“Emrat të cilët mungojnë” si revoltë kundër dhunës në familje

Një filxhan i kuq i vendosur mbi përparësen e bardhë të kuzhinës, pikërisht tek organi gjenital i gruas, është njëri nga elementet që përmban instalacioni i artistit Arianit Beqiri i ekspozuar të shtunën mbrëma në Shëngjin.

I ndërtuar me enë të thyera, ky instalacion vë në pah përditshmërinë e gruas, vendin që shoqëria i ka paracaktuar – në kuzhinë. Në të ndërthuren morali, dhuna në familje e vrasja e grave.

Artisti nga Prishtina ka thënë se është e domosdoshme të trajtohet një temë, e cila, përveç dhunës në familje, është edhe ajo se çfarë shoqëria mendon për gruan.

“Në momentin e parë kur flet dikush për gruan, gjithmonë këtu nga këndvështrimi patriarkal i shoqërisë e mendon kuzhinën. Çfarë kam dashur të bëj me veprën time kur të flas për dhunën në familje, për vrasjet, të jetë ajo në dimensionin e tillë që e përshkruan pak a shumë një pjesë të ditës të secilës prej atyre grave”, ka thënë Beqiri.

Përmes vendosjes së filxhanit, në ekspozitën e quajtur “Emrat të cilët mungojnë”, ai ndërlidh dy gjëra.

“E para është organi gjenital, dhe e dyta është puna e vrasjes – gjaku. Dhe gjaku lidhet në disa aspekte edhe te morali, po edhe te vrasja”, ka treguar Beqiri.

Ai ka sqaruar se vrasja e grave nuk bëhet për shkak të vetëm një përplasjeje, por ka një vazhdimësi të tyre.

para se të vije te vrasja, ambienti në të cilin ata jetojnë ose ku familja jeton është ambient shumë toksik. Ka përplasje ndaj njëri-tjetrit, qoftë me fjalë, qoftë me mjete të ndryshme fizike”, ka thënë ai.