Nga Eqrem Çabej
Nga shtyllat e Shekullit të Ri të verës, si dhe nga ato të gazetës së Re duket çiltas se një epidemi grafomanie paska kapur shumë “krena të naltë!” Kush në jetën e tija ka pasur raste të mësojë anglishten nëpër fabrikat e Amerikës, gjermanishten në tabar-in e Vjenës, frëngjishten në Monto-Martre, italishten në Kafet’ e Barit, sot, i fryrë si gjel deti, na del përpara, i stolisur me rrobën transparente të pseudonimit, e..o tempora, o mores!-me gjest dramatik na flet mbi filologji! Avanta pra! Parturiunt montes, nascetur ridiculus mus!
Pra, sikur në fletoret e Perëndimit ndodhet feuilleton-i, tek ne nuk do të mungojë, si frukt pas buket, nji artikull “filologjik”, i cili ka misionin, si ç’duket, të zëvendësojë një zakon shqiptar që është duke u shuar: luftën e gjelave. Nën maskën e shkabës, këta gjela luftojnë trimërisht me njëri-tjetrin, duke u gjakësuar por dhe me maskë që jeni, e dimë se jeni gjela, o gjela!…
Po kush ju tha të futeni nër labirinthet e gjuhës! E me ç’të drejtë e quan tjetrin “ignorant” vetëm pse është kundërshtar i “ideve filologjike” të tua!
A është kjo filologji? A imponohet njeriu me sharje?
Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide. Jo për inate personale, për ç’fryrjen e të cilavet janë të çelura kaq gjykatore!
Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon mjaft vjet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me exaktitudë mathematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (sevère) e më exakte që munt të jenë në botë.
Se të mos ishte kështu, nuk rrinte Gustav Mayer-i të merresh tridhetë viet me radhë me albanalogji d.m.th me studimin e asaj gjuhe të shkretë, të cilën “filiologët” t’anë sodit, të dalë shpejt si kërpudhat pas nji shiu, janë duke e përçmuar në nji mënyrë të tillë!
Kurrkush nuk ka të drejtë mbi gjuhë pa u pa marrë viet me radhë me studimin e vërtetë të saj! Kurrkush! Se gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar! Dhe mos e ngani thesarin me duart t’uaja, zotrinj dilettanta!
Gjuha është nji element i naltë kulture, nuk është nji objekt mode! Nuk mundet të “riformohet” aq shpejtas sa çmundet secili të vishet à la Perrot për Karnaval!
Kush ju ka shtyrë ju të shkruani mbi gjuhë? Kur keni manin’e shkrimit, pse nuk shkruani ç’të doni mbi numismatikë, grafologji, mathematikë, theologji, përmbi fizikë, anatomi, analytikë e histori? E t’a lini rehat këtë gjuhë të shkretë, e ta punojnë të tjerë të cilët merren me të vërtetë me studimin e saj?
Kush do të shkruaj mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëve indo-europiane përgjithërisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanalogët e huaj, numri i të cilëve është’ aq i math, sa studimi i tyre lip viet me radhë pune të pareshtur.
Se fililogjia nuk është zbavitje, është larg nga dilentatismi. Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!
ObserverKult
——————–
Kliko edhe:
KUR ENVERI I SHKRUANTE RAMIZIT: EQREM ÇABEJ TË MOS DALË MË JASHTË SHTETIT
PSE EQREM ÇABEJ E “FSHIU” HIMNIN E TIJ?
EQREM ÇABEJ SHKRUANTE KËSHTU PËR FAN NOLIN, PASI KY KISHTE NDËRRUAR JETË
EQREM ÇABEJ U NDOQ NGA SIGURIMI I SHTETIT DERI DITËN QË MBYLLI SYTË…