Jusuf Buxhovi: Epistemologjia e diktaturës

Nga Jusuf Buxhovi

Proza më e re e shkrimtarit Besnik Mustafaj do të mbetet e shënuar për dy momente prosedeale. Së pari, për shfaqjen e shkrimtarit, me emër e mbiemër (Besnik Mustafaj, diplomat) – si personazh.

Dhe së dyti, për tri novela, që ndonëse të ndara, formësojnë triptikun e epistemologjisë së diktaturës në përmasat që deri më tani nuk janë parë në prozën tonë të kësaj natyre.

Momenti i parë, pra shfaqja e shkrimtarit në rolin e personazhit (diplomat në Paris) thyen konvencat e rrëfimit në vetën e parë, apo në vetën e tretë.

Në novelën e parë “Fajtori” dhe në të dytën “O tempora!”, ambasadori Besnik Mustafaj kthehet në bartës të konstruimit të ngjarjes.

Në rastin e parë, tek rrëfimi i një emigranti nga Shkupi në Paris (Hamza Sinani), si kronist, ambasadori Besnik Mustafaj, merr përsipër shpalimin e një intrige jetësore e kthyer në politike, siç ishte ajo e miqësisë së Hamza Sinanit me akademikun maqedonas Hristovski, më vonë ambasador i Maqedonisë në Francë, nga dosjet e policisë jugosllave, e shëndrruar në një konstrukt prej nga Hamza Sinani kthehet në “një armik” të Jugosllavisë titiste.

E gjitha do të mbetej ad acta po që se pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas, nuk do të promovohet në “patriot”, pra në kundërshtarë të regjimit jugosllav, paçka se nuk ka qenë i tillë.

Ndaj Hamza Sinani nuk do pajtohet me atë epitet të shpifur për nevoja të politikës ditore dikur dhe tash, gjë që do të kërkojë “shpëtim” nga “ndërhyrja” e shkrimtarit!

Ndërsa në rastin e dytë, në novelën “O tempora!”, gjithnjë si ambasador i Shqipërisë në Francë, ballafaqohet me dramën e intelektualit Zenel Meça, i burgosur politik (i akuzuar si spiun francez), që si përkthyes i njohur nga frëngjishtja, sjell të përkthyera në shqipe disa nga veprat madhore të letërsisë franceze.

Drama e Zenel Meçës, nuk ka gjithaqë të bëjë me burgun prej dymbëdhjetë vitesh dhe  internimit të rëndë. Përkundrazi, ajo shfaqet tek vitet e tranzicionit ( mbi tridhjet sosh), që nuk e lirojnë as nga paranoja e frikës dhe as që e kthejnë në “njeri të lirë”.

Përkundrazi, Zenel Meça, ka probleme të mëdha me “lirinë e papërdurshme”, me “lirinë e pavlerë”, me vetminë e papërballueshme dhe të tjerat e atij lëmshi deri në atë masë sa të kërkojë azil në Francë, për të vdekur atje!

Është kjo njëra ndër ironitë më të faktuara të kësaj natyre në letrat tona, ku viktima e diktaturës nuk ia del të lirohet nga ndrydhja e shpirtit, në rrethanat e reja, që doemos kërkojnë përshtatje shpesh edhe të pandershme, ku shpesh viktimizimi konvertohet në “heroizëm”, kthehet në një pasaportë për përfitime të pamerituara.

Gjendja e re dhe pamundësia të lidhet me të, neveria që i sjell ajo, Zenel Meçës i kthehen në një pasthirrmë shpëtimi ndaj një gjendje të pakthyeshme, siç ishte ajo e rinisë dhe edukimit të lirë në Paris, gjatë kohës kur i ati ishte ambasador i parë i Mbretërisë Shqiptare në Francë.

Ndonëse “rrëfimet” e Hamza Sinanit nga Maqedonia (si shtetas francez) dhe ato të Zenel Meçës nga Tirana locohen në Paris, ku ambasadori Besnik Mustafaj merr përsipër rrëfimin e Sinanit “ta kthejë në një histori”, ndërsa rastin e Zenel Muços ta përcjell në raport me këmbënguljen e përkthyesit shqiptar që përballë autoriteve franceze të nxjerr të vërtetën se nuk ishte agjent francez, siç ishte dënuar në Tiranë, megjithatë, dramat e tyre kthehen në Maqedoni dhe në Shqipëri.

E para, gjatë përndjekjes politike të shqiptarëve kur ata angazhoheshin për barazi dhe identitet kombëtar dhe se në mungesë të saj shumëkush kërkon shpëtim në emigrim.

Ndërsa e dyta, në gulagun shqiptar, ku doktrina ideologjike kishte kthyer në armiq çdo gjë, çdo vlerë të brendshme dhe të jashtme, pa kursyer edhe çrrënjosjen e dinjitetit njerëzor deri te përmasat e paparashikueshme!

Dioptria e shkrimtarit këtu (ambasadorit Besnik Mustafaj), nxjerr në pah qëndrime që bien ndesh me konvencat e njohura shoqërore dhe politike në botën shqiptare, kur në njërën anë paradigma e diskursit “të mërgatës së qyqes”, saora anbllok kthehet në “patriotizëm dhe atdhedashuri”, dhe në tjetrën anë, pasqyron absurditetin e abrakadabrës shpirtërore shqiptare në rrethanat e tranzicionit, me ç’rast ndërrohen edhe pozicionet midis viktimës dhe xhelatit e anastjellatas!

Të dy këta personazhe ngrejnë çështje të ndërlikuara të moralit të pamoralshëm brenda një shoqërie e cila ndryshimet nuk i sheh si mundësi çlirimi të konvertohe në liri të plotë me gjithë korpusin e vlerave që përfshin ajo, por në një mundësi për përfitime ndër më të ultat, e ku dalin në pah anët më të liga njerëzore!

Këtu dhe te këto çështje, me një filigranizmëm të jashtëzakonshëm, shkrimtari nxjerr në pah përmasat e psikomatikës së diktaturës shqiptare, ndër më të egrat e kohës.

Meqë pasoja pa shkak nuk qëndron siç nuk mund të ketë shkak pa pasoja, por që letrarisht këto raporte qoftë edhe të zhdrejta mund të shfrytëzohen për pasqyrimin e dramave të brendshme të përmasave të thella, këtë e arsyeton novela e fundit “Fabrika për prodhim armiqsh”, si një lajtmotiv i asaj që mund të quhet edhe triptik.

Edhe te kjo novelë, ndryshe nga diskurset e trajtimit të temave të tilla nga sfodi i diktaturës dhe tranzicionit të papërfunduar, të shumtën bardh-zi dhe me prirjet skajshmërisht diskredituese-përfituese, shkrimtari, këtë herë, jo si Besnik Mustafaj, por si rrëfyes i natyrshëm, nga brenda, kapë trekëndëshin më të ndërlikuar të institucionit ideologjik të diktaturës: sigurimin e shtetit me mekanizmin e inkuizicionit, inkuizicionistët si dhe viktimat e shumta.

Në të vërtetë, raportet midis Abdi Golemit – drejtues i Sigurimit të Shtetit, të birit Dashnorit (Dashos) dhe bashkëshortes, janë raporte tejet makabre brenda për brenda një familje, ku i ati, Abdi Golemi, jashtë çdo kodi moral, njerëzor dhe prindor madje, ku mbrojtja meçdokusht e fëmijës është çështje gjenetike, për të fshehur një skenar të infiltrimit të tij në “radhët e diversantëve”, të birin, bashkë me të ëmën, e dërgon në një kamp pune, ku qëndron katër vjet.

Kthimi i familjes në normalitet, pas kryerjes së misionit dhe shpalljes “hero”, në të vëretetë i hap udhën dramës që ndërtohet brenda për brenda  mospajtimit të të birit me të atin, dramë kjo që do të kthehet në një armiqësi të përhershme midis tyre, po edhe armiqësisë së të birit me diktaturën dhe mekanizmat e saj jo mbi baza ideologjike po të metodologjisë së shkeljes së të gjitha parimeve njerëzore, ku sakrifikohet edhe familja për qëllime të tilla të sistemit!

Ndonëse novela ka titull sugjestiv (Fabrika për prodhim armiqsh), me çka shpjegohet karakteri i një shoqërie të tillë që për ta forcuar diktaturën dhe për ta mbajtur atë prodhon armiq të përhershëm edhe nga radhët e veta, megjithatë, shkrimtari përqendrohet pikërisht te pasojat që nxjerrin në pah dramën e thellë brenda për brenda mekanizmave të diktaturës, ku konfliki babë-bir merr përmasat më çnjerëzore, deri në atë masë sa i biri dëshiron gjenetikisht të mos jetë i lidhur me babën.

Ndërsa i ati, kur sheh prirjen e të birit kundër diktaturës dhe mekanizmave të saj, pra kur e sheh se mund t’i kthehet në “kob”, kërkon mbrojtje duke e shpallur të të çmendur! Shpalljen e të birit “të çmendur” e bën që ta mbrojë vetën nga kafshimi i pashmangshëm i sigurimit të shtetit.

Nga ana tjetër, çertifikata mjekësore si i çmendur me të cilën do të pajiset, për t’u mbrojtur nga burgosja, Dashoja e di se është  për mbrojtjen e të atit prej të birit dhe armiqësive të tij ndaj regjimit, ngaqë mekanizmi i sigurimit të shtetit që drejton ai, është orvellian, përfshinë të gjithë, madje edhe bartësit e tij, siç do të ndodhë në të vërtetë, me fatkeqësinë e kurdisur të komunikacionit ku ai humb jetën bashkë me shoferin.

Eleminimi i tillë i të etë, Dashon do ta lirojë nga ndjenja e ndërgjegjes së papastër për shkak të tij në krye të një mekanizmi vrastar, siç do ta lirojë edhe nga “certifikata e të çmendurit”, për t’iu kthye sado kudo jetës së “njeriut të lirë”.

Por, pikërisht kthimi i përkohshëm në realitet dhe ndjesia e lirisë pa damkën e të çmendurit, do t’i kthehet në kob, kur do të burgoset me aktakuzën e “armikut ideologjik”. Këtë akuzë të pritshme edhe do ta pranojë pa kurrëfarë kundërshtimi.

Madje edhe si satisfakcion që shpirtërisht kishte qenë i privuar prej shfaqjes së saj nga “mburoja” e të atit, por që e gjitha do t’i përmbyset me atë që hetuesi do t’ia thotë troç se fatkeqësia e komunikaconit kishte qenë e kurdisur nga vetë sigurimi i shtetit, që “heroi” i gjallë të mbrohej nga “tradhtia” e të birit, që doemos do të burgosej!

Dashoja, pra me ato që do t’i thuhen nga hetuesi: “Ti, bastard i ndyrë, vrave babain tënd, heroin tonë. Këtë nuk ta falim kurrë”, nga i vrari duhet të kthehet në vrasës!  

(Besnik Mustafaj: “Fajtori”, novela. Botoi “Onufri”, Tiranë, 2022)

ObserverKult


Lexo edhe:

JUSUF BUXHOVI NË KUJTIM TË PROFESOR ZEKERIA CANËS: BETOVENI, POEZIA, SHIU…

Në kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur nga plejada e gjeneratës së artë të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta , që i dha impulse lëvizjes kombëtare për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.

Nga Jusuf BUXHOVI


Pranvera e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit. U desh korriku që përfundimisht ta kthejë verën e mbetur.
Në atë ndërkohën e lagështisë, u shfaq befas diçka që për pak daroviti zymtësinë e saj. Ishte muzika e Betovenit dhe tingujt e “Simfonisë së pestë” që ndryshoi gjendjen tonë shpirtërore.
Ky ndryshim ndodhi në saje të profesorit të historisë, Zekeria Cana. Ditën që erdhi në klasë, me vete kishte një gramafon dhe disa disqe.
Pa folur shumë, hapi kutinë dhe pasi vuri në të një disk, kërkoi që të dëgjojmë me vëmendje tingujt që me të shpejtë mbushën hapësirën e klasës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult