Ermal Meta, shqiptari më i famshëm në Itali, i thotë “Po” ftesës së Raimond Cimbit, Producent i emisionit mjaft të suksesshëm shëndetësor “Hipokrati” në Top Channel, për të rrëfyer ditët e tij të gjata dhe të zymta të karantinës.
Në një lidhje emocionuese nga Italia, këngëtari dhe kantautori shqiptar, do të jetë ditën e shtunë, 23 Maj, ora 17:00 në studion e “Hipokratit” për të treguar se çfarë i ka munguar në periudhën e gjatë të izolimit. Ai do të ndajë me publikun shqiptar frymëzimin me të cilin lindi kënga e tij e fundit “Finira` bene” (“Do të përfundojë mirë”) e cila u kthye në një hit – mesazh force dhe kurajoje gjatë periudhës së Pandemisë.
Admiruesit e tij, të cilët janë të panumërt në të dyja anët e Adriatikut, do të dëgjojnë prej tij sa i mungon Shqipëria dhe për çfarë e ka marrë malli “Made in Albania”.
Nëpërmjet bashkëbisedimit që Erjona Rusi do të zhvillojë me Ermal Metën, artdashësit shqiptarë do të zbulojnë se kur këngëtari i dashur i tyre do të jape koncertin e tij të shumëpritur në Shqipëri.
Në fund të bisedës, qershia mbi tortë do të jetë transmetimi për teleshikuesit shqiptarë i këngës “Amara terra mia” të të madhit Domenico Modugno, në një interpretim brilant të fituesit të Festivalit më prestigjoz të këngës Italia ne San Remo, Ermal Meta.