Kisha brenda shpellës, ja çfarë fshihet në Librazhd

eremite

Në trevat e Librazhdit të sotëm ndodhen disa shpella, të quajtura shpella eremite, ose shpella kisha, si në fshatrat Koshorisht, Skroskë dhe Urakë. Në muret e tyre shkëmbore ka piktura murale me tematikë biblike.

Në njërën prej këtyre shpellave, në fshatit Koshorisht, ndodhet një nga pikturat më të mëdha shpellore në Shqipëri. Piktura e shpellës eremite të Koshorishtit ka disa skena. Ato bartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike.

Krahas skenave biblike janë pikturuar edhe tetë figura njerëzore. Mendohet se i përkasin familjes së njohur të aristokracisë shqiptare, asaj të Aranitëve.

Para se të flasim për shpellën eremite, për pikturën dhe vlerat e saj, na duhet që të themi dy fjalë për eremitët. Kush ishin dhe çfarë përfaqësonin?

Kush ishin eremitët?

Në fillimet e kristianizmit, disa burra dhe gra, të cilët e kishin përcaktuar veten e tyre si ndjekës të Krishtit, praktikonin këshillat ungjillore, kishin vendosur t’i kushtoheshin jetës së Krishtit, duke e imituar atë. Bënin jetë vetmitare kushtuar Perëndisë, secili në mënyrën e vet. Shumë prej tyre, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, u bën eremitë.

Termi “eremit” (shqip: “vetmitar”) është thënë fillimisht për një murg të krishterë, që jetonte i vetmuar, i ndikuar nga bindjet e tij fetare. Fjala “eremit” vjen nga fjala greke ἐρημίτης (erimitis), që fjalë për fjalë do të thotë “e shkretëtirës”. Nënkupton shkretëtirën, pra një vend të pabanuar, të “vetmuar”.

Termi “vetmitar” është përdorur jo vetëm për të krishterë që bënin jetë të izoluar, por edhe për besimtar të feve të tjera. P.sh., të Budizmit, Hinduizmit, Islamit (Sufizmi) etj. Në përdorimin modern, fjala “vetmitar” tregon një njeri që jeton larg nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Eremitët e krishterë kanë jetuar në vende të izoluara. Kryesiht në shpella natyrore, ose në banesa të vetmuara që ishin të vendosura në shkretëtirë, në faqe mali, apo në pyll. Ata ishin të fshehur nga sytë e njerëzve. Bënin një predikimi të heshtur ndaj Zotit, të cilit eremiti i kishte dorëzuar jetën e tij. Me dëshirën e tij eremiti hiqte dorë nga shqetësimet dhe kënaqësitë e kësaj bote.

Më të shumtën e herës ata e kalonin kohën me lutje të vetmuar dhe me punë. Eremitët ishin të kërkuar për këshilla shpirtërore dhe për mbrojtje. Disa prej tyre patën shumë dishepuj (pasues). Në Kishën Lindore eremitë bënin një jetë jo vetëm me lutje. Ata kryenin edhe shërbime ndaj komunitetit të tyre. Eremiti ishte një vetmitar në dispozicion të të gjithë atyre që kishin nevojë për të.

Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat kisha, siç i quante populli janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto trevat kanë jetuar dhe kanë zhvilluar aktivitetin e tyre fetar eremitët e krishterë.

Nuk dihet mirë se kur kanë mbërritur në Shqipëri eremitët e parë të krishterë. Studiuesi Neritan Ceka, në librin e tij “Iirët” (Tiranë 2000) shkruan se disa murgj të persekutuar, gjatë periudhës së sundimit të perandorit bizantin Kostandini V, u vendosën në trevat e shqiptare.

“Qëndrimi liberal i kishës së Dyrrahut, – shkruan Ceka, – bëri që të vendoseshin murgjit ikonodule trakas të persekutuar në kohën e perandorit Kostandini V. Ata zgjodhën për të banuar shpellat në Letëm të Librazhdit…, duke lënë edhe gjurmë nderimi për shenjtorët në afresket e pikturuara në faqet e shpellave”(Ceka, 2000).

Pikërisht për këtë shpellë eremite të Koshorishtit bën fjalë edhe shkrimi ynë.

Shpella eremite e Koshorishtit

Shpella eremite e Koshorishtit është shpella më e madhe dhe, për mendimin tonë, më e rëndësishme në Shqipëri. Ajo gjendet në fshatin Koshorit të krahinës së Çermenikës dhe është quajtur ndryshe “Shpella e kishës”. Fshati Koshorisht është i përmendur si vendbanim që në shek.e 15-të.

Figuron në një regjistër kadastral osman të vitit 1467, me emrin Kosharishtë. Duke qenë se shpella ndodhet në faqen e Malit të Letmit, ajo njihet në literaturën shkencore si “Shpella e Letmit”. Por shpella ndodhet në teritorin e fshatit Koshorisht, ndaj ne kemi preferuar që ta quajmë “Shpella e Koshorishtit”. Në vitin 1971 Shpella e Letmit (Koshorishtit) është shpallur Monument Kulture e Kategorisë së Parë.

Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë . Ndër më të njohurit ishin Prof. Theofan Popa, Prof. Dr. Akademik Andromaqi Gjergji, Prof. Dr. Dhorka Dhamo etj.

Studiuesi Th. Popa i ka kushtuar një kapitull të veçantë Shpellës eremite të Koshorishtit, në studimin e tij: “Piktura e shpellave eremite në Shqipëri” (“Shpella eremite mbi shkambin e Letmit”, Rev. St. historike/3,1965).

Në vitin 1982, gjatë një ekspedite etnografike në disa fshatra të krahinës së Çermenikës, për mbledhjen e të dhënave mbi veshjet popullore të krahinës u krye edhe një eksplorim në Shpellën e Koshorishtit. Kishte për qëllim hulumtimin e një nga monumenteve më të rëndësishme kulturore të krahinës. Po ashtu u hulumtuan edhe veshjet e disa prej figurave njerëzore të pikturuara në këtë shpellë.

Ekspedita ishte e organizuar nga Instituti i Kulturës Popullore dhe Muzeu Historik i rrethit të Librazhd. U drejtua nga etnologut i mirënjohur, Prof. Dr. Akademik Mark Tirta.

Shpella ndodhet mbi një shkëmb të thepisur, në faqen jugore të Malit të Letmit, në një lartësi prej 300 metra. Ka në një pozicion shumë të vështirë për t’u ngjitur. Ajo ka formën e një zgavre natyrore rrethore dhe thellësia e saj është rreth 8 m.

Në hyrje të saj shpella ka një gjërësi rreth 15 m. Më tej vjen duke u ngushtuar. Formohet një ambient si dhomë me dimensionet 7 x 5 m. Në hyrje të shpellës dallohen disa fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere. Ato dëshmojnë se shpella duhet të ketë qenë e mbyllur me mur.

Gjithashtu, në rrëzë të tavanit, duken disa gjurmë të gdhendura në shkëmb, që kanë shërbyer për të vendosur trarë. Studiuesi Theofan Popa ka mendimin se“shpella duhet të ketë pasë qenë shtrue me dërrasa…” (Popa, 1965).

Trarët dhe dërrasat duhet t’i kenë shërbyer piktorit të shpellës si skelë gjatë pikturimit.Tavani i shpellës është i suvatuar me llaç.Mbi të janë pikturuar, në formë kompozimi me rrathë dy skena në formë medalioni. Ngjitur me to eshte edhe familja e ktitorit në miniaturë.

Njëra nga skenat paraqet figurën e Shën Mërisë me Emanuelin (Krishtin fëmijë), kurse skena tjetër ka të pikturuar figurën e Krishtit Pandokrator. Th. Popa në studimin e tij i ka bërë një analizë dhe një përshkrim shumë të detajuar pikturave të shpellës.

“Pandokratorii pikturuem mbi gjoks e sipër, – shkruan ai në studimin e tij, – përfshihet brenda nji medalioni e paraqitet në qëndrim frontal. Tue bekue me të djathtën dhe tue mbajtë ungjillin me të majtën, veshun me mafor blu dhe himation të kuq. Me brerore të madhe ari të kryqëzueme me vizat që formojnë kryqin, të hapta pak aty ku bashkohen me vizën rrethuese të brerores.

Koka e Pandokratorit vjen pak në madhësi mbinatyrore, me flokë të mbështjellun e të përdredhun, lëshue nga mbrapa. Me sy të mëdhenj e vetulla të nalta, me hundë të drejtë, me mustaqe e mjekër të vogël. Pjesët e fytyrës janë ndriçue në mënyrë të njinjishme. Duerët vijnë tepër të mëdha në përpjestim me fëtyrën” (Popa, 1965).

Një përshkrim të hollësishëm i bën Prof. Popa edhe figurave të Shën Mërisë dhe Emanuelit. “Shën Mëria, – shkruan ai, – paraqitet e tipit Oranta. Me duer të hapta në qëndrim lutjeje deri në brez, nën maforin rreth kokës me nji napë blu të çelët.

Fytyra e saj paraqitet në formë vezake. Ka vetulla të trasha, të nalta, me sy të mëdhenj por çakërr. Edhe hunda eshte e drejtë dhe e prefët, me vizën rrethese të fytyrës të errët, që shtrihet si sfumaturë rreth qendrës së saj.

Pjesët e fytyrës ndriçohen në mënyrë të njinjishm. Duert i ka ma të vogla në përpjestim me fytyrën. Emanuelin e ka në krahnor, të përfshimë brenda nji medalioni. Ai është i veshun me stihar të badhë me pika ngjyrë tjegulle, me brerore të kryqëzueme, tue bekue me të djathtën e me ilitarion në të majtën.(Popa, 1965).

Nën krahun e djathtë të Shën Mërisë janë pikturuar shtatë figura njerëzore në miniaturë dhe nën krahun e majtë të saj edhe një figurë e tetë. Të gjitha figurat janë me duar të ngritura lart, në qëndrim lutjeje. Tri figurat e para janë femra, ndërsa pesë të tjerët janë meshkuj.

Nga meshkujt, i pari që vjen mbas grave, mban në dorë maketin e kishës. Th. Popa ka mendimin se në këtë pikturë paraqitet figura klitori i pikturës së shpellës dhe e familjes së tij. “Personat e tjerë pas klitorit, – shkruan Popa, – ka të ngjamë të jenë e shoqja dhe të bijat, kurse ata përpara djemtë”(Popa, 1965).

Një vend të veçantë zë në pikturën e shpellës eremite të Koshorishtit edhe një mbishkrim, i cili ndodhet ndërmjet fytyrës dhe krahut të djathtë të Shën Mërisë. Mbishkrimi është në greqishten bizantine. Th. Popa ka bërë edhe transliterimin, transkriptimin dhe përkthimin e këtij mbishkrimi, i cili është:

Nga ky përkthim del se piktura i kushtohej Shën Mërisë. Autor i saj ishte piktori Stano. “Rezulton pra, – shkruan Th. Popa, – që parklisi i asht kushtue Shën Mërisë, dhe së dyti që piktori i pikturës ka pas qenë nji farë Stano” (Popa, 1965).

Në ç’vit ishte krijuar piktura në shpellën e Koshorishtit?

Duke u nisur nga disa elemente të pikturës, siç janë stili i pikturimit, linjat arkaike të vizatimit, thjeshtësia e disa prej tipareve të figurave biblike etj., Th. Popa ka shprehur mendimin se këto elemente dëshmojnë për nji pikturë mjaft të lashtë. Për nji pikturë ndofta të periudhës së dinastisë së Makedonëve e të Komnenëve, e cila fillon mbas fitores mbi ikonoklastët (gjysma e dytë e shek.IX) dhe shkon deri në të XII shekull”(Popa, 1965).

Popa është i mendimit se piktura është krijuar para shekullit të 12-të. “Simbas tipareve që ka, – shkruan ai, – ne mendojmë se piktura e Shpellës së Letmit duhet të konsiderohet si e shek. XI-të. Ndofta e nji periode ma të herët” (Popa, 1965), duke lënë të kuptohet se ajo është një nga pikturat më të vjetra në Shqipëri.

Kujt familje i përket piktura në shpellën eremite të Koshorishtit?

Një aspekt i rëndësishëm në pikturën e shpellës së Koshorishtit janë 8 figurat njerëzore që studiuesi Th. Popa është i mendimit se janë figura e kritorit (dhuruesit) dhe e familjes së tij. Kujt u përkasin këto figura dhe kujt i kushtohet piktura e Shpellës së Koshorishtit? Prof. Theofan Popa, gjatë analizës që i bën pikturës së shpellës së Koshorishtit, nuk jep asnjë të dhënë se kush janë figurat njerëzore.

Ai nuk i identifikon ata, përveçse jep një opinion të shkurtër, se klitori “duhet të ketë pas qenë ndonjë përfaqësues i shtresës së pasun vendase të asaj kohe”. (Popa, 1965).

Por, sipas studiuesve, duhet të ketë qenë një familje aristokrate vendase. Lind pyetja: Kush ishte familja aristokrate në pikturën e shpellës së Koshorishtit?

Thamë më sipër se piktura ishte e shek. të 12-të. Prof. Dr. Ak. Dh. S. Shuteriqit, një nga studiuesit e njohur shqiptar që është marrë gjërësisht me origjinën e familjes së Aranitëve, shkruan se Familja Princërore e Aranitëve gjatë mesjetës së mesme (shek. XI-XV) kishte në zotërim krahinën e Çermenikës.

Në tre nga studimet e tij më të spikatura për aranitët, si: “Aranitët-Emri dhe gjenealogjia” (1965), “Aranitët-Zotërimet” (1967) dhe “Aranitia në vitin 1467” (1981), Dhimitër S. Shuteriqi, kishte dëshmuar me fakte të dokumentuara që krahina ku shtriheshin zotërimet e Aranitëve quhej “Aranitia”.

Aranitët që nga viti 1001 që përmenden në historinë e Shqipërisë. Domenat e Aranitëve, shkruan Shuteriqi, shtriheshin në Shqipërinë e Mesme. Ata e kishin qendrën e tyre në trevat e Librazhdit të sotëm (Shuteriqi, 1981).
“S’ka asnjë dyshim,- shkruan ai, – se … me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm…”(Shuteriqi, 1965). Në tekstin e Historisë së Shqipërisë (Tiranë 2002), shkruhet se një nga emrat e familjes së aranitëve ishte “Çermenika”.

Si përfundim mund të themi se figurat në pikturën e shpellës së Koshorishtit, që Prof. Popa shkruante se ishin një familje “e pasun vendase” (Popa, 1965). Nuk ishin tjetër veçse pjesëtarë të familjes Aranitase, sundimtarëve vendas të krahinës së Çermenikës.
Kjo pikturë e shpellës së Koshorishtit, që, siç e pamë, i përkiste familjes aristokrate të Aranitëve, është dokumenti më i hershëm që paraqet në mënyrë figurative një familje aristokrate shqiptare.

Theofan Popa është i pari studiues që tërhoqi vemendjen e veshjes në pikturë të klitorit dhe të familjarëve të tij. Ai i krahasoi me veshjet e banorëve vendas të krahinës së Çermenikës.

“Interesante këtu, – shkruan ai, – paraqitet veshja e sipërme e grave, me mangë të varuna nga mbrapa, njisoj si në mangoret e katrundarëve tanë” (Popa, 1965).

Shpella eremite e Koshorishtit ka kohë që është kthyer në një objekt të vizitueshëm turistik. Ajo vizitohet pothuajse çdo ditë nga vizitorë të ndryshëm të cilët shprehin admirimin e tyre për këtë vepër të rrallë të kulturës sonë të traditës.

Për fat të keq, piktura e shpellës eremite të Koshorishrir është dëmtuar shumë nga disa prej vizitorëve vandalë. Janë gërvishur muret. Janë shënuar emrat mbi to. Skena më e dëmtuar në pikturë është ajo e figurave njerëzore. Ajo që paraqet familjen aristokrate të Aranitëve.

Shpella ka mbi 40 vjet që është e shpallur Monument Kulture dhe mbrohet me ligj nga Shteti Shqiptar por nuk ruhet dhe ndodhet në mëshirë të fatit. /LibrazhdiOnline/

—————————-

Lexo edhe:

JA SI DUKEJ KISHA E LAÇIT MË 1936- ATY KU MBETËN TË PARALIZUAR 32 USHTARË TË ENVER HOXHËS

ObserverKult