Enver Hoxha më 3 dhjetor ’46: Ekzekutojini Aleks Vasilin e Mirush Përmetin

Enver Hoxha

Dokumenti i 3 dhjetorit 1946/ Si e aprovon dënimin me vdekje diktatori, për dy të dënuar për “sabotimin e tharjes së Kënetës së Maliqit”…

Ky dokument i firmosur nga Enver Hoxha, në 3 dhjetor 1946, i hap rrugë ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje, nga gjyqi për “Kënetën e Maliqit”. Përmes këtij dokumenti, ku  theksohet me shkronja të kuqe fjala “vdekje”, Enver Hoxha kërkon që t’i njoftohet data e ekzekutimit dhe t’i përcillet fjala e fundit e të ekzekutuarve.

Si të gjithë shkresat e këtij lloji, që shquhen për gjuhën makabre, edhe ky dokument i viteve  të para të regjimit komunist, me nënshkrimin e diktatorit në fund, dëshmon egërsinë dhe etjen për gjak të regjimit, që në ditët e para të tij.

Dy të dënuarit me vdekje Aleks Vasili dhe Mirush Përmeti, hasen si emra në një varg dokumentesh të procesit gjyqësor për “sabotim kënetën e Maliqit”, gjyq i mbajtur në nëntor të vitit 1946.

Më poshtë, e sjellim të plotë tekstin e këtij dokumenti dhe faksimiljen e tij.

Republika Popullore e Shqipërisë

Gjykata e Naltë Ushtarake

Nr.08-101 prot. REZ.

Tiranë, më 3. XII. 1946

Landa: Aprovim dënimi

Gjykatës Ushtarake

Tiranë

Gjegje Shkresës  Nr.1753.Datë.2 Dhjetor 1946.

Aprovohet ndëshkimi me vdekje i dhanun prej asaj Gjykate kundra:

1)      Aleks Fili Vasili, nga katundi Alarup dhe banues në Korçë

dhe

2)      Mirush Bedri Përmeti, lindur në Manastir (Jugosllavi) dhe banues në Tiranë

Na njoftoni datën e ekzekutimit  dhe vullnetin e tyre të fundit

Ministër’i Mbrojtjes Kombëtare e Komandant Suprem

Gjeneral Kolonel  Enver Hoxha

(Firma)