Ermonela Jaho me rolin e Violettes drejt çmimit “Këngëtarja e vitit”

Në garën e përvitshme “Opus Klassik” nderohen më të mirët e muzikës klasike. Këtë vit, në mesin e të nominuarve për këtë çmim gjerman është edhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho. Me rolin e Violettes në operën “La Traviata” të Giuseppe Verdit garon në kategorinë “Këngëtarja e vitit”. Botërisht, Violeta Valey shihet si një nga rolet e saj më të suksesshme dhe nuk është çudi që është nominuar pikërisht për këtë rol.

Sivjet, 450 artistë dhe produksione janë nominuar në 25 kategori të ndryshme. Ky është edicioni i tretë i “Opus Klassik”, që është ndërtuar mbi bazën e garës “Echo Klassik”, që për herë të parë qe mbajtur më 1994. Për fituesit vendosin njohës të muzikës klasike dhe një juri profesionale e cila përzgjidhet dhe jo siç ishte rasti me “Echo Klassik” ku fituesit përzgjidheshin nga “Federal Association of the Music Industry”, shoqatë që përfaqësonte rreth 280 produksione muzikore.

Çmimet në kuadër të “Opus Klassik” do të ndahen më 18 tetor në Berlin, në sallën “Konzerthaus”.

Të nominuarit e këtij vitit, sipas organizatorëve, janë “muzikantë të klasit botëror”, përfshirë sopranon italiane Cecilia Bartoli, pianistin austriak Rudolf Buchbinder, sopranon amerikane Renée Fleming, baritonin gjerman Christian Gerhaher, baritonin gjermano-rumun Konstantin Krimmel, pianistin gjerman Igor Levit, muzikanten gjermane Dorothee Oberlinger, dirigjentin rus Vasily Petrenko, sopranon spanjolle Nuria Rial dhe pianistin rus Daniil Trifonov. Sopranoja Ermonela Jaho garon përkrah 24 këngëtareve të tjera, po ashtu të njohura në skenën e muzikës klasike, transmeton ‘koha.net’.

Me rolin e Violettes, sopranoja 46-vjeçare kishte debutuar më 2008 në të famshmen “Royal Opera House” të Londrës. Ndër vite, me interpretimin në “La Traviata”, Jaho zuri vëmendjen e kritikës e mediave prestigjioze për energjinë që ajo transmeton në skenë.