Shënime për “Anjeza nuk u zgjua”, një roman mbi dashurinë, nga Preç Zogaj
Nga Rudolf MARKU
1. Është disi e vështirë të shkruash për librin e një mikut tënd, sidomos në vendin tonë, ku shprehja ‘të bësh qoka”,- një nga shprehjet më të shëmtuara që më kanë zënë veshët-të rri mbi kokë si një karamanjollë.
Miqësitë në krijimtarinë artistike krijohen pikërisht nga ato afërsi të fshehta e të pashpallura orientimesh estetike, të shijeve të përafërta të leximeve, të pëlqimeve të krijimtarisë së lexuar. Është letërsia, muzika, piktura që të bën miq dhe jo e anasjella…Letërsia botërore dhe ajo e vendit tonë, prej kohëve që nuk mbahen mend, kanë pasur shprehinë e mirë të kamaraditetit letrar dhe artistik- krijuesit dinin t’i gëzoheshin krijimtarisë së mirë të njëri-tjetrit, të lexonin veprat e njëri-tjetrit dhe të shkruanin për njëri-tjetrin, duke krijuar atë klimë të domosdoshme të atmosferës krijuese, pa të cilën shumica e krijuesve do të asfiksoheshin. Aleksander Wat qe një krijues polak pothuajse i panjohur, derisa sa një brez poetësh polakë filluan të njihen në botë dhe të marrin vlerësime të tjera ndërkombëtare. Çeslav Miloš, fitues i Çmimit Nobel, bëri të njohur në Perëndim të paktën mbi dymbëdhjetë shkrimtarë të nënvleftësuar bashkëkohorë të Polonisë. Shembuj të tillë ka shumë.
Më falni për këtë parantezë, thjesht desha të kërkoj një amnisti nga dënimi me karamanjollën që përmenda në krye, ngase e pohoj që në fillim mëkatin tim se desha të flas fjalët më të mira për romanin e fundit të Preç Zogajt, një poet, romancier dhe publicist ndër më të njohurit e letrave bashkëkohore shqipe.
“Anjeza nuk u zgjua” është një roman mbi dashurinë, atë të përjetshmen, të cilën autori i romanit e ka dëshmuar përmes poezive në vëllimet që ka botuar njëri pas tjetrit, se e njeh mirë përgjatë përjetimeve vetjake dhe e shkruan më mirë poetikisht, si rrallëkush. Por ajo që njihet poetikisht nuk është e mjaftueshme që të jetë garanci suksesi për ta shkruar në prozë. Prozatorët madje do më siguronin, duke ruajtur me një farë xhelozie sinorët e tyre, se poezia e shkruar më parë i bën keq autorit që guxon të merret me prozën, sepse ai do të rrezikonte të binte në atë mëkat që quhet poetizmi i prozës. Prozatorët shpesh i këshillojnë poetët që të mos merren me prozë, po ashtu si lojtarët e regbisë që do ta këshillonin një kërcimtar delikat baleti që të mos luajë regbi. Në një rast të tillë, faji do të ishte i prozatorëve, të cilët do të dëshmonin se nuk i njohin muskujt e padukshëm të poezisë …Aq më tepër, pasi e ke lexuar me kujdes romanin e Preç Zogajt, ndihesh i lehtësuar tek ndien që në faqet e para të romanit, se në të kundërt, autori ka shkruar një prozë thellësisht realiste, larg çdo ngasje të joshjeve nga këngët e sirenave të poezisë… Poezia në fakt ndihet, se jo vetëm që nuk e ka penguar autorin të shkruajë një roman shumë të mirë, por në të kundërt, proza e shkruar e Preçit ka limfën poetike në atë masë sa i duhet limfa dhe një lisi për të qëndruar në këmbë që të mos rrëzohet nga erërat e kritikës…
2- Romani është historia e dashurisë mes Anjeza Jakjat dhe David Gjikës-dy të rinj që presin të vazhdojnë studimet e larta për të realizuar ëndrrat e jetës së tyre. Anjeza ëndërron të bëhet aktore, ndërsa Davidi ëndërron të shkollohet, të shkojë përpara, të fitojë dinjitet, të ketë çfarë t’i premtojë për të ardhmen Anjezës. Por jeta në provincë -në Lezhë dhe në Patalanë – është një makinë grirëse ëndrrash. Një histori që futet në narracionin linear të romanit si papritur, historia e Marta Ballgjinit, jeta tragjike e saj, martesa e saj absurde, arratisja nga shtëpia dhe refuzimi nga prindërit dhe nga i vëllai, deri te vetëvrasja e saj në përrua, në një si yrt të shkretë mes maleshjanë një paralajmërim elokuent i fatit të Anjezës. Ajo që duket si një fragment i shkëputur nga romani, kthehet në një çelës sekret për ta kurdisur emocionalisht dhe kuptimisht romanin…
“Anjeza nuk u zgjua” është një libër për fatin tragjik të femrës shqiptare-jo përmes skematizmit te vjetër të fajësisë së Kanunit dhe as përmes skematizmit modern të kompleksit të fajësisë antifeministe. Fati tragjik i femrës shqiptare është si një sinonim i tragjizmit të vetë jetës shqiptare. Davidi është po aq tragjik, në fund të fundit.
Romani ka pasur vështirësitë dhe kurthet e veta, të cilat autori i ka kaluar me mjeshtërinë e një profesionisti të stërvitur për një kohë të gjatë me zejen e të shkruarit dhe sidomos i ka kaluar falë tërheqjes së ndjeshme ndaj letërsisë së mirë dhe talentit të padiskutueshëm për të shkruar një letërsi të mirë. Edhe këtu më duket se poeti Preç Zogaj e ka ndihmuar natyrshëm dhe me masën e duhur prozatorin Preç Zogaj!
Ngjarjet zhvillohen në një qytet real dhe në një fshat real, një qytet i vogël dhe një fshat edhe më i vogël, dhe jam i sigurt, menjëherë pas leximit, se njerëzit do të fillojnë të kërkojnë identifikimin e personazheve me njerëzit realë dhe me ngjarjet reale. Ky është shpërblimi që merr letërsia realiste, telashet e identifikimit të fantazisë me realitetin. Dhe nga ana tjetër, joshja e leximit është më e madhe drejt fantazisë, ndodhive që nuk kanë ndodhur, por që duhej të kishin ndodhur, sesa drejt ndodhive që kanë ndodhur, dhe që njerëzit shpeshherë do dëshironin t’i harronin sesa t’i kujtonin përmes leximit të një libri. Jam i sigurt që në këtë sfidë është autori që fitonsepse romani është shkruar me mjeshtëri, me një ritëm të admirueshëm, me qartësi dhe kthjelltësi stilistikore, me dialogë dhe përshkrime bindëse, me një gjuhë që nuk është më e autorit, por e karaktereve të veprës. Figurat e Anjezës, Maries, Davidit dhe më vonë, figurat që dalin në pah përgjatë shtjellimit të subjektit- Arjan Luna, Visi, Koli, Maksi-janë karaktere që zhvillohen në logjikën e vetë ngjarjeve dhe është një meritë e Zogajt që figurat njerëzore janë të besueshme, si të kundërt me logjiken e personazheve manekinë të shumë veprave të botuara te ne, që lëvizin nga tërheqja e spangos nga një dorë jo dhe aq e padukshme e autorëve.
Pjesa e fundit e romanit, ajo me titull “Në vend të Epilogut”, më duket dhe pjesa kulmore e kreshendos së romanit. Anjeza dhe Davidi janë tashmë Romeo dhe Zhuljeta të markës shqiptare. Një poeteshë e re, E.B., dëshmon gjatë një mbrëmjeje me shokët dhe miqtë ku sekush është ftuar të tregojë për një gjë që e ka mahnitur në jetë, pamjen e Anjezës dhe të Davidit në gjumë, në tren, ndërsa treni dhe klepsidra e kohës po vrapojnë drejt fundit tragjik. “U kishte rënë një nur që s’dukej si i kësaj bote”, thotë ajo. Pastaj, në konkluzion të mahnitjes së saj: “Engjëjt nuk e dinë kush janë, por neve na qëllon t’i shohim ndonjëherë”.
Një fat tragjik i Anjezës, që mbyll dhe fatin e saj dhe të Davidit, duke i hapur derën e mirëseardhjes një romani që lexohet me një kënaqësi të trazuar, si të gjithë librat e mirë të letërsisë së kësaj bote.