E arrestuan më 27 janar 1945, që, për rastësi, 60 vjet më vonë do të kthehej në Ditën Përkujtimore të Holokaustit nga OKB. Atë ditë në shtëpinë e tij kërkonin një shtetas tjetër të huaj që nuk e gjetën, megjithatë, hebreu nga Gjermania, i larguar nga vendi i tij për shkak të përndjekjes, mbeti në burgjet komuniste. Në moshë dhe i sëmurë, pavarësisht kërkesave për ta sqaruar gjendjen e tij, ai ndërroi jetë në spitalin e burgut si “armik i popullit”
Sikur pjesa më e madhe e hebrenjve të mos ishin larguar nga Shqipëria me ndërmjetësinë e UNRRA-s, ata do të bënin pjesë në një komunitet të konsiderueshëm të përndjekurish nga regjimi komunist. Ata që ngelën këtu e provuan këtë gjë.
Më 14 nëntor 1944 një togë partizane i lidhi duart me pranga të vjetra një qytetari të huaj i cili kishte ardhur në Shqipëri në kohën e Zogut. Emili gjeti strehim në Shqipërinë bujare të kohës së mbretërisë, pasi nuk kishte shtetësi. Gjermania ia pat hequr atë.
Organet e institucionit gjakatar me emër humanitar Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, e kishin zakon që po të ishe i huaj, aq më tepër hebre, të plasnin brenda si “agjent”, pavarësisht se as kishin ndonjë provë në dorë.
Dosja e hebreut në fjalë është ndër më të trashat që kemi trashëguar nga komunizmi. Pjesa penale e saj është shumë e vogël, diku te 10 faqet dhe pjesa tjetër përbëhet nga lloj – lloj dokumentesh që nuk kanë lidhje me akuzat e bëra në drejtim të Emil Bastit. Ishte karakteristikë e kohës që mjaftonte të bëhej arrestimi pasi për akuzat do mendohej gjatë rrugës. Kësisoj një dosje e tillë e trashë, nuk ka asgjë për sa i përket faktit se cili ishte shkaku që Emili ishte “armik i popullit”.
Emil Bast ishte listuar midis 27 personave të ndjekur për arsye politike. Organet hetimore komuniste e kishin përfshirë atë krahas karakteristikave për Hekuran Osmanin, Behar Polovinën, Bilbil Hajnin, Bajram Xheladin Koltrakën, Bajram Pustinën, Besim Shimën, Bedri Pejanin, Beqir Sinën, Beqir Malokun, Banush Goskovën, Bajram Sulejmanin, Bajram Çermën, Baftjar Sulejmanin, Bajram Muzhaqin, Bajram Koldashin, Giovanini Bufalon, Besim Pazarin, Bahri Omarin, Bajram Merkoçin, Beqir Valterin, Beqir Malokun, Bahri Skënderin, Bilal Nivicën, Luighi Brunellin, Bajram Daliun dhe Bexhet Qafën.
Të gjithë këta ishin kategorizuar si kontingjent progjerman dhe si të tillë duheshin gjykuar, sigurisht ata që gjendeshin në Shqipëri dhe ata që nuk do i dorëzoheshin jugosllavëve si rasti i Bedri Pejanit.
Hetuesia
Komisioni hetimor i formuar prej Mynir Tiranës, Andrea Jakubinit (të dy përfaqësues të Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut Tiranë) dhe Jahja Hatibit (përfaqësues i Rinisë Antifashiste), hartonte procesverbalin e marrjes në pyetje të qytetarit Emil Bast.
Në procesverbalin e rastit thuhej:
“Sot më datë 27.1.1945 ditën e shtunë pasdite, komisioni hetimor i formuar si më sipër, erdhi në Spitalin Civil të Tiranës për të marrë në pyetje të pandehurin e burgosur politik të quajturin Emil Bast, mbasi i pandehuri nuk dinte shqip por përpos gjermanishtes dhe italishtes, u mor si përkthyes i quajturi Ettele Zaccaria shtetas italian i burgosur dhe i shtruar në spitalin civil si i sëmurë, që di mirë dhe gjuhën gjermanisht me anë të këtij u pyet i pandehuri.
Përkthyesi u betua se përkthimin do ta bënte me të drejtë dhe pa të shtuar. Nga gjermanishtja përkthyesi Ettele Zaccaria i shpjegonte në gjuhën italiane dhe përkthimi në shqip u bë prej shokut Mynir Tirana që e di mirë italishten.
I pandehuri kur u pyet tha se quhet: Emil Bast, i biri i Valentinos dhe i Anna Kvajc, lindur në Berlin më 27.12.1885, i martuar, ka një vajzë, i padënuar ndonjëherë, me shkollë gjimnaz, tregtar, i arrestuar me datë 14 nëntor 1944, si u pyet deklaroi si vijon:
Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1937, si i persekutuar prej regjimit nazist. Gjatë kohës së Italisë fashiste kam qenë i arrestuar si antifashist, por mbasi ruaja në zemër dhe mbaja lidhje fizikisht shumë i dobët për shkak të pleqërisë sime, u lirova. Në Shqipëri nuk jam marrë me ndonjë punë dhe kam jetuar me ato pak para që kam mundur të kursej. Jam arrestuar ditën që kanë mbërritur partizanët në Tiranë, mbasi gruaja ime kishte marrë pranë vendit një shoqe të saj Emma Plansgummel. Për këtë arsye ajo parë shpeshherë duke shëtitur me italianë e gjermanë dhe të tjerë që mund të kenë dyshuar. Unë nga ana ime nuk kam njoftuar e as që kam pasur relacion me gjermanin, kam qenë gjithmonë në shtrat për dy vjet rresht”.
Letra e Emil Bastit nga pavijoni i të burgosurve në spital
Nga trajtimi i keq, Emili shkoi një letër, përmbajtja e së cilës është si më poshtë:
“I nënshkruari Emil Bast, i lindur në Berlin, me 17.9.1886, i biri i Valentinit dhe Annës, ndodhem i burgosur në burgun e armiqve të popullit, që prej 14.11.1944, pa u marrë deri sot (gati 2 vjet) asnjëherë në pyetje dhe pa m’u komunikuar asnjë akuzë, prandaj marr lejen të paraqis këtë lutje:
Unë i lutem asaj, P.T. Prokurorie që të shqyrtojë sa më shpejt çështjen time, mbasi unë jam në një gjendje shëndetësore shumë të rëndë dhe ndodhem pothuajse vazhdimisht në spitalin e këtushëm. Sa për një sqarim po ju rreshtoj momentet kryesore të jetës sime, për t’ua lehtësuar kuptimin se unë ndodhem ndoshta gabimisht në burg.
Mbasi t’i kemi marrë parasysh arsyetimet e mia, që po i rreshtoj më poshtë, ju lutem të merrni një vendim sa më shpejt:
Qysh prej rinie unë kam qenë një socialist i organikës së Partisë së Karl Libenecht, me të cilin kam qenë mirë personalisht dhe me familjen e të cilit jam akoma në lidhje miqësore (këtë mund ta vërtetoj nga një pako letrash të marra në shtëpinë time nga Organet e Mbrojtjes së Popullit, ku ishte një letër e Karl Librenechtit – e vjetër prej 1919 – dhe shumë letra të tjera të Dr. Wilchelin Librenecht. Letra e Karlit e vitit 1919 më është kërkuar mjaft herë nga qeveria sovjetike si dokument me rëndësi për muze!
Nga terrori i vëzhgimit, u detyrova të largohesha nga Gjermania shumë herë nga disa muaj deri sa në 1936 u largova njëherë e përgjithmonë.
Më 1938 u vendosa në Paris ku mbeta deri në tetor të 1938, kur duke paraparë një luftë, në mes Francës dhe Gjermanisë, u largova për atje.
Në tetor 1938 erdha këtu në Shqipëri, ku kam jetuar krejt i virtytshëm si emigrant. Të gjithë më njihnin këtu në Tiranë si një i ikur.
Më 20.7.1940 më kanë hequr kombësinë gjermane dhe më kanë përjashtuar nga nënshtetësia. Këtë, si dhe më kanë shikuar gjithnjë keq nga konsullata gjermane këtu dhe për çdo gjë tjetër përmbi personin tim mund ta vërtetojë përkthyesi i Legatës Gjermane Nuredin (mbiemrin nuk ia di) i cili banon në Tiranë.
Në vijim të kësaj, me insistimin e konsullatës gjermane, në muajin shkurt të vitit 1942 u arrestova bashkë me gruan time si antifashist dhe mbeta në burg deri në prishjen e fashizmit (fundi i korrikut 1942). Kur erdhi ushtria gjermane në Shqipëri, unë u fsheha në shtëpinë time dhe nuk dola pothuajse fare nga shtëpia, mbasi isha i sëmurë në burg dhe pasojat e asaj sëmundjeje nuk më kanë lënë deri më sot.
Edhe nga të thënat më sipër, kuptohet lehtë se për ndonjë bashkëpunimin tim me nazizmin dhe nazistët nuk mund të bëhej as fjalë.
Është për t’u theksuar se në ditën e arrestimit tim, organet e Mbrojtjes së Popullit kërkonin një person tjetër, mandej pyetën se e kujt është shtëpia dhe mbasi morën vesh se atje banon një gjerman, pyetën: Ku është? Më pas erdhën në spital ku unë isha sëmurë dhe më çuan në burg. Theksoj edhe njëherë, pra, se organet e Mbrojtjes atë ditë kishin ardhur në shtëpinë time për të kërkuar dikë tjetër dhe jo mua, ndërsa dyshimi eventual për mua u lind vetëm ngaqë unë jam gjerman (një gjerman pa nacionalitet).
Mbasi e kisha kuptuar kështu dhe vetëm kështu arrestimin tim, prisja që çështja të zgjidhet ashtu siç meritonte, por mbasi shoh se kam mbetur në harresë, po marr lejen për të dërguar këtë lutje se çështja ime do të merret në shqyrtim me mirëkuptim dhe me besimin e plotë në drejtësinë e popullit shqiptar”.
Vdekja
Më 13 maj 1948 Seksioni i Punëve të Brendshme të qytetit Tiranës, njoftoi Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit se i burgosuri “armik i popullit” nga Berlini Emil Bast, vdiq në spitali më 28 prill 1948./kujto.al
LEXO EDHE: Ndodhi nga komunizmi: “Po më takove vajzën, t’i thuash se e kam dashur shumë”