Ernest Koliqi: Të jam lutë mos me m’u idhnue. E kam ndie…

Ernest Koliqi

E dashuna, kur e pa tue ardhë n’at orë të jashtzakonshme, u çudit e, madje, edhe u trêmb nji fije. Por ai e qetësoi me dy fjalë t’âmbla e me nji nênqeshje plot dashuní.
-Më ka dhimtë kryet e s’kam shkue në shkollë hiç sot mbasdite.
Ishte e para herë qi mungonte në detyrë.
Nusha e muer për dore, buzqeshun, tue i folë si nji kalamâni të vocërr.
-Mirë fort ke bâ qi ke ardhë. Afër Nushës sate tash po të kalon dhimba. Hajde! Jam tue punue me nânën në çardak…


Në çardakun e çelun kah lulishta amsime lulesh valaviteshin, freskuese.
Drandja ishte ndêjë mbi një shtroje për tokë, e po bânte do pê lâmsh.
-Më fal se s’po çohem-tha tue u përshëndetë me Dodën.
Nusha u ul kundruell për me mbajte shkulin. Pêni i ngjymë kërcet nëpër gishta të bardhë e të njomë të vajzës e u mblidhte tue u rrotullue me shpejtí në dorën e zeshkët e të thatë të grues.


Doda zûni vênd në nji karrikë afër tyne.
Paqa shtëpijake rrethueme dritën e me ernat e mbarimit të prendverës, i depërtonte në shpirt tue e flladitë si balçëm dhimbë-shutitës.
Drandja, pa çue syt nga fija e pênit të shtjellun, zû të kallzojë mâ parë disa punë të saj mbandej ato të gjindes, tue dalë prej nji llafje në tjetrën me at udobí kapërcimesh qi vetëm grát kanë në biseda të tyne.


Foli e foli, pa pushue. Doda, ndoshta për të parën herë qyshë se e njihte, i a vû veshin me kujdes. Ato lajme të mbledhuna nëpër dyer oborresh, thânethashat e grave me çarçafa qi kthejnë nga mesha mëngjesore, këshillet e pëshpërituna vesh në vesh si në rrëfim në nji skâj rruge, at ditë e argtuen dhe i a larguen disi trishtimin.
Nusha, hove, hove, çonte syt e bukur kah ai e i falte- dhuntí e shkëlqyshme-shikime dashunore qi i a zhdavaritën dhe avujt e fundëm të paqetís.


Qe nji ças qi qartësija i ktheu në shpirt, e plotë, ngushulluese. Mêndime të qeta e rrëmbyen. S’ndëgjonte mâ zânin e Drandos; shifte vetëm dritën e syve të dashun.
-Çou, Nushë, e na piq kafen. Nepja shkulin Dodës. Le të m’a mbajë ky pak. Mbasi nuk ka shkue në shkollë…për pendesë po e bâjmë me punue këtu…


Doda qeshi e i bâni së dashunës:
-M’a nep shkulin.
Ajo u ngrit, e lehtë e e shpejtë, për t’ia dhânë. Gishtat e tyne u ndeshën, për nji ças. Doda, qi kishte duert e nxeta, qe i përshkuem nga nji të dridhun i ândëshëm freskije kur e përkitën duert e freskta të Nushës. Kjo shkoi tue e shikue ngultas t’âmën ndër sy me nji shprehje ku lutja shifej e përzieme me nji urdhën të premë. Ai shikim ishte nji porosí.
Por Drandja priti sa duel e bija e i u drejtue dhândërrit menjiherë:


-Pashë fén qi kena, Dodë, a i a kallzon Drandos nji të drejtë?
-Po në mos t’a kallzofsha ty, nânë, kuj kam me i a kallzue?
Grueja u përdî si të donte me i mêndue fjalët përpara se me i qitë e, mbandej, tue e shikue djalin ndrejt ndër sy, bâni:
-A m’a nep fjalën qi nuk m’idhnohesh?
-Fol, nânë, fol.


Grueja foli shpejt e shpejt.
-Kam ndie se je tue kërkue shtegun për me ia marrë gjakun Zekës (dritë –pastë).
Doda mbështeti duert përmbi gjûj, me gjith shkul qi kishte në to, e, tue u ngrehë me gjoks kah e âma e së dashunës, pyeti me zâ të turbulluem:
-Kush të ka thânë?


Drandja përgjegji pa guxue m’e shikue mâ ndër sy:
-Të jam lutë mos me m’u idhnue. E kam ndie…
Shtoi, mbas nji ndalimi të shkurtë:


-E kam edhe un do arsye qi të pëves. Kurrkush nuk mund të thotë qi mos me i a marrë gjakun vllaut. Jo, jo… Âsht e drejta e jote! Por, aman, bir-o, ndëgjoje Drandon: bâne punën me mênd e, në paç se si, pa rrezikue veten. Mêndo disprimin e Nushës me pasë për të ndodhë gjâ e keqe, prite Zot!


Doda e pau veten pezull mbi një humnerë të frigueshme, por mblodh gjith fuqít për mos m’e diftue turbullimin e përmbrêndëshëm. Pyeti me zâ të qetë:
-Pse…me pasë për të qitë un pushkë, a s’kishe me m’a da ti mue Nushën a?
Grueja s’e merrte vesht at djalë aqë të stërholluem.
Briti, në kulm të çudís:


-Po me sa mênd po t’a daj un ty?!
Doda desht me shkue deri në fund.
-Don me thânë qi kishte me i a dhânë edhe nji gjaksorit?
-Gjaksuer nuk âsht ai qi qet pushkë për erz!
-Gjaksorë janë të gjithë ata qi derdhin gjak njerit…

Grueja nuk dha përgjegje. Mêndonte se dhândërri ato fjalë i flitte sa për me i a tretë asaj pusullën. Por ajo donte m’e kthjellue mirë at punë, n’interesë të vajzës edhe të tij; prandej vijoi:
-Shif, bir-o, nânës s’ate s’ke pse i shtihesh. Un e dij qi ti, nesër e mbasnesrit, sot nji muej a sot nji vjet, ke m’e thá brîjësh ndonjênin prej atyne qi të kanë gjakun borxh.
Pra, ndëgjo mue qi jam plakë, e kam pá e kam ndie shum.
Vênja mênden fort se ata, me ça kam marrë vesht un, mêndojnë me të vrá përpara. E dijnë se ty,mbandej, s’ka kush t’a merr gjakun e shkoni gjak-hupët si ti si Zeka i shkretë…


Doda mezi qëndronte ndêjun. Drandja i kishte vû gishtin në plagë. E âma e së dashunës ishte bâ aljatja e duerve t’errëta qi e hudhshin në humnerë. Briti, dishpruesëm:
-Po unë s’due me marrë gjak prej kurrkuj! Ça bân shqiptari i pakëndueshëm, s’kam të drejtë t’a bâj unë qi mbarova shkollë!…
Gruen e trêmbi zani i tij. U ngreh nëpër shtroje deri tu ai e nisi me e marrë me të mirë, tue i a fërkue gjûjt me dorë e tue e lutë:


-Pashë besën, Dodë, mos u idhno. Un e marra qi nuk e ndëgjova Nushën! Njimijë herë më ka porositë qi mos me t’i përmendë këto sende. Por un jam teveqele…Aman, bir, mos m’u idhno.
Doda ia priti:
-S’kam pse idhnohem. Por…hiqe mêndsh at punë.
Nuk qesë pushkë, jo, mos druej. Nuk qes-pse plumbi qi të më dalë nga pushka shkon e vret idealin e jetës qi kam ushqye me mundin e studimeve të njizet vjetve!…
Drandja e kujtoi kryekëput të paquem. Tue ndêjtë mbi shtroje, te kâmbët e tij, muer lâmshin qi i kishte rá në tokë e vijoi:


-Ti je i mêndshëm e din mâ tepër se un. Veç m’a nep lêjën me t’a dhânë nji këshill si plakë qi jam. Ti thae se nuk qet pushkë: kjo punë më gëzon sa s’ka…Ke me gjetë atëherë ndonji Malsuer besnik…Por ule gjinden t’ânde në Shkodër mâ parë e ti rueju…
-Si? si? –u çudit me ironi t’idhët Doda. –Edhe ti po më këshillon me i vrá me dorë të tjetërkujt? Mirë, besa!


Edhe shkon në kishë për ditë…Po ça u mësojnë ata priftën? A nuk e merr vesht se krimi â shum mâ i neveritshëm kur bâhet me nji dorë të bleme? Shum mâ i neveritshëm e mâ i mënishëm!
Grueja prap i muer vesht këto fjalë n’at mënyrën e vet, do me thânë qi dhândërri kishte qitë cekën m’e marrë gjakun me dorë të tij. Asaj i dukej se kish ardhë, dalkadalë, me marifet, tue i a zhvillue krejt shkulin e mêndimeve të mëshefta ashtu si at shkul pênit ai shkonte tue pshtjellë. Qëllimin e djalit i gjante se e shef fare të qartë. Prandej vijoi, e sigurtë se ashtu e lypte e mira e së bijës edhe e tij:


-Un mêndimin t’em due me t’a thânë fund e maje: ti, mbandej, bân si të duesh. Në kjoftë se t’â mbushë mêndja me qitë pushkë ti vetë, atëherë bâne gati punën përpara e shesto mirë në menyrë qi me ikë e me dalë jashta Shqipnije…Mâ e  kollajta âsht me kapërcye në Mal të Zi.


Un, në daç ti, shes edhe shtëpín e vij me Nushën atje.
Nejse, shef puna punën…Bota âsht e rrumbullakët: sillet.
Shqipnija edhe mâ e rrumbullakët…Sa njof un këtu qi kanë qitë pushkë e jetojnë sot ndër shtëpija të veta, rahat me Zotin!
Doda u ngrit me turr. Hodh shkulin qi u ndërlikue mbi karrikë e muer kapelën.


-Ku po shkon? –bâni grueja tue u çue m’e ndalë.
-Lamtumirë!
-T’idhnova…
-S’kam idhnim me kurrkênd, veçse me vete.
E iku , tue i u ulë si i lafitun shkallve.
Nusha, n’at ças po delte prej odës së zjarmit në çardak me tabake e me filxhana të kafes. U zbé para asaj shkene të papritun e vikati:
-Dodë! Dodë!


Por ai ishte ulë e s’desht me ndëgjue.
Dodë! Dodë!
I përgjegji krisma e derës s’oborrit qi mbyllej me hov.
Âmë e bijë ndêjën si të ngurueme, njâna me lâmsh e tjetra me tabake tringulluese ndër duer qi dridheshin.


E vjehrra s’e kuptonte kurrsesi punën e atij dhândërri të çuditshëm. Por Nusha menjiherë e mori me mênd se e âma, pa dashtë, kishte bâ nji faj të paqortueshëm.

*Shkëputur nga novela “Gjaku” i përfshirë në librin “Hija e maleve”

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE: ERNEST KOLIQI: UNË S’E NJOFTA MÂ VETEN T’IME…