Shqipëria prej vitit 2015 është shndërruar në një vend tranzit për shumë emigrantë dhe refugjatë të vendeve të Lindjes së Mesme të cilët largohen nga lufta në kërkim të një jete më të mirë.
Korça si një nga pikat kyçe që e lidh pikërisht me pikën kufitare të Kapshticës u zgjodh si qytet i parë për të prezantuar një nga ekspozitat më të veçanta që portretizon rrugëtimin e refugjatëve dhe migrantëve që mbërrijnë në Shqipëri duke dëshmuar qëndresën dhe aspiratat për të ardhmen e tyre.
Një tjetër tragjedi që ka prekur mbarë opinionin publik në gjithë botën është pikërisht lufta e Ukrainës duke prodhuar për vetëm 1 muaj më shumë se 4 milionë refugjatë ndaj kjo ekspozitë e çelur në Korçë synon të tregojë se fenomeni i largimeve masive nuk është aspak abstrakt por më shumë se real duke dëshmuar jetën e refugjatëve dhe largimin e tyre nga lufta dhe bombardimet.
Pjesa më e madhe e fotografive që janë ekspozuar në ekspozitën “Ëndrrat që mbartim” nga fotografi Renuar Locaj janë realizuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës./BW