Erich Maria Remarque: Duhej të të humbisja që ta merrja vesh këtë…

Nga Erich Maria Remarque

“…Po qëndroj këtu, jo më si një i vdekur me leje, më pak cinizëm, sarkazëm e me një çikëz guxim, jo më i ftohtë; jam përsëri i gjallë, qoftë edhe duke vuajtur, por sërish i prekshëm nga stuhitë e jetës, i rilindur e i rikthyer në pushtetin e saj të thjeshtë! Qofsh bekuar ti Mado, me atë zemrën tënde shtegtare, ti Nike me atë aksentin tënd latin!

Ëndërr dhe mashtrim, pasqyrë e thyer e një perëndie të ngrysur, o ti që s’di asgjë, të falenderoj! Kurrë s’kam për të ta thënë, se ti do të nxirje përfitimet e tua nga kjo, por ti ma ke rikthyer atë që s’do të ma jepte as Platoni, as krizantemat, as e gjithë poezia dhe as e gjithë mëshira, as dëshpërimi dhe as më e forta dhe as më e durueshmia shpresë: Jetën e thjeshtë, të fuqishme, të mirëfilltë, që më dukej si një krim në këto kohëra midis njërës katastrofë dhe tjetrës! Të falenderoj! Duhej të të humbisja që ta merrja vesh këtë! Mbetsh me shëndet!”

*Marrë nga “Harku i Triumfit”

Përktheu: Robert Shvarc

ObserverKult  


Lexo edhe:

REMARQUE: ËSHTË E ÇUDITSHME SI U KTHYE ÇDO GJË NË DASHURI…

Nga Erich Maria Remarque

E dashura ime, mora prej teje një letër që më ka lumturuar.

Në të thuhet çdo gjë që një njeri mund t’i thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund të m’i thuash.

Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund të shkojnë këtu fare pak.

E prapë se prapë çdo herë çuditem pa masë. Jo për gjë, por nga fakti që në një kohë të rrëmujës së madhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqni dorë nga këto kërkime, u bashkuan kokërr për kokërr.

Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund të mbajë brenda zemra ime.

Është e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë të rëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kërkoja, u zhytën në harresë.

E ç’mund të jetë më i mrekullueshëm se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa. Çfarë mund të lumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult