Nga Naum Prifti
Gjithkush që ka lexuar epitafet e Fan Nolit në fund të vëllimit të parë të “Don Kishotit”, është befasuar nga bukuria e thjeshtësia e tyre, nga mishërimi i thukët dhe simpatik i karakterit:
Këtu dergjet Don Kishoti:
Ish i fort’ e ish i zoti,
Botën prapa desh ta kthente
Dhe me ushtën ta mbërthente.
Gjetja e qëlluar e epiteteve, rrjedhshmëria e vargut dhe metrika e përsosur na lejonin t’i mësonim përmendësh me një lexim dhe t’i recitonim me dëshirë e qejf:
Këtu brenda fle Dylqinja:
Se ç’këndonte si mëllinja!
Ish e kolme, rrumbullake,
Faqe-kuqe, pupulake.
Të hartuara me frymë popullore, sipas modeleve të bejteve që këndoheshin në raste të ndryshme, ato u bënë shpejt pasuri e kulturës shqiptare, për shkak të rembit humoristik, të cilësorëve të saktë, të portretizmit të bukur e të kursyer në katër vargje.
Këtu dergjet Rosinanti:
Ishte më interesanti
Nga çdo kalë që kulloti
Barin që ka bërë Zoti.
Kureshtja më shtyu të shihja origjinalet në spanjisht që të vëreja nëse përkthimi i Nolit qe besnik, apo i lirë, ku përkthyesi ruan idenë, kujdeset që të kenë frymë komike, pa qëndruar rob i fjalëve. Vallë qysh mund të tingëllonte në origjinal epitafi kushtuar shqytarit besnik Sanço Pança?
Këtu dergjet Sancho Pança:
Si ay s’ ka parë Mança!
E kish barkun sa një kosh,
E kish kokën fare bosh.
Duke dashur të kryej një vështrim krahasimor, shfletova përkthimin anglisht të veprës, botim i vitit 2004, me ilustrimet e piktorit Gustav Doré dhe me shpjegime të hollësishme për Mesjetën, por nuk gjeta epitafe për personazhet e njohur përveç epitafit për Don Kishotin. Më tej qëmtova origjinalin në spanjisht, edhe aty s’kishte asnjë rresht për Dylqinjën, për Sanço Pançën apo për Rosinantin.
Më duhet të pranoj se qysh prej kohës së leximit të veprës, nuk kisha pasur fije dyshimi, se epitafet gjendeshin në fund të vëllimit të dytë të Servantesit, ndërsa Noli e pa të arsyeshme t’i spostonte te i pari. Tani më rezultoi se të katër epitafet e botuara te Don Kishoti janë krijime origjinale të Fan Nolit. Madje dhe epitafi për Don Kishotin, në origjinal ka tetë vargje, ndërsa Noli e ka përmbledhur në katër vargje, çka na lejon ta quajmë adoptim.
Miguel Servantesi shpjegon se epitafi i përket poetit Sansón Carrasco, por ai nuk është person historik, as poet i njohur, por personazh i romanit “Don Kishoti,” pra emër i shpikur nga autori, çka nuk lë dyshim se vargjet janë të vetë Servantesit.
Pas këtij zbulimi fatlum, mund të pyesim a ka kryer Noli shkelje të së drejtës së autorit, apo mosrespektim të etikës profesionale?
A mund t’i shtohen tekstit origjinal tri epitafe nga përkthyesi pa dhënë asnjë shpjegim?
Fan Noli ishte përkthyes i sprovuar, me kulturë e horizont letrar të pashembullt. I udhëhequr nga vetëdija dhe talenti e tij, Fan Noli nuk shkeli asnjë nga rregullat etike të përkthimit dhe të respektit ndaj autorit. Ai eci në tragën e çelur para tij nga poetë të njohur e dashamirës të kryeveprës “Don Kishoti i Mançës” botuar së pari më 1605.
Në botimin spanjisht gjenden një sërë sonetesh nga disa autorë: Anvadis De Gaula, Don Belianis de Grecia, La Señjora Oriana, Gandelin, shqytar i Amadis of Gaul, El Donoso, (the Motley poet), Orlando Furioso, The Knight of Phoebus, Solisdan, madje dhe nga një anonim, kushtuar “Don Kishotit”, “A Dulcinea del Toboso”, “Sancho Panza”, dhe “Rossinanti-t”. Sonetet e tyre klasike me 14 vargje të shkruara në anglisht, frëngjisht, spanjisht kanë zënë vend te botimet spanjisht të “Don Kishotit”. Botuesit i futin ato për të treguar dashurinë e të huajve për personazhet simpatikë të Servantesit.
Në gjurmët e tyre, Fan Noli e pasuroi veprën me vargje origjinale kushtuar Dylqinjës, Sanço Pançës dhe Rosinantit, veç adaptimit për Don Kishotin. Prej hulumtimit të deritashëm, epitafet e Fan Nolit të shkruara shqip, nuk njihen nga kritikët e romanit. Nuk dyshoj se po të përktheheshin spanjisht ose anglisht, epitafet e mrekullueshme të Nolit dhe t’u dërgohen botuesve, ata do ta renditin krah autorëve që i kanë dhuruar karaktereve të Servantesit një pjesë nga ‘uni i tyre letrar.’
Mjeshtri i Don Kishotit në shqip, Fan Noli, ka sjellë në kohën tonë ngjarjet e romanit, shpirtin e Kalorësit të Arratisur si edhe frymën dhe modelin e komplimentimit të shkallës më të lartë në kohën e Mesjetës, duke na falur epitafet perla për Don Kishotin, Sanço Pançën, Dylqinjën dhe Rosinantin.
Këtu dergjet Don Kishoti:
Ish i fort’ e ish i zoti,
botën prapa desh ta kthente
dhe me ushtën t’a mbërthente.
Këtu brenda fle Dylqinja:
se ç’këndonte si mëllinja!
Ish e kolme, rrumbullake,
faqe-kuqe, pupulake.
Këtu dergjet Sanço Pança:
si ai s’ka parë Mança!
E kish barkun sa një kosh,
e kish kokën fare bosh.
Këtu dergjet Rosinanti:
ishte më interesanti
nga çdo kalë që kulloti
barin që ka bërë Zoti.
ObserverKult
Lexo edhe:
10 KURIOZITETE PËR DON KISHOTIN, BOTUAR PËR HERË TË PARË MË 16 JANAR 1605