Fati deshti qi ky Arbnesh, i ardhun nga kolonit italo-shqiptare, piknisht nga Greci i Puljes, t’ishte paraprisi i asaj lëvizjeje ndër letrat t’ona qi muer shembull e frymzim nga pasunija shprehëse popullore. Të gjithë e diejnë se ende sot n’ Itali jetojnë dyqindmij Shqiptarë, të cilët e lanë tokën e të parvet kah mjedisi i shekullit XV e qi gjithënji flasin shqip dhe ruejnë zakonet e gojdhanat e kostumet shqiptare, tue i paraqitun botës nji shembull të mrekullueshëm qindrese besnike ndaj atdheut t’origjinës.
Leondard De Martini preku s’pari tokën e stërgjyshave në vjetin 1865 i veshun me zhgunin e Shën Fraçeskut dhe frymzuem nga nji qellim i naltë misionar. Siellte me vete në shpirt edhe deshirin e ndezun, qi kurr s’ishte shkimë ndër italo-shqiptarë, m’e pa Shqipnin të lirueme nga zgjedha e osmanllijvet dhe të këthyme në rendin qi i përkitte, zojë në vete, e nderueme në mes shoqeve të Ballkanit. Banimi i tij i gjatë në Shkodër e ndër rrethe e vuni në gjendje me xanë mirë gegnishten. Ai la dialektin arbnesh e zgjodhi djalektin gegë si gjuhë shkrimi. Kaloi mot shum në Kuvend të Troshanit. Kuvendi i Troshanit, në kufi ndërmjet Zadrimës e Mirditës, qe nji fole e nxehtë prej kah çilën flatrat për fluturimet t’epra shum Etën Fraçeskaj. Përveç Fishtës aty poqën e forcuen vetit e rralla Gjeçovi, Emzot Prendushi, At Anton Harapi, Pashko Bardhi dhe nji tjetër tubë ma e re poetnësh e letrarësh, qi në çdo fushë I a zbardhen faqen e kombit. Ernat e maleve fryjshin në treme të Kuvendit t’sjellun të fshamet e nji populli fisnik, harrue nga Europa në prangat e Lindjes. Zadrima pjellore, e begatëshme, e blerët çilej para dritoreve të qelive ku rregulltorët lodhshin menden mbi libra të dijes e të fes.
Gjuha e katundeve shqiptare ka mbetun gjithkun e pastër, e thjeshtë, harmonioze dhe e fuqishme. Sidomos grat kanë shpëtue mënyrën e shprehjes së tyne nga përdhosja e fjalvet të hueja. Zadrimoret janë të hijshme e të squeta. Vesha e tyne asht plot ngjyra ashtu si edhe mënyra e shprehjes së tyne. Fishta lindi në Zadrimë dhe sigurisht gjallnin e fuqin e shprehjve qi përdori si ç’mos kush e pat trashigim nga e ama dhe e holloi e përmirsoi në fmijini midis grave e vajzave të vendlindjes.
At Leonardi fjalët e frazeologjin i mori ma të shumten nga banorët e Zadrimës dhe, për të parën herë, shtini e bani me gurgullue në letrësin t’onë valën e shprehjeve popullore. Freni i artit vepronte i fortë në të. Ai hartonte vjersha n’italishte qi janë të shënueme. Ishte i ushqyem me kulturë klasike. Në shqipe qe ndër ma të parët, qi me guxim kunorzue nga suksesi i plotë, vuni dorë në përkëthime të vishtira nga auktorët ma të përmendun italjanë. Në vjersha patriotike ase me subjekt fetar shtinte në perdorim nji pasuni bukur të gjanë fjalësh. Trajtat metrike, ma të ndërlikuem t’italishtes i shartoi ma i pari në vargënim t’onë. Qe nji tubëz e tija, plot madhëni e zhdërvjellti:
Ma e madhja dit’ motmotit prap i a mrrini,
Gjith hije e gjit gazmen po vjen ndër ne;
I nalti Zot dorën e vet na shtrini,
U zdrip prej qiellit Fjala e u duk mbi dhe.
Por ksi shmebujsh kemi po n’at kohë e pa ma përpara edhe në Zarishin e Bityçin. Ku spikatë origjinaliteti i De Martinit asht në vjershat gaztore. Aty lëvizja e frazës, fjalët, shprehjet janë ato të zakonshme të popullit, por të shtime në punë me zotsi e mjeshtri. Tallja e lehtë nuk del jashta qarkut të njerzis. Vjershtari nuk u ikë fjalve turqishte, sidomos atyne qi nji perdorim shekulluer ka rranjosë në gjuhë: xevendsimi i nji fjale turqishte të zakonshme me nje fjalë shqipe të rrallë, e din se mundet me i ndalë hovin dellit shpotar e me prishë tonin familiar të stilit. Fishta më vonë pohoi me një varg të famshëm: “Kaj’ fjalë turçe ban lazem!”.
Qe, kanga llafexhore (gaztore) kushtue Don Shtjefën Mazrekut, për ditën e emnit, piknisht ditën e Shën Shtjefnit më 26 të dhjetor 1868. At Leonardi rrinte në Troshan e Don Shtjefnit në Nënshatë, fshat qi ma vonë u shenjue si seli e Ipeshkvis së Sapës (Zadrimës). Ipeshkvi i fundi qe i vlerti Emzot Gjergj Volaj, i cili ra dëshmuer i fes nën plumba të komunistave më 3 fruer 1948.
Por të këthejmë tu vjersha e De Martinit;
Ti Don Shtjefën që rri n’shkrep
Me zahmet e me gazep
Shpejt nji dash të mirë na rep.
Festën t’ande qi asht sot
T’a gëzojshim për shum mot;
Rakin e ven’ si t’kemi plot.
Je xhymert e je bujar.
Shyqyr Zotit je shqyptar.
Erzin t’and kurr mos e dar. (mos e humb).
Pra mos t’dhimet nje ferklik,
Për dashtni t’ka ardhë ky mik
Me t’ba nderë e jo me t’fik’
Si t’kesh mish, venë e raki,
Mrapa, ishalla, për dhunti
Na çon Zoti ni tepsi
Na çon petlla e makarona;
Edhe ‘i bib’, në kjoftë, e dona,
T’i mbarojm këta zakona
Mbasi t’hami, mbassi t’pimi,
Mbi sexhadë pshtetun rrimi,
Rrijm’ tuj pi duhan sa t’kimi,
Si asht adetit n’Shqyptari,
Këqyr shpatllen ti qi di,
T’na kallzoj’ çka ban vaki.
Bashk’ me mue mandej qindro.
Un’ këndoj e ti këndo,
Si k’ndon zogu i verës-o.
Gjith ky qef e ky dyzen’
Dit’ e mot ka m’u përmend
neper turq e për t’kërshtenë.
Hovi i lëvizjes krejt shqiptare si të vargut ashtu të shprehjeve asht i dishiplinuem nga trajta metrike. Zakonisht shqiptari vargun tetërrokësh e perdorë në tubza ja monokolone ja katershe. Këtu tubzat kanë tetërrokshe me rimë të njajtë në gjasim të hymnit fetar: Stabat Mater Dolorosa.
Por shqiptare asht edhe krejt përmbajtja.
Në krahinën e Shkodrës e lusin Shejntin e emnit dhe at ditë e festojnë me miq e me sofër pa kursime. Duket se Don Shtjefni përmendej si prift koprrac (dorërudhët) jo tepër mikpritës.
Zhdrejtazi nëpër kërkesa të vjershtarit zakoni shqiptar i ditës s’emnit del gjallnisht i përshkruem. Nji dash ferlik (i pjekun në hell), nji tepsi me petulla, nji bibë (gjeldeti) e venë e raki e duhan. Mandej me i a thanë kangës, të mbështetun në plaf e shtroje (saxhade).
Ajo, qi mbas darke, tue pasë gotin e venës perpara, me i a thanë kangës, me këndue kandë vendçe, asht zakon qi Shqiptari pelqen shum.
Kjo , në letërsi shqipe, asht nji ndër ma të parat herë qi me fjalë të përditshme përshkruhet ardhëshëm me hollsina një zakon shqiptar.
At Leonard De Martini (1830-1923) vjershën gaztore naltshënue e botoi në veprën e vet “L’arpa d’un italo-albanes” më 1881.
*Titulli i origjinalit “At Leonard De Martini”,
Shkëputur nga Ernest Koliqi, “Kritikë dhe Estetikë”, Apollonia. 1999, Tiranë.
Përgatiti: ObserverKult