:

EMINA ÇUNMULAJ SHPËRTHEN NË LOT GJATË EMISIONIT, KJO ËSHTË ARSYEJA

Modelja dhe filantropistja, Emina Çunmulaj ishte e ftuar në emisionin “Historia ime”, ku gjatë intervistës me Mirela Milorin, u ndal tek nëna e saj.

Emina tregoi se do dëshironte shumë t’i ngjante nënës së saj, e cila ka ndihmuar shumë njerëz gjatë luftës në Kosovë.

Me lot në sy Emina u shpreh se njerëzit e pyesin pse ndihmon kaq shumë dhe përgjigja e saj ishte: “Nuk di ndryshe, dua t’i ngjaj mamit sa thoji i gishtit te këmbës”.

“Gjatë luftës kanë kaluar shumë refugjatë që mami im i ka dhënë bukë për të ngrënë, rrobat tona ua ka veshur atyre. Mami është një engjëll që e kam kudo me vete ku shkoj. Ishte një femër që ka qenë më e forta në këtë botë, ka luftuar për gjithçka. Së pari për veten, pastaj për 6 fëmijë se ne jemi 3 motra, 3 vëllezër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult